Gjuha Piton: Vështrim i Shkurtër Historik
Gjuha Piton (ang. Python) është sot një nga gjuhët më të përdorura të programimit, veçanërisht në fusha si Inteligjenca Artificiale apo Shkenca e të Dhënave (ang. Data Science). Piton është gjuhë e interpretuar, pra programet përkatëse nuk kompilohen në gjuhën e makinës por ekzekutohen direkt nga interpretuesi i Pitonit i cili vetë është i shkruar në gjuhën C (për më shumë rreth gjuhës C mund të lexoni këtë shkrim) për të mundësuar shpejtësi në ekzekutim. Kodi burimor i hapur, lehtësia për ta mësuar, konstruktet e shumta si dhe mbështetja e programimit të orientuar nga objektet e bëjnë Piton mjaft të fuqishme dhe elastike, pra lehtësisht të përdorshme në aplikime nga më të ndryshmet. Një veçori që e dallon gjuhën Piton nga gjuhët e tjera të programimit është lexueshmëria e lartë e kodit që vjen nga hapësirat e rregullta të cilat janë me përdorim të detyrueshëm. Veçori të tjera të gjuhës Piton janë përdorimi i tipeve dinamike të të dhënave dhe mekanizmi i mbledhjes së mbeturinave (ang. garbage collection).
Gjuha Piton u ideua në fundin e viteve 80 nga Guido van Rosum (Guido van Rossum, 1956-) i cili ishte anëtar i Institutit Kërkimor Kombëtar të Matematikës dhe Informatikës në Holandë. U projektua fillimisht si një kundërpërgjigje ndaj gjuhës ABC (e zëvendësoi më së miri) e cila gjithashtu ishte themeluar dhe zhvilluar në Hollandë. Një cilësi dalluese e Piton kundrejt gjuhës ABC ishte mbarvajtja e përjashtimeve (ang. exception handling). Çuditërisht, emri Piton nuk vjen nga lloji i gjarprit por nga një program televiziv Britanik popullor i asaj kohe i quajtur “Monty Python” (që ndiqej edhe nga autori). Një video interesante rreth origjinës së gjuhës Piton mund gjendet këtu.
Njësoj si gjuhët e tjera të programimit, edhe zhvillimi i gjuhës Piton ka kaluar nëpër shumë versione dhe nënversione. Fillimisht (në vitin 1991) u publikua versioni Piton 0.9.0 që konsiderohet si versioni i parë i përdorshëm. Më tej, në vitin 1994 doli Piton 1.0 i cili përfshinte klasat, listat, funksionet lambda dhe mekanizma të tjerë të programimit funksional. Piton 1.5 doli në dhjetor të vitit 1997 ndërsa Piton 2.0 (pra kalimi në Piton 2) në tetor të vitit 2000. Piton 2 solli elemente më të avancuara si kuptimin e listave (ang. list comprehension), një mbledhës edhe më të plot ëtë mbeturinave si dhe mbështetjen e standardit Unicode për kodimin e simboleve dhe tekstit. Në këtë kohë (mars 2001) u krijua dhe Fondacioni i Softuerit Piton (ang. Python Software Foundation), një organizatë që drejton zhvillimin e gjuhës Piton dhe komunitetit të saj. Një veçori tjetër e gjuhës Piton është lista e parimeve mbi të cilat mbështetet zhvillimi i saj, e quajtur ndryshe filozofia Zen e Pitonit (ang. Zen of Python). Kjo listë përfshin 19 parime që e vënë theksin te qartësia dhe thjeshtësia e kodit.
Ndërkohë që Piton 2 vazhdonte të zhvillohej me nënversione të shumta (2.1, 2.2, etj.), Piton 3.0 u publikua në dhjetor 2008. Piton 3 përbënte në fakt një ndryshim të madh nga Piton 2, duke mos qenë plotësisht i paspërputhshëm me të. Një nga ndryshimet më të dukshme ishte kalimi nga instruksioni print (për shfaqje mesazhesh në ekran) te funksioni print() me argumenta pozicionalë. Mungesa e paspërputhshmërisë së Piton 3 kundrejt Piton 2 rezultoi “e dhimbshme” për shumë programues dhe kompani zhvillimi. Për pasojë, u pa e rëndësishme që shumë veçori të reja të Piton 3 të shtoheshin edhe te versionet Piton 2.6.x dhe 2.7.x. U zhvillua gjithashtu mjeti 2to3 (2 në 3) për përkthimin automatik të kodit Piton 2 në kod Piton 3. Fundi i jetës së Piton 2 (versioni i fundit 2.7.16) u caktua fillimisht viti 2015 dhe më pas u vendos të jetë fillimi i vitit 2020.
Pitoni është sot gjuha standarde e drejtimeve të ndryshme si Inteligjenca Artificiale, Shkenca e të Dhënave, Mësimit Automatik (ang. Machine Learning) dhe Mësimi i Thellë (ang. Deep Learning). Zgjerueshmëria e lehtë, kodi burimor i hapur dhe publik, komuniteti mjaft i gjerë i programuesve, si dhe libraritë e shumta (sot numërohen rreth 130 mijë të tilla) e bëjnë atë gjuhën e parapëlqyer për shumë kompani zhvillimi. Gjithashtu, lehtësia për ta mësuar e bën Piton një gjuhë të përdorshme edhe në mjaft shkolla apo universitete për qëllime mësimore. Versioni më i fundit i gjuhës Piton është sot 3.7.4 i publikuar më 8 korrik, 2019.
Ndërkohë, një ndryshim i rëndësishëm që ndodhi vitin e kaluar kishte të bënte me rolin e drejtuesit kryesor të zhvillimit. Guido van Rosum u tërhoq nga pozicioni i tij i diktatorit mirëdashës të përjetshëm (ang. benevolent dictator for life) dhe në janar të vitit 2019 u krijua këshilli drejtues me pesë anëtarë, një nga të cilët është vetë Guido. Përhapja gjithnjë e më e madhe e teknologjive me kod burimor të hapur është një tregues për një të ardhme të sigurt të vazhdimësisë në zhvillimin dhe përdorimin e Piton, të paktën në aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm.
Referenca
1. https://en.wikipedia.org/wiki/Python_(programming_language)