Sistemi Operativ Unix: Mozaiku i Viteve 80

Kohështrirja e varianteve kryesore të sistemit Unix

Në vitet 80 nisën përpjekjet e kompanive kryesore kompjuterike të asaj kohe për të krijuar sisteme Unix në pronësi të tyre dhe për qëllime tregëtare. Një ngjarje madhore e kësaj periudhe ishte shpërbërja e sektorit të telefonisë në pronësi të AT&T-së me ligjin e posaçëm antitrust të miratuar nga kongresi amerikan. Kjo ngjarje e nxiti së tepërmi AT&T-në që ta kthente sistemin Unix në një produkt për qëllime përfitimi, pra të patentonte kodin. Për më tepër, vëmendja e AT&T-së u përqëndrua te zhvillimi i linjës tregëtare dhe të mbyllur të sistemit, duke lënë pas dore linjën kërkimore me kod burimor të hapur (i fundit i kësaj linje deri në këtë kohë ishte Unix 7). Pas Xenix dhe C8002 ishte rradha e vetë AT&T-së të krijonte një Unix të sajin tregëtar. Në vitin 1982 lindi pra Unix System III i cili bazohej kryesisht te kodi i Unix 7. Për më tepër, që të mbështeste sa më mirë kompanitë që do përdornin sistemet e saj, AT&T-ja krijoi dhe grupin e mbështetjes për Unix (Unix Support Group). Për të sheshuar dallimet midis sistemeve Unix të përdorur së brendshmi, AT&T-ja i kombinoi në një sistem më të madh të quajtur Unix System V i cili u prezantua në vitin 1983. Te ky sistem u shtuan disa programe të cilët ishin prezantuar fillimisht te BSD si redaktori i tekstit vi. Unix System V ishte baza e shumë varianteve të tjerë Unix që u zhvilluar në vitet 80 nga kompantë e tjera kompjuterike. Ndërkohë, në Berkli vazhdonte puna për përmirësimin e sistemit BSD me versionin e fundit që ishte 4BSD.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme e kësaj periudhe ishte themelimi i kompanisë Sun Microsystesms (shqipto: San Majkrosistems) nga Bill Xhoi (Bill Joy, 1954 –), një ish student i universitet Berkli që kishte dhënë shumë ndihmesë në zhvillimin e sistemit BSD. Pak kohë më vonë, kompania Sun nxorri variantin SunOS të Unix i cili bazohej së tepërmi te sistemi 4BSD dhe ishte i projektuar të punonte me mikroprocesorë të familjes Motorola 68000 (për më shumë rreth këtyre mikroprocesorëve kalo këtu). Një tjetër variant i kësaj kohe ishte Ultrix-32 i kompanisë DEC (Digital Equipment Corporation) i cili bazohej kryesisht te 4BSD (pjesërisht edhe te System V) dhe përdorej në makinat me arkitekturë VAX. Varianti që po merrte suksesin më të madh tregëtar (të paktën deri në këto vite) ishte Xenix që në 1983 kaloi nga Microsoft në pronësi të SCO (Santa Cruz Operations) dhe punonte me mikroprocesorët Intel 8086. Prirja drejt produkteve Unix për qëllime tregëtare dhe të mbyllur ndaj publikut dhe studiuesve krijoi një lëvizje të rëndësishme. Riçard Stollman (Richard Stallman, 1953 –) ishte nismëtari kryesor i saj dhe qëllimi ishte të mbështetej zhvillimi i sistemeve dhe softuerit të lirë dhe me kod burimor të hapur që sot njihet si FOSS (Free and Open Source Software). Si kundërvënie ndaj varianteve të mbyllura dhe tregëtare të Unix-it që po përhapeshin në masë, kjo lëvizje nisi projektin GNU (GNU’s Not Unix – GNU Nuk është Unix) që synonte zhvillimi e një varianti Unix plotësisht të hapur dhe të lirë. Në vitin 1985, Stollman shkroi dhe publikoi manifestin e GNU-së me të cilin i bënte thirrje programuesve të apasionuar që të mbështesnin zhvillimin e sistemit GNU. U krijua gjithashtu organizata jofitimprurëse FSF (Free Softuer Foundation – Fondacioni për Softuer të Lirë) e cila synonte të mblidhte fonde për zhvillimin e softuerit të lirë në kuadrin e projektit GNU e më gjerë.

Libri i parë i rëndësishëm mbi sistemin dhe në përgjithësi mjedisin Unix konsiderohet “Mjedisi Unix i Programimit” (origjinali: “The Unix Programming Environment”) me autorë Brajan Kerningan (Brian Kernighan, 1942 –) dhe Rob Pajk (Rob Pike, 1956 –) i botuar në vitin 1984. Libri përshkruan filozofinë e Unix-it të bazuar te modulariteti dhe bashkëveprimi i programeve. Një tjetër zhvillim ishte dhe dalja e Unix 8 i cili ishte vazhdim i punës së AT&T-së në linjën e sistemeve kërkimorë. Ecuri më e shpejtë në drejtimin kërkimor po ndodhte në universitetin Berkli t;; Kalifornis;; ku u arrit të përfshihej potokolli TCP/IP i komunikimit në rrjet te sistemi 4.2BSD. Ky ishte një zhvillim i madh për kohën dhe hapi i parë drejt Internetit, rrjetit që do të nd;;rlidhte të gjithë rrjetet kompjuterike në botë. Në fakt kodi i TCP/IP-së i përfshirë te 4.2BSD ishte paraardhësi i zbatimeve të TCP/IP-së në shumë sisteme të tjera të mëvonshme Unix, e madje edhe te sistemi operativ Windows i Microsoft-it.

Ndërkohë, prodhuesit e mëdhenj të kompjuterave në Amerikë vazhduan të zhvillojnë variantet e tyre Unix të mbyllura dhe për qëlime tregëtare. AT&T-ja hodhi në treg versionin e dytë të System V (SVR2). Kompania HP nxorri varianting HP-UX për linjën e kompjuterave HP 9000 të cilët përdornin mikroprocesorë Motorola 68000. HP-UX bazohej më së shumti te System V dhe pjesërisht te System III. Po te System V u bazua dhe IRIX (shqipto: airiks), një tjetër variant tregëtar nga kompania SGI. Kompanitë AT&T dhe Sun bashkuan forcat dhe zhvilluan versionin e tretë së System V (SVR3) i cili përfshinte programe nga variante të ndryshme Unix. Në të njëjtën kohë doli dhe versioni 4.3BSD nga Berkli. IBM reagoi duke nisur punën për variantin e saj Unix të quajtur AIX (Advanced Interactive eXecutive) bazuar te SVR3 dhe 4.3BSD. Dy vjet më vonë AT&T dhe Sun nxorrën versionin e katërt të System V (SVR4) i cili unifikonte kodet e System V, BSD dhe Xenix duke shtuar karakteristika si kyçja e skedave, sistemi në distancë i skedave, etj. Në linjën e sistemeve kërkimore, puna e AT&T-së ishte më e ngadaltë. Unix 9 doli në vitin 1986 ndërsa Unix 10 në vitin 1989.

Aleanca e AT&T-së dhe Sun-it nuk u pa mirë nga prodhuesit e tjerë të mëdhenj (DEC, HP, IBM, etj.) të cilët reaguan duke formuar një organizatë të quajtur OSF (Open Software Foundation). Qëllimi i OSF-së ishte të krijonte një standard të hapur për implementimin e varianteve të sistemit Unix. Kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, duke patur parasysh rritjen e numrit të varianteve Unix dhe vështirësimin e mbartjes së kodit të programeve midis tyre. E së njëjtës natyrë dhe për të njëjtin objektiv ishte dhe lëvizja e një grupi të prodhuesve të Europës (Siemens, Olivetti, Philips, Ericsson, etj.) të cilët formuan kompaninë X/Open e konceptuar si një “federatë” e industrisë kompjuterike. Dokumenti i publikuar nga X/Open ishte XPG (X/Open Portability Guide) që përfshinte specifikime të ndryshme teknike për garantimin e mbartshmërisë së softuerëve. Ndërkohë, IEEE (Institute of Electrical and Electronics Engineers – Instituti i Inxhinierëve Elektrikë dhe Elektronik) nisi të publikojë një bashkësi standardesh teknike të quajtur POSIX (Portable Operating System Interface for Unix) që shërbenin pikërisht për ruajtjen e përputhshmërisë midis varianteve të shumta Unix që po përhapeshin. Versioni i parë ishte POSIX.1 i publikuar në vitin 1988. Varianti i tretë i XPG (XPG3) i publikuar në të njëjtin vit përputhej thuajse plotësisht me specifikimet POSIX.

Referenca

  1. https://en.wikipedia.org/wiki/History_of_Unix
  2. https://en.wikipedia.org/wiki/Berkeley_Software_Distribution
  3. http://www.unix.org/what_is_unix/history_timeline.html
  4. https://en.wikipedia.org/wiki/Research_Unix