Si të ndërtoni kompjuterin perfekt pa pasuar aspak përvojë
Nëse jeni një lexues i faqes tonë, me shumë mundësi keni një kompjuter, por gjithashtu është e mundur që kompjuteri juaj nuk po bën gjithçka që ju doni. Ndërkohë që teknologjia përparon, harduerët tanë vjetërohen shpejt, dhe për të qenë në gjendje të luajm lojrat dhe programet e fundit, na duhet dhe ne të ndjekim hapat e teknologjisë. Sigurisht, që ju thjesht mund të shkoni në një dyqan dhe të bleni një kompjuter të ri, por a mendoni se ndoshta ka ardhur koha të ndërtoni vetë ju një kompjuter?!
Avantazhet për të ndërtuar kompjuterin tuaj janë të shumtë. Së pari, ju mund të zgjidhni ekzaktësisht komponentët që ju keni nevojë. Kjo do të thotë se ju mund edhe të kurseni ca para (por në disa raste, ndodh e kundërta). Më e rëndësishme, është ajo ndjesia se diçka që ju po përdorni është e ndërtuar nga duart tuaja, nuk është thjesht një kuti që ju e keni blerë në një dyqan, por është më shumë si një fëmijë. 🙂
Para se të vazhdoni
Ashtu si çdo projekt, është i rëndësishëm planifikimi përpara. Ka disa pyetje në lidhje me kompjuterin tuaj të ri të cilat kanë nevojë për përgjigje para se të fillojmë, kështu që le të merremi me ta që tani.
Së pari, dhe më themelorja: për çfarë do të përdoret ky kompjuter? Po shohim PC në forma dhe madhësi të ndryshme këto ditë, nga ato në madhësinë e një USB-je deri tek ato gjigandët e lojrave me ftohje me ujë. Së dyti, sa është buxheti juaj? Kjo është në dorën tuaj, nëse nuk jeni gati për të bërë shpenzime të mëdha, do ju duhet të sakrifikoni në perfomancë dhe stil. Dhe së treti, në çfarë niveli janë aftësitë tuaja teknike? Shumica e kompjuterave modern mund të ndërtohen pa pasur një diplomë inxhinieri, por në qoftë se dëshironi që kompjuteri juaj të dal diçka epike, do ju duhet të kërkoni ndihmë nga profesionistë.
Le të flasim pak për PC-të
Në përgjithësi, kompjuterat i ndajmë për nga fuqia, në tre nivele:
Me fuqi të ulët: Ndonjëherë ju mund të keni nevojë thjesht për një kompjuter të lirë, për fëmijët tuaj ose për përdorues më pak intensiv. Këto kompjutera zakonisht nuk e teprojnë sa i përket shpejtësisë së procesorit, RAM-it, apo vendosjes së harduerëve shtesë, dhe zakonisht kushtojnë pak.
Të mesëm: Ky me shumë mundësi është ideali për ju, nëse po ndërtoni një kompjuter për herë të parë. Një kompjuter solid i mesëm mund të vijë poshtë 1 mijë euro dhe është në gjendje të bëjë çdo gjë që shumë desktop komerciale munden, duke përfshirë multitasking e lehtë dhe duke përfunduar tek gjenerata e fundit e lojrave. Kur t’i ndërthurni këto gjëra së bashku, do mësoni shumë në lidhje me menaxhimin e mirë të fuqisë dhe buxhetit.
Me fuqi të lartë: Ky është “niveli ekspert” i ndërtimit të një kompjuteri. Kompjuterat me fuqi të lartë integrojn pjesët më të fundit dhe më të mira brenda tyre, dhe mund të përballojnë lojrat më të fundit, editime videosh dhe kështu me rradhë. Prisni të shpenzoni të paktën 800 euro në qoftë se jeni me fat, por kompjuterat me të vërtetë epik mund të kushtojë mijëra euro.
Mbani mend se vlerësimet e mësipërme nuk përfshijnë pajisjet periferike si: tastierë, mouse, monitor etj. Ata patjetër do e rrisin koston, por ajo për të cilën ne jemi të shqetësuar këtu, është vetë njësia e PC-së.
Pa marrë parasysh se si duket, çdo kompjuter ndan të njëjtin numër pjesësh. Më poshtë po ju sjellim një guidë të shpejtë të elementeve integrues dhe çfarë bëjnë ata.
Procesori (i njohur gjithashtu dhe si CPU) është “truri” i kompjuterit tuaj. Ky është çipi qëndror që në fakt merr përsipër detyrat. Sa më i madh dhe i fuqishëm të jetë, aq më shumë operacione për milisekond mund të bëj, duke sjellë kështu një performancë më të mirë. Prisni të shpenzoni më shumë para në këtë pjesë, se në çdo pjesë tjetër të PC-së, por mos e teproni. Nëse po ndërtoni një kompjuter me fuqi të ulët, nuk keni pse merrni CPU-në më të mirë dhe më të fundit. Modelet e vjetra funksionojn shumë mirë dhe kanë një çmim shumë më ulët.
Motherboard është themeli i PC-së tuaj. Është një qark i madh që lidh komponentet individual me njëri-tjetrin dhe luan gjithashtu rolin e bartësit të pajisjeve input/output. Inputet përfshijnë kabllot USB dhe HDMI, audio, dhe kështu me radhë. Sa më kompleks të jetë një bord, aq më e madhe është hapësira fizike dhe aq më e lartë është kostoja e tij.
RAM, ose Random Access Memory, bën një ndryshim të madh në performancën e kompjuterit tuaj. Ky është vendi ku sistemi ruan të dhënat të cilat i duhet t’i aksesojë shpejt. Nëse ju bëni shumë multitasking, do ju duhet të investoni në më shumë RAM. Fatmirësisht, RAM është mjaft i lirë dhe një nga gjërat më të lehta për t’u përmirësuar.
Një hard drive ose një drive solid-state (SSD) është njësi magazinimi për kompjuterin tuaj. Të gjitha programet dhe filet që ju do të përdorni do të mbahen këtu. Ka shumë opsione të ndryshme zgjedhjeje, duke filluar që nga madhësia, shpejtësia dhe kostoja. Ju gjithashtu mund të ju duhet dhe një drive optik (DVD ose Blu-ray), edhe pse shumë PC nuk i përfshijnë më këto.
Do ju duhet një furnizues energjie për të percjellë energjinë tek të gjithë ato pajisje të bukura. Por ju sugjerojmë që furnizuesin e energjisë ta blini të fundit, pasi të keni blerë të gjithë pjesët e tjera të kompjtuerit.
Së fundi, paketoni gjithçka brenda një kase, në mënyrë që ta mbroni nga mjedisi dhe t’i jepni një pamje sa më elegante.
Filloni punën
Pasi të keni blerë të gjitha pjesët e kompjuterit është pak e frikshme për t’i parë aty përpara jush, por procesi aktual i ndërtimit nuk është dhe aq intensiv. Këtu po ju sjellim një udhëzues të shpejtë sa i përket hapave thelbësore. Si gjithmonë, lexoni manualin e përdoruesi që vjen me komponentët tuaj për specifikat se si ta instaloni atë. Ju sugjeroj t’i lexoni këto instruksione deri në fund, dhe më pas kthehuni përsëri në fillim kur të jeni gati për të vazhduar.
Hapi i parë është që të instaloni motherboard-in tuaj. Motherboardi do të shërbejë si bazë për lidhjen e çdo komponenti tjetër të pajisjes tuaj. Hapni kasën tuaj, lini mënjanë çdo vidë që vjen me të, dhe vendosni mburojën I/O të motherboard-it tuaj në vendin e vet. Pastaj instaloni vidat, të cilat mbajnë bordin e ngritur, dhe më në fund vendosni vidat që e mbajnë atë në vend. Nëse motherboard-i nuk është i ngritur, mund të shkaktoj një mori problemesh të një lloji tjetër.
Së dyti, vendosni proçesorin. Kjo është ndoshta pjesa më e brishtë (dhe më e shtrenjtë!) e kompjuterit tuaj të ri, kështu që trajtojeni me kujdes. Ngrini levën e procesorit për ta hapur atë për instalim. Sigurohuni që të vendosni shigjetat e procesorit në mënyrë që të përputhen me shigjetat e motherboard-it tuaj, uleni levën, nëse mendoni se e keni vendosur proçesorin siç duhet. Procesori duhet të vijë edhe me një freskues, por para se të vendosni këtë të fundit, mos harroni të vendosni pastën termale mbi proçesor.
Hapi tjetër është RAM. RAM-i është një nga gjërat më të thjeshta për të instaluar në një motherboard. Vetëm hapni kapsat anësore, vendosni RAM-in brenda, dhe kaq. RAM-i ndonjëherë ka nevojë për pak forcë që të hyjë në folenë e tij. Video kartat, kartat e audios, janë pothuajse aq të lehtë për tu instaluar. Filloni me slotin e parë, hiqni pjatën që është në kasë dhe vendoseni më pas kartën në fole.
Është rradha e hard drive-rave dhe drive-rave solid-state. Kasa të ndryshme kanë sisteme të ndryshme të vendosjes së hard drive-rave, por në qoftë se ju jeni duke instaluar shumë hard drive, ju rekomandojmë të lini një hapësirë midis tyre, pra mos t’i vendosni ato mbi njëri-tjetrin. Kjo inkurajon një qarkullim sa më të mirë të ajrit brenda kompjuterit dhe ndihmon në ftohje. Nëse dëshironi të vendosni dhe një drive optik në kompjuterin tuaj, mënyra është pak a shumë e njëjtë.
Së fundi, vendosni furnizuesin e energjisë (power supply). Disa kasa vijnë me ta, por në qoftë se nuk vjen shihni për një vrimë të madhe në pjesën e prapme të kutisë. Nuk mund të mos e shihni. Mbasi ta vendosni sigurohuni që freskuesja (fan) të përballet me drejtimin e duhur, ndani të gjithë kordat e energjisë dhe vendosini ato në fushat e tyre përkatëse. Motherboard ka një kabëll 24-pin dhe një 4-pin, aty do të vini re dhe kabllot shtesë për disqet SATA dhe mundësisht edhe ato të kartës tuaj grafike, në varësi të modelit.
Ka ende kabllo të cilët duhen vendosur në vendet e tyre përkatëse, duke përmendur atë të USB-së, audios, etj si dhe kabllot e dedikuar, të butonit të energjisë (ndezjes) dhe dritave LED të kasës. Është e rëndësishme që të përpiqeni të mbani këto kabllo të organizuar, kështu që përdorni lidhës kabllosh kur do që të jetë e mundur.
Kur të mbaroni, vendosni monitorin në prizë dhe ndizeni. Në qoftë se gjithçka shkon mirë, ju do jeni në gjendje për të hyrë në BIOS-in e kompjuterit dhe për të kaluar tek hapk tjetër. Nëse kjo nuk funksionon, kontrolloni hapat tuaj përsëri, duke u siguruar çdo gjë është vendosur në mënyrë të sigurt në vendet e tyre përkatëse.
Vendosni sistemin e operimit
Të gjithë harduerët në botë nuk do ju duhen për asgjë pa softuerin e tyre. Startimi i këtij kompjuteri të ri për herë të parë do të ju jap vetëm BIOS, asgjë më tepër. Ju do keni nevojë për një sistem operimi për të ecur përpara.
Natyrisht, OS-i më popullor për kompjuterat e ndërtuar në shtëpi është Microsoft Windows, por nuk është se jeni i kufizuar vetëm me të. Ju mund të ndërtoni një kompjuter që punon me Linux apo edhe Mac OS, nëse jeni i dhënë pas Hackintosh. Çfarëdo që ju zgjidhni, sigurohuni që të keni një disk instalimi ose flash drive të liçensuar.
Nga ekrani BIOS, zgjidhni konfigurimin SATA dhe e vendosenii atë në AHCI. Më pas ndryshoni opsionin “boot order” duke vendosur të parin pajisjen me të cilën do instaloni sistemin operativ, mund të jetë nëpërmjet driverit tuaj optik ose portës USB . Ka një numër opsionesh të tjera në ekranin BIOS, por do fokusohemi vetëm tek ato baziket. Pasi drive të njihet, fikeni kompjuterin, fusni diskun e instalimit ose USb-në, dhe rindizeni përsëri.
Në qoftë se gjithçka shkon mirë, instaluesi duhet të ngarkohet automatikisht në fillimin. Ndiqni hapat, dhe përgatituni të prisni pak kohë që gjithçka të përfundojë. Pasi OS të jetë instaluar, do ju duhet të instaloni driverat përkatës për secilën pajisje. Mbas kësaj ekzekutoni dhe një përditësim të sistemit për të marrë versionin e fundit të sistemi tuaj.
Ndizeni
Shpresojm të keni mësuar diçka në lidhje me se si funksionojn gjërat brenda kësaj kutie magjike, në mënyrë që këtë dije ta vendosni në praktike kur laptopi i vjetër i hallës tuaj po vdes ose kushuriri juaj ka vendosur të ndërtojë një super kompjuter.