Shtrembërime të fonemës GJ
Veç problematikave që lidhen me ngatërrimin e fonemave c dhe ç që janë trajtuar në shkrime të ngjashme, vihen re shpesh edhe probleme që lidhen me ngatërrimin e fonemës gj. Kjo fonemë kthehet shpesh në xh, si në të folur edhe në të shkruar. Kjo ndodh veçanërisht në fjalët që përmbajnë gi apo ge, të cilat shqiptohen xhi/xhe në italishte dhe zhi/zhe në frëngjishte. Më poshtë jepen disa shembuj konkretë.
agenda ka si kuptim të parë një plan veprimesh të shtrirë në kohë, ndërsa kuptim të dytë një bllok shënimesh apo pajisje elektronike që ndihmon në hartimin dhe mbajtjen mend të planit të veprimeve. Fjala e duhur është agjendë. Duhet shmangur nga përdorimi forma *axhendë* e cila dëgjohesh shpesh dhe haset te [1] f. 13. Shembuj: personal agenda — agjendë vetjake, digital agenda — agjendë digjitale.
digital që përdoret shpesh duke treguar natyrën e një njësie informacioni, një aparati, shërbimi, procesi etj. Përshtatja e duhur është forma digjital që ndeshet e shkruar saktë te [2] f. 3, te [3] f. 92, te [4] f. 64 etj., si edhe fjalë të tjera si numerik, shifror që janë gjithashtu të përshtatshme. Duhet shmangur në çdo rast forma *dixhital* e cila haset te [5] f. 130, te [3] f. 67, te [1] f. 13 etj., si dhe forma *digital* që ndeshet te [6] f. 232. Shembuj: digital photography — fotografi digjitale, digital device — pajisje digjitale.
digitalize është folja që shpreh veprimin e kthimit të një objekti apo njësie informacioni nga paraqitja analoge apo fizike në atë digjitale. Fjala e duhur është digjitalizoj e cila duhet përdorur duke shmangur formën e pasaktë *dixhitalizoj*. Shembuj: digitalize an archive — digjitalizoj një arkivë, digitalize the rare scripts — digjitalizoj shkrimet e rralla.
digitalization është emri që shpreh veprimin apo procesin e kthimit ë një objekti apo njësie informacioni nga paraqitja analoge apo fizike në atë digjitale. Në gjuhën shqipe fjala e duhur është digjitalizim dhe duhet shmangur emri *dixhitalizim*. Shembuj: libraty digitalization — digjitalizim i
bibliotekës, photo album digitalization — digjitalizim i albumit të fotografive.
tangent është koncept nga matematika që në shqipe është emërtuar historikisht tangjent ose tangjente (kur përdoret si mbiemër) prej të paktën 50 vjetësh, duke qenë se gjendet te [7] f. 185. Fatkeqësisht, vitet e fundit po shkruhet *tangent*, pra njësoj si në gjuhën angleze. Shembuj: tangent lines — vija tangjente, the curbe tangent — tangjenti i lakores.
Problemet me fonemën gj vihen re edhe në fjalë të tjera përtej teknologjisë së informacionit apo terminologjisë librore, si p.sh. tek fjala agjenci. Ndodh shpesh përdorimi i kësaj fjale në formën *axhenci*. E njëjta gjë ndodh me fjalën gjirafë e cila haset shpesh në formën *xhirafë*. Një tjetër lloj shtrembërimi i fonemës gj vihet re në rastet kur në vend të saj përdoret fonema g. Disa shembuj janë fjala gjen që haset në formën *gen* si dhe gjenetikë që shtrembërohet në *genetikë*. Format e sakta të këtyre shembujve gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Një trajtim më i hollësishëm i kësaj problematike jepet te [8].
Referenca
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
- Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe problema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë, 2017.
- Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
- Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
- Q. Turdiu, P. Pilika, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e matematikës dhe e mekanikës teorike)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record 6378930