Qeveria ul limitin e taksimit të blerjeve online nga 145 në 22 Euro
Nëse edhe ju bëni blerje online si shumica e Shqiptarëve dhe njerëzve në të gjithë botën, atëherë kemi lajme të këqija për ju.
Në një vendim të Këshillit të Ministrave, Qeveria ka rritur limitin e taksimit të blerjeve online nga 145 Euro (20 mijë lekë) që ishte në 22 Euro (rreth 3 mijë lekë), vendim ky i cili ka ngjallur shumë pakënaqësi tek të gjithë përdoruesit e internetit dhe blerësit online.
Vendimi:
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.919, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DISPOZITAVE ZBATUESE TË LIGJIT NR.102/2014, DATË 31.7.2014, “KODI DOGANOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, 10, 40 deri 42, 47, 119, pika 7, 149, 150 deri 152, 153, pikat 1, 2 e 3, 154, 161 deri 168, 169, 174, 175, 176, 177, 184 e 188, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në kreun 2, “Përjashtimi nga detyrimet e importit”, seksioni 5, “Dërgesat me vlerë të papërfillshme”, të vendimit nr.919, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, neni 116, “Mallra me vlerë të papërfillshme”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 116
Mallra me vlerë të papërfillshme
Në përputhje me nenin 117, çdo dërgesë mallrash me karakter jotregtar, e përbërë nga mallra me vlerë të papërfillshme, të dërguara drejtpërdrejt nga një vend tjetër te një marrës në Republikën e Shqipërisë, përjashtohet nga detyrimet e importit.
Për qëllime të pikës 1, mallra me vlerë të papërfillshme janë:
a) mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro;
b) dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro.”.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Kjo do të thotë se së shpejti ju do t’ju duhet që për një mall me vlerë mbi 22 Euro të paguani 20% TVSH dhe 2,4% taksë doganore, në total 22,4% të vlerës së mallit. Dhe për dërgesat jashtë vendit limiti do të jetë 45 Euro.
Punonjës të postës thonë se kryesisht mallrat që mbërrijnë në vend kapin vlerat nga 100 deri në 900 Euro, por 75% e tyre kanë një vlerë mbi 100, çka do të thotë se tani për këto mallra, blerësit duhet të paguajnë edhe 22,4 Euro më shumë.
Por nuk mbaron këtu. Më parë, mallrat që kishin vlerë nën 145 Euro nuk kishin nevojë për zhdoganim, dhe postieri t’i sillte drejt e tek dera e shtëpisë, por me ligjin e ri, blerësi duhet të paraqitet tek Posta apo në Rinas (ku mbërrin malli) për të plotësuar deklaratën doganore, dhe për ta paguar atë përmes bankës. Më pas mund të tërheqë mallin.
Por a ia vlen të kryesh gjithë këto veprime për të tërhequr një mall që supozojmë ka kushtuar 23 Euro? Për mendimin tim sigurisht që jo! Ndaj edhe persona të tjerë si unë apo ju (të pakënaqur nga ky vendim) kanë nisur një peticion online ku i kërkojnë kryeministrit të vendit Edi Rama që ta anulojë këtë vendim. Ju mund ta firmosni atë nga ky link.