Inteligjenca Artificiale: Sistemet Ekspert dhe Dimri i Dytë
Pas periudhës së amullisë të viteve 1974 – 1980 e njohur si “dimri i parë”, interesi për hulumtime në fushën e inteligjencës artificiale u rrit sërish (për më shumë informacion rreth dimrit të parë kalo këtu). Në vitet 80 u pa një popullaritet i madh i programeve inteligjente të njohur si “sisteme ekspert”. Një sistem ekspert është një program kompjuterik i përbërë nga rregulla logjike dhe një bazë njohurishë që jep zgjidhje apo përgjigje për probleme apo pyetje nga një fushë e caktuar. Duhet theksuar se sistemet e parë ekspert u ndërtuan që në vitet 60. I pari prej tyre konsiderohet projekti dhe sistemi Dendral i nisur në vitin 1965 nga Eduard Fajgenbaum (Edward Feigenbaum) në universitetin Stanford, Kaliforni. Ky sistem u projektuar për t’i ardhur në ndihmë kimistëve në identifikimin e molekulave organike të panjohura. Për këtë analizohej masa spektrore e molekulave dhe shqyrtoheshin të dhëna të ndryshme mbi vetitë e tyre kimike. Kodi i programit të sistemit Dendral u shkrua në gjuhën Lisp e cila ishte shumë popullore në atë kohë dhe konsiderohej si gjuha e inteligjencës artificiale. Sistemi ekspert Dendral shërbeu si nxitje për shumë sisteme të tjera ekspert në fusha të ndryshme. Një prej tyre ishte sistemi ekspert MYCIN (shqipto: majsin) i cili u zbatua me sukses për diagnostikimin e sëmundjeve infektive të gjakut. Ky sistem pati një rol të rëndësishëm për faktin se bëri të njohur potencialin e madh që kishin sistemet ekspert në mjekësi.
Popullariteti më i madh i sistemeve ekspert u shënua në vitet 80 dhe u nxit më së shumti nga fondet e lëvruara prej organizatave qeveritare dhe kompanive kompjuterike. Një financim i rëndësishëm erdhi nga qeveria Japoneze për projektin ambicioz të kompjuterit të gjeneratës së pestë. Programet e këtij kompjuteri u ideuan për të qenë të aftë të bashkëbisedojnë, të përkthejnë midis gjuhëve të ndryshme, të interpretojnë imazhe si dhe të artyetojnë në ngjashmëri me qeniet njerëzore (tepër ambicioz për kohën). Një sistem ekspert i rëndësishëm i viteve 80 ishte dhe XCON që erdhi si bashkëpunim midis universitetit “Carnegie Mellon” dhe kompanisë DEC (Digital Equipment Corporation). Qëllimi i këtij sistemi ishte mbarëvajtja e porosive të kompjuterave nga blerësit duke përzgjedhur në mënyrë të mençur komponentë përbërës. Automatizimi i këtij procesi nga sistemi XCON solli një reduktim të madh të kostove për kompaninë DEC dhe rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm. Interesi për sisteme ekspert u masivizua dhe shumë kompani filluan të investojnë miliona dollarë. Roli kryesor i këtyre sistemeve ishte automatizimi i proceseve dhe reduktimi i kostove. Lindën gjithashtu kompani të ndryshme harduer si Symbolics dhe “Lisp Machines” të cilat filluan të shesin kompjutera të specializuar për ekzekutimin e sistemeve ekspert të shkruar në gjuhën Lisp. Kompani të tjera softuer si IntelliCorp and Aion u specializuan në zhvillimin dhe ofrimin e modeleve të programimit të sistemeve ekspert.
Suksesi i madh i sistemeve ekspert u ndikua nga disa faktorë. Një prej tyre ishte fakti që çdo sistem ekspert ndërtohej me njohuri specifike nga një fushë e caktuar dhe për pasojë jepte rezultate të mira në atë fushë. Struktura dhe kodi i tyre i thjeshtë (gjuha Lisp ofron abstraksion të lartë) e lehtësonin modifikimin dhe ripërdorimin e moduleve të caktuara. Saktësia e madhe e tyre vinte gjithashtu nga baza e njohurive me të cilën ndërtoheshin (sa më e madhe, aq më rezultative). Disa sisteme ekspert u prjektuan për të simuluar lojra si shahu që kërkojnë inteligjencë mjaft të lartë. Sisteme të tillë si “HiTech” dhe “Deep Thought” të zhvilluar në fund të viteve 80 arritën të mundnin mjeshtrat e shahut të asaj kohe. Sistemi “Deep Thought” shërbeu si bazë për ndërtimin e sistemit “Deep Blue” i cili mundi kampionin e shahut Geri Kasparov në vitin 1997.
Pavarësisht ecurisë së mirë që pati, industria e sistemeve ekspert filloi të përballet me vështirësi të ndryshme. Një prej tyre ishte konkurenca që erdhi nga prodhuesit e kompjuterave personal e të përgjithshëm fuqia përpunuese e të cilëve po rritej ndjeshëm. Kompjuterat personal filluan të ofrojnë mjedise zhvillimi të gjuhës Lisp të cilat ishin me kosto më të ulët. Kjo e uli ndjeshëm shitjen e makinave specifike të kompanive si Symbolics dhe “Lisp Machines” duke çuar në falimentimin e këtyre të fundit. Ky fakt bëri që shumë kompani dhe organizata të tjera të tërhiqen jo vetëm nga projektet e ndërtimit të sistemeve ekspert, por edhe nga puna hulumtuese në fushën e inteligjencës artificiale. Një fakt tjetër që e nxiti këtë prirje ishte dështimi i projektit të qeverisë Japoneze për kompjuterin e gjeneratës së pestë objektivat tejet ambicioz të të cilëve nuk ishin arritur. Nisi pra një periudhë e dytë amullie në fushën e inteligjencës artificiale e cila njihet si “dimri i dytë”. Kjo periudhë zgjati deri në mesin e viteve 90 kur filloi të gjallërohej një drejtim tjetër i inteligjencës artificiale i njohur si mësimi automatik (machine learning).
Referenca
- https://en.wikipedia.org/wiki/AI_winter
- https://en.wikipedia.org/wiki/History_of_artificial_intelligence
- https://en.wikipedia.org/wiki/Edward_Feigenbaum
- https://en.wikipedia.org/wiki/Dendral
- https://en.wikipedia.org/wiki/Mycin
- https://en.wikipedia.org/wiki/Fifth_generation_computer
- https://en.wikipedia.org/wiki/Xcon