Inteligjenca Artificiale: Pikëpamjet e Hershme Filozofike
Gjeneza e inteligjencës artificiale gjendet në përpjekjet e hershme (që nga antikiteti) të njeriut për të kuptuar dhe shpjeguar funksionimin e trurit njerëzor dhe proceseve të të menduarit dhe të mësuarit. Disa hapa themelore në këtë drejtim janë hedhur nga Aristoteli te teoria e tij e shoqërimit e cila pohon se mendja është një tërësi elementesh ideore si dhe shoqërimet midis tyre. Aristoteli analizoi procesin e të kujtuarit dhe formuloi tre ligjet e shoqërimit dhe ligjin e shpeshtisë:
- Ligji i Ngjashmërisë: Ndeshja me një objekt ose kujtimi i një ngjarjeje priret të kujtojë objekte apo ngjarje të ngjashme.
- Ligji i Kontrastit: Ndeshja me një objekt ose kujtimi i një ngjarjeje priret të kujtojë objekte apo ngjarje të kundërta.
- Ligji i Vazhdimësisë: Përjetimi apo kujtimi i një objekti apo ngjarjeje priret të kujtojë gjëra që janë përjetuar në një çast të afërt me atë objekt apo ngjarje.
- Ligji i Shpeshtisë: Sa më shpesh që dy gjëra të përjetohen sëbashku, aq më të mëdha gjasat që përjetimi apo kujtimi i njërës të nxiti kujtimin e tjetrës.
Këto parime të propozuara mbi 2000 vjet më parë qëndrojnë si supozime bazë edhe sot te metodat e mësimit automatik (ang. machine learning). Vihet re për shembull që kampionët e të dhënave që gjenden në një distancë të afërt me njëri-tjetrin priren të kategorizohen te e njëjta klasë. Vihet re gjithashtu që të dhënat e ngjashme/e kundërta përfaqësohen nga vektorë të ngjashëm/të kundërt në hapësirat shumëpërmasore.
Teoria e shoqërimit u përforcua dhe pasurua deri diku nga filozofë të mëvonshëm të mesjesës. Mbrojtësi më i madh i pikëpamjeve të Aristotelit në mesjetë ishte filozofi dhe prifti katolik Tomazo d’Akuini (ita. Tommaso d’Aquino, 1225–1274) i cili besonte se mendja (sipas tij pjesa intelektuale e shpirtit) nuk ekziston në vetvete, pra shfaqet vetëm kur njeriu mendon për diçka. Sipas tij të menduarit i dallon së brendshmi qeniet inteligjente nga qeniet ndijuese. Në thelb të teorisë së tij të njohjes, d’Akuini vendos dallimin midis trajtave natyrore dhe atyre shpirtërore. E afërt me teorinë e njohjes ishte dhe teoria e gjuhës mendore e zhvilluar kryesisht në shekullin e katërmbëdhjetë nga filozifi skolastik Uilliam Okëm (ang. William of Ockham, 1287–1347). Sipas tij kur një individ krijon një koncept në mendjen e tij, ai koncept është vetëm i tiji dhe përbën një fjalë në gjuhën tonë të të menduarit për objektin që e shkaktoi. Kjo fjalë është një pjesë atomike që mund të kombinohet me pjesë të tjera duke formuar fjalitë e gjuhës mendore me anë të së cilës njeriu përshkruan botën që e rrethon.
Mendja, mendimi, të mësuarit dhe kujtesa u trajtuan dhe analizuan gjerë edhe nga shumë filozofë dhe psikologë të epokës së rilindjes. Sipas Tomas Hobzit (ang. Thomas Hobbes, 1588–1679), përjetimet e komplikuara janë shoqërime të përjetimeve më të thjeshta të cilat nga ana e tyre janë shoqërime të ndjesive. Hobzi gjithashtu mendonte se faktorët që përcaktojnë forcën e shoqërimeve janë shpeshtia dhe koherenca. Filozofi anglez Xhon Lok (ang. John Locke, 1632–1704) formuloi konceptin e shoqërimit të ideve duke ndarë nga njëri-tjetri konceptet e ideve të ndjesive nga idetë e reflektimeve. Sipas tij, idetë komplekse përftohen nga kombinimi i ideve të thjeshta. Disa dekada më vonë, filozofi skocez Deivid Hjum (ang. David Hume, 1711–1776) i reduktoi katër ligjet e Aristotelit në tre: ligji i ngjashmërisë, ligji i vazhdimësisë dhe ligji i shkakut dhe pasojës. Hjumi besonte se koherenca e botës ishte pasojë e këtyre tre ligjeve. Filozofi Djugëlld Stjuart (ang. Dugald Steward, 1753–1828) i zgjeroi tre ligjet e Hjumit me parime të tjera si ai i përkimit rastësor në tingëllimet e fjalëve.
Tomas Rid (ang. Thomas Reid, 1710–1796) besonte se rikthimi spontan i mendimeve ishte rezultat i zakoneve të njeriut dhe jo i ndonjë cilësie të mendjes. Filozofi pragmatist Xhejms Mill (ang. James Mill, 1773–1836) e vuri theksin te ligji i shpeshtisë të cilin e quante çelësi i të mësuarit. Teoria e shoqërimit u bë popullore edhe në sajë të Deivid Hartlit (ang. David Hartley, 1705–1757) i cili konsiderohet si themeluesi i shkollës së shoqërimit në psikologji. Veç ligjeve të mësipërme, Hartli mendonte se kujtesa mund të konceptohej si tërësi lëkundjesh të vogla në zonat e trurit ku ndodhnin përjetimet e fakteve apo ngjarjeve. Këto lëkundje lidhen me njëra-tjetrën duke krijuar ide komplekse dhe formojnë bazën e ndërgjegjes. Idetë e Hartlit u bënë baza frymëzuese për Donald Hebin (ang. Donald Hebb, 1904–1985) i cili formuloi rregullin e të mësuarit vite më vonë në shekullin e njëzetë.
Referenca
- https://plato.stanford.edu/entries/representation-medieval/
- https://en.wikipedia.org/wiki/David_Hartley_(philosopher)
- https://en.wikipedia.org/wiki/William_of_Ockham
- https://en.wikipedia.org/wiki/Thomas_Aquinas
- https://en.wikipedia.org/wiki/Aristotle
- https://en.wikipedia.org/wiki/Thomas_Hobbes
- https://en.wikipedia.org/wiki/John_Locke
- https://en.wikipedia.org/wiki/David_Hume
- https://arxiv.org/abs/1702.07800