Ngatërrime të c-së me ç-në

Veç problematikave që lidhen me parashtesat dhe prapashtesat që janë trajtuar në shkrime të ngjashme, mund të vihen re thuajse gjithnjë edhe probleme që lidhen me ngatërrimin e fonemave në fjalë të ndryshme, pra shkrimin apo shqiptimin e gabuar të atyre fjalëve kundrejt një shkronje apo foneme. Rast tipik përbëjnë c-ja me ç-në të cilat ngatërrohen shpesh. Më poshtë jepen disa shembuj, ku varianti i saktë shkruhet i theksuar ndërsa ai i gabuar midis simboleve * (yllth).

Fjala procedurë përdoret shpesh në ligjërimin teknik apo në atë të programimit. Çuditërisht jemi mësuar ta shkruajmë e shqiptojmë këtë fjalë në formën e gabuar *proçedurë*.

Fjala proces ka përdorim të gjerë në ligjërimin e përgjithshëm, në disiplina
tekniko-shkencore, por edhe më specifikisht në terminologjinë e sistemeve operative. Edhe këtë fjalë e dëgjojmë shpesh në formën e gabuar *proçes* dhe e ndeshim në këtë formë të gabuar edhe te [1] f. 42, te [2] f. 102, te [3] f. 57 etj.

Fjalët certifikatë, certifikoj, certifikim përdoren gjithashtu si në ligjërimin e përgjithshëm edhe në atë të teknologjisë së informacionit, veçanërisht në çështje të sigurisë kibernetike. Në shumicën e rasteve, këto fjalë i hasim në format e gabuara *çertifikatë*, *çertifikoj*, *çertifikim*.

Fjalët licensë, licensim, licensoj, përdoren shpesh për të qartësuar të drejtat dhe detyrimet që kërkohen për përdorimin e programeve kompjuterike apo të burimeve të tjera. Në shumicën e rasteve jemi mësuar që këto fjalë t’i hasim në format e gabuara *liçensë* si te [4] f. 67 ose *licencë* si te [5] f. 26, *liçensim* si te [6] f. 128 dhe *liçensoj*.

Fjala koeficient ka përdorim të gjerë në të gjitha disiplinat tekniko-shkencore, ekonomi, teknologji informacioni e më gjerë. Duhet pranuar se kjo fjalë ndeshet më shpesh në formën e gabuar *koefiçent*.

Fjalët eficient dhe eficiencë janë huazuar gjithashtu nga gjuhët neolatine, njësoj si fjala koeficient. Në analogji me të, edhe këto fjalë ndeshen më shpesh në format e gabuara *efiçent* dhe *efiçencë*, p.sh. te [7] f. 30.

Fjalët deficit dhe deficitar përdoren më tepër në terminologjinë e financës, por ndonjëherë edhe në atë inxhinierike. Edhe këto fjalë ndeshen në format e gabuara *defiçit* dhe *defiçitar*.

Të gjitha fjalët e mësipërme gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH në formën e tyre të saktë, pra me shkronjën c. E njëjta formë shkrimi duhet ndjekur edhe në artikuj, libra, dhe shkrime të tjera. Një trajtim më i hollësishëm i kësaj problematike jepet te [8].

Referenca

  1. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Informatika (për Fakultetin e Ekonomisë)”, Tiranë, 2012.
  2. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  3. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  4. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  5. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  6. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  7. Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe problema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë, 2017.
  8. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record 6378930