fbpx

Sistemi Operativ Unix: E Tashmja

Sistemet Unix më të përhapura në ditët e sotme

Prirjet drejt mikroprocesorëve x86 si dhe softuerit me kodburim të hapur vazhduan edhe në vitet 90 e 2000. Për pasojë, sistemet e mbyllur Unix të kompanive të mëdha si HP-UX i HP, Solaris i Sun (Oracle), apo AIX i IBM nisën të humbasin treg dhe popullaritet. Një arsye për këtë ishte fakti se kompanitë përkatëse vazhduan t’i zhvillojnë variantet e tyre Unix bazuar te mikroprocesorët e tyre si Alpha (shqipto: Alfa) i HP, Sparc (shqipto: spark) i Sun apo Power (shqipto: pauër) i IBM. Përparimi i mikroprocesorëve të familjes x86, prodhim i kompanive Intel dhe AMD i la pas ato arkitektura. Një tjetër faktor ishte dhe zhvillimi i sistemeve kompjuterike grumbull (cluster computer systems) të cilët janë bashkim i kompjuterave të vegjël për përpunime të mëdha. Sistemet kompjuterike grumbull mund ofronin të njëjtën fuqi llogaritëse me kompjuterat e mëdhenj (p.sh. të IMB-së) por ishin më të shkallëzueshëm. Zhillimi i teknologjive virtualizuese të cilat lehtësojnë shkallëzimin e infrastrukturës dhe ekonomizimin e saj ishte një faktor tjetër që i dha përparësi kompjuterave të vegjël dhe grupimit të tyre në njësi më të mëdha infrastrukture përllogaritëse. Në këto kushte, kompanitë filluan të blejnë kompjutera të vegjël me mikroprocesor x86 dhe sisteme operative Windows nga Microsoft apo edhe GNU/Linux (në këtë rast blihet vetëm mbështetja). Distribucionet (shkurt: distro) GNU/Linux ofroheshin falas për publikun e gjerë. Kompani të ndryshme nisën t’i zhvillojnë ato sisteme dhe të mbështesin teknikisht versionet profesionale të përshtatura për kompanitë. 

Ndërkohë që kerneli Linux vazhdonte të zhvillohej e të tërhiqte gjithnjë e më shumë mbështetës, kompani të ndryshme nisën ta bashkojnë me programet e GNU (emërtimi GNU/Linux) dhe me aplikime të tjera softuer, duke e kthyer në një sistem të plotë Unix të përdorshëm për qëllime të ndryshme dhe nga përdorues të ndryshëm. Një nga distribucionet e para GNU/Linux që është në përdorim edhe sot ishte Slackware (shqipto: Slekuer), i nisur si projekt nga Patrik Volkërding (Patrick Volkerding) në vitin 1992. Slackware u kthye në distron më popullore GNU/Linux të fillim viteve 90. Rënia e popullaritetit të tij erdhi si pasojë e ngritjes së Red Hat, një distro që është shumë popullore edhe sot. Sistemi Red Hat dhe kompania me të njëjtin emër lindën gjithashtu në fillim të viteve 90 me version të parë në vitin 1995. Kompania Red Hat nisi ta zhvillojë sistemin e saj duke e publikuar me licensë GPL dhe duke e shpërndarë kodin falas, por njëkohësisht duke e përshtatur sistemin për bizneset të cilëve nisi t’ju shesë mbështetjen teknike. Doli gjithashtu CentOS që është klon i Red Hat por që ofrohet pa mbështetje. Ndërkohë, për përdoruesit personalë/familjarë nxorri sistemin Fedora i cili tërhoqi një komunitet të madh përdoruesish. Red Hat zhvilloi gjithashtu formatin .rpm të paketave softuer dhe menaxhuesin RPM (RPM Package Manager – Menaxhuesi RPM i Paketave) i cili u huazua më vonë dhe nga shumë distro të tjera GNU/Linux. Debian ishte një tjetër distro GNU/Linux, që u themelua në vitin 1993 nga Jan Mardok (Ian Murdock). Versioni i parë i qëndrueshëm i Debian doli në vitin 1996. Ky sistem përshtati formatin .deb të paketave softuer dhe menaxhuesin dpkg të tyre. Debian tërhoqi pas vetes një komunitet të gjerë zhvilluesish të cilët filluan të punojnë vullnetarisht për zhvillimin, përmirësimin dhe zgjerimin e tij. Në vitet në vazhdim, sistemi Debian u kthye në pikë referimi për një numër të madh sistemesh të tjera GNU/Linux. 

Shumë distro GNU/Linux të bazuara te Red Hat apo Debian u përhapën gjithashtu në vitet 2000. Ubuntu është më i rëndësishmi dhe me popullaritetin më të madh edhe sot. Kjo distro u prezantuar në tetor të vitit 2004 nga Afrikano-jugori Mark Shatëlluorth (Mark Shuttleworth) me versionin e parë Ubuntu 4.10. Që nga ajo kohë, Ubuntu shfaqet me dy produkte çdo vit, një në prill të emërtuar Ubuntu vv.04 (vv për vitin dhe 04 për muajin prill) dhe tjetri në tetor me emërtim vv.10 (vv për vitin dhe 10 për muajin tetor). Sistemi Ubuntu bazohet te Debian dhe përdor formatin .deb dhe menaxhuesin dpkg të paketave. Suksesi dhe popullariteti i madh i distros Ubuntu lidhet me lehtësinë e përdorimit (madje në gjuhë të ndryshme) që kjo distro ofroi, duke integruar programet më të rëndësishme të Debian dhe duke ofruar lehtësi për përdorimin e tyre. Varianti bazë Ubuntu ofrohet me sistemin grafik Gnome i cili u zhvillua si pjesë e projektit GNU. Variante të ndryshme të Ubuntu ofrohen me sisteme grafike dhe veçori të tjera. Kubuntu është i ngjashëm me Ubuntu por ofrohet me sistemin grafik KDE. Edubuntu është konceptuar si një sistem i përshtatshëm për qëllime arsimore. Xubuntu është një variant i lehtë (me ngarkesë minimale për kompjuterin) që ofrohet me sistemin grafik XFCE. Varianti Lubuntu është një nga distrot më të lehta GNU/Linux, i ofruar me sistemin grafik LXDE, një nga më bazikët. Ubuntu Studio është një sistem me aplikime të grafike për redaktim imazhesh, videosh, etj. Përveç kësaj, nisi të zhvillohet dhe një distro Ubuntu e quajtur LTS (Long-Term Support – me Mbështetje të Gjatë) e cila del çdo dy vjet dhe mbështetet për pesë vite, duke qenë më e përshtatshme për sistemet informatike të bizneseve. Distro të tjera popullore të bazuara te Ubuntu (edhe më të lehta për përdorim) janë Linux Mint, Zorin OS, Elementary OS, etj.

Veç sistemeve GNU/Linux, përhapje të madhe midis varianteve Unix morën dhe sistemet *BSD si FreeBSD, NetBSD, OpenBSD, etj. Sistemet *BSD lindën në vitet 90 si variante me kodburim të hapur dhe të shpërndarë me licensë BSD. Më popullori prej tyre është FreeBSD që ka një komunitet të madh zhvilluesish dhe përdoruesish. FreeBSD është shumë i ngjashëm me sistemet GNU/Linux por dallon prej tyre në dy pika. Së pari, sistemet GNU/Linux paraqesin një dallim të qartë midis kernelit Linux që zhvillohet nga fondacioni Linux dhe mjeteve e aplikimeve softuer që zhvillohen nga palë të treta. Nga ana tjetër, FreeBSD zhvillohet dhe ofrohet i gjithi si një sistem i plotë që përfshin kernelin, mjetet dhe aplikimet. Së dyti, kodi i sistemeve GNU/Linux shpërndahet bazuar te licensa mbrojtëse GPL ndërsa kodi i sistemeve *BSD bazohet te licensa lejuese BSD. Sistemet *BSD shquhet për qëndrueshmëri dhe siguri të lartë. Për këtë arsye, po përdoren kryesisht si makina virtuale që ofrojnë shërbime Ueb. FreeBSD ofrohet si një sistem terminal te i cili mund të shtohen sisteme grafike të ndryshme si Gnome, XFCE etj. Një derivat i viteve të fundit është TrueOS që vjen me sistem grafik të përfshirë paraprakisht dhe është më i lehtë për përdorim. Tkurja e sistemeve Unix të patentuar dhe zgjerimi i përdorimit të sistemeve Unix me kodburim të hapur si GNU/Linux apo *BSD vazhdon edhe në ditës e sotme. Në larminë e madhe e sistemeve me tipare Unix (Unix-like systems) mund të dallohen tre kategori kryesore:

  1. Sistemet Unix gjenetikë. Në këtë kategori përfshihen sistemet Unix që kanë lidhje historike me bazën e kodit Unix të zhvilluar nga AT&T. Shumica e tyre janë sisteme biznesi të zhvilluara nga kompanitë e mëdha në vitet 80 dhe 90. Përfshihen gjithashtu sistemet *BSD të sotëm që edhe pse nuk kanë asnjë rresht kodi nga AT&T ndjekin projektimet e paraardhësve të tyre 
  2. Sistemet Unix të certifikuar. Në këtë kategori hyjnë sistemet që janë certifikuar nga “The Open Group” si të përputhshëm me SUS (Single UNIX Specification) dhe specifikimet POSIX. Për pasojë këta sisteme quhen UNIX, pra i përkasin markës UNIX. Shumica e tyre shiten për qëllime përfitimi dhe me kod të mbyllur i cili rrjedh kryesisht nga Unix System V i AT&T. Përjashtim kryesor është sistemi MacOS i cili përfaqëson një variant të BSD, por që është i certifikuar si UNIX.
  3. Sistemet funksionalisht Unix. Këtu përfshihen sistemet e ndryshme me tipare Unix që praktikisht (por jo zyrtarisht) funksionojnë në përputhje me specifikimet UNIX. Specifikisht, në këtë kategori hyjnë Minix dhe Linux që janë të projektuar dhe zhvilluar në përputhje me filozofinë e Unix, por që nuk përmbajnë bazë kodi Unix dhe nuk i përkasin markës UNIX, pra nuk janë certifikuar si të tillë nga “The Open Group”. Në vitin 2001, u bë një përpjekje për të certifikuar kernelin Linux si të përputhshëm me standarded POSIX për çmimin simbolik prej 1 dollari amerikan. Kjo përpjekje kishte si synim të sheshonte dallimet midis standardeve POSIX dhe specifikimeve LSB (Linux Standard Base – Baza e Standardeve Linux). Puna u ndërpre për shkak të mungesës së interesit nga grupi i punës së LSB-së. Pavarësisht mungesës së certifikimit/standardizimit, Denis Riçi që ishte një nga themeluesit kryesorë të Unix është shprehur se “sistemet e sotme me tipare Unix (duke ju referuar sistemeve GNU/Linux) janë de fakto sisteme Unix”.

Referenca

  1. https://en.wikipedia.org/wiki/History_of_Unix
  2. https://www.maketecheasier.com/history-of-linux-distros/
  3. http://www.unix.org/what_is_unix/history_timeline.html
  4. https://en.wikipedia.org/wiki/Unix-like