fbpx

Nësoj si problemet fonetike të trajtuara në shkrime të ngjashme, problem përbëjnë edhe huazimet nga anglishtja që përmbajnë shkronjën w. Tri nga fjalët kryesore të kësaj kategorie bazuar te shpeshtia e përdorimit janë hardware (elementet apo pjesët fizike të sistemeve kompjuterike), software (elementet skematike, logjike e konceptore të tyre si p.sh. programet dhe dokumentimi), web (hapësira virtuale e programueshme që mundëson identifikimin, lidhjen dhe shpërndarjen e burimeve digjitale në internet).

Tri fjalët e mësipërme hasen shpesh pa asnjë përshtatje, pra *hardware* si te [1] f. 82, *software* si te [2] f. 51, dhe *web* si te [3] f. 6. Disa forma të tjera të tyre janë ato me shkronjën w të kthyer në v, si *hardver* apo *hardverik*, *softver* apo *softverik* që ndeshet te [39] f. 2, ndoshta të ndikuara nga shqiptimet përkatëse të tyre në gjuhën gjermane në të cilën shkronja w shqiptohet si v-ja në gjuhën shqipe. Këto forma përbëjnë devijime të konsiderueshme fonetike nga fjalët në gjuhën burim, ndaj gjykojmë se janë jo të përshtatshme.

Në traditën e përkthimeve nga anglishtja, fjalët me shkronjën w janë përshtatur në gjuhën shqipe duke e kthyer atë në u. Ky rregull përbën në shumicën e rasteve përafrimin më të mirë fonetik të fjalëve që hyjnë te kjo kategori. Disa shembuj që mund të japim janë Walt Whitman — Uollt Uitman, Washington – Uashington, William — Uiliam, Newton — Njuton, Stewart — Stjuart, Swift — Suift etj. Në të njëjtën mënyrë, gjykojmë që përshtatjet e duhura për fjalët e kësaj kategorie janë harduer siç ndeshet te [5] f. 186, softuer si te [2] f. 50 dhe ueb si te [3] f. 132. Po njësoj veprohet edhe me mbiemrat, pra shkruhet harduerik si te [6] f. 32 dhe softuerik si te [7] f. 67.

Duhet bërë gjithashtu kujdes me fjalën web e cila në përdorimin si emër shkruhej dikur me nistore të madhe, pra Web. Vitet e fundit po trajtohet gjithnjë e më shpesh si një emër i përgjithshëm i shkruar web, por mund të ndeshet në ndonjë rast edhe Web. Në secilin rast duhet përkthyer e shkruar në formën ueb. Në përdorimin si mbiemër, kjo fjalë ndeshet gjithnjë web dhe përkthehet ueb. Një trajtim më i hollësishëm i kësaj problematike jepet te [8].

Referenca

  1. Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  2. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  3. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  4. Agni Dika: “Bazat e Programimit në C++”, Arbëria Design, Tetovë, 2005.
  5. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 1998.
  6. Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
  7. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  8. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record 6378930