Sistemi Operativ Unix: Vitet 70

Pasi u bë i njohur për publikun në fillim të viteve 70, sistemi operativ Unix vazhdoi të zhvillohej në mënyrë ciklike nga inxhinierët e AT&T-së. Në vitin 1975 u prezantua Unix 6 i cili u bë mjaft i njohur edhe përtej laboratorëve Bell. Rëndësi të madhe historike pati përhapja Unix 6 në universitetin Berkli të Kalifornisë. Në vitin 1974, Prof. Bob Fabri nga ky universitet, pasi ndoqi prezantimin e Unix-it nga Tomson dhe Riçi në simpoziumin e parimeve të sistemeve operative kërkoi një kopje të sistemit për qëllime studimore. Përveç kësaj, Tomson kërkoi një vit leje për ta kaluar si profesor i ftuar në universitetin Berkli ku dhe çoi versionin 6 (më i fundit në atë kohë) të Unix-it i cili u instalua në një kompjuter PDP-11/70. Ai gjithashtu dha ndihmesë për krijimin e kompilatorit të gjuhës Paskal. Një grup hulumtuesish të universitetit Berkli u angazhuan duke krijuar variantin e Unix të quajtur BSD (Berkley Software Distribution), i njohur ndryshe si “Berkley Unix” ose “Unix-i i Berklit”. Kjo nismë u nxit edhe më shumë pas përfitimit të një kontrate nga DARPA (Defense Advanced Research Project Agency – Agjencia e Projektit mbi Kërkimet e Avancuara në Mbrojtje) që synonte shtimin në BSD të disa veçorive të kërkuara prej saj. Variante të ndryshme të Unix filluan të shpërndaheshin dhe nga vetë AT&T-ja. Ndër variantet më të hershme njihen PWB/UNIX i projektuar për të plotësuar kërkesat e programuesve, CB Unix për punë më efektive me bazat e të dhënave, si dhe IS/1 që njihet si sistemi i parë Unix për qëllime tregëtare dhe që u shpërnda në masë nga kompania ISC (Interactive System Corporation).
Në fillim të vitit 1979, AT&T-ja prezantoi sistemin Unix 7 i cili ishte një zhvillim i madh për kohën për disa arsye. Së pari, ishte i shkruar thuajse i gjithi në gjuhën C dhe kodi mund të mbartej e përdorej përtej kompjuterave PDP. Në fakt, pikërisht në këtë kohë u paraqit dhe sistemi UNIX/32V i cili ishte Unix 7 për përdorim në kompjuterat VAX. Për më tepër, vetë kompania DEC zhvilloi dhe një variant të quajtur V7M në përputhje me nevojat e saj. Së dyti, u shtua interpretuesi “Born” i komandave (Bourne shell), një nga më të avancuarit dhë më të përdorurit për dhjetra vite. Së treti, u shtuan shumë mjete softuer ndër të cilat më thelbësorë ishin kompilaroi i mbartshëm i gjuhës C i quajtur pcc (për më shumë rreth gjuhës C kalo këtu), veglat e programimit lex, lint e make, si dhe shumë komanda të reja me funksione nga më të ndryshmet si tar (për arkivim të të dhënave), awk (për përpunime të tekstit), etj. Teknikisht struktura e Unix 7 mund të konceptohet si një bashkësi unazash (figura më sipër) që paraqesin nivele të ndyshme abstraksioni. Kerneli ndërvepronte me harduerin nëpërmjet thirrjeve sistem (Unix 7 përmbante 50 të tilla) dhe ofronte shërbime për modulet e jashtme dhe aplikimet e përdoruesit. Thjeshtësia dhe eleganca e Unix 7 bëri që shumë nga përdoruesit e hershëm të tij ta konsiderojnë si “Unix-i i fundit i vërtetë”. Unix 7 është quajtur gjithashtu “Unix-i i fundit kërkimor”, meqë shumica e varianteve të mëvonshëm u përdorën për qëllime të mirfillta tregëtare. Në themel të simpatisë dhe suksesit të Unix-it e varianteve të tij të mëvonshëm qëndronte filozofia kryesore mbi të cilën ky sistem bazohej që ishte ideja se fuqia e sistemit vjen më shumë nga lidhja dhe bashkëpunimi i programeve të tij me njëri-tjetrin se sa nga vetë programet (për më shumë rreth origjinës së sistemit Unix kalo këtu).
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm në fundin e viteve 70 ishte përshtatja e sistemit Unix për mikroprocesorë dhe mikrokompjutera (kompjuterat e sotëm personal). Sistemi Unix i përshtatur për mikroprocesorët LSI-11 doli në vitin 1978. Në të njëjtën kohë, varianti Unix për mikroprocesorët Intel 8086 ishte në zhvillim e sipër. Mikrokompjuteri i parë që përdori sistemin Unix ishte modeli Idris i cili pati jetë të shkurtër (1979 – 1988). Zhvillime interesante ndodhën paralelisht në kampin BSD. Versioni i parë i quajtur 1BSD doli në mars të vitit 1978. Ky sistem bazohej te Unix 6 dhe shtonte disa komponentë. Më interesant ishin programet shtesë që u publikuan së bashku me versionin 2BSD në maj të vitit pasues. Është fjala për redaktorin e tekstit vi dhe interpretuesin C të komandave (C shell), programe që përdoren edhe sot e kësaj dite në shumë variante të Unix-it. Versioni 3BSD doli në fund të vitit 1979 dhe u përshtat për arkitekturat VAX. Për këtë arsye 3BSD quhej ndryshe VAX/UNIX ose VMUNIX. Të gjitha këto zhvillime bërën që sistemi Unix të njihej dhe përdorej në shumicën e universiteteve amerikane. Studentët e informatikës ishin jo vetëm përdoruesit kryesorë, por edhe ata që filluan të shtonin më shumë rreshta kodi, veçanërisht te variantet BSD të zhvilluara në Berkli, Kaliforni. Të gjithë këta të rinj e të reja entuziaste dëshironin të përdornin sisteme Unix edhe pasi diplomoheshin dhe fillonin të punonin në kompani të ndryshme. Krijimi i varianteve fitimprurëse të Unix-it në pronësi të kompanive ishte diçka e pashmangshme.
Zhvillim dhe përhapje të madhe po mernin ndërkohë mikrokompjuterat me mikroprocesorë të vegjël të prodhuar nga kompanitë Intel dhe Zilog. Kompania Onyx Systems (shqipto: Oniks Sistems) nxorri variantin C8002 i cili bazohej te Unix 7 dhe përdorte mikroprocesorin Zilog Z8000. Microsoft (shqipto: Majkrosoft) deklaroi zhvillimin e sistemit Xenix (shqipto: Kseniks) që do të përdorej në arkitekturën Intel 8086. Xenix u konsiderua si një “mjedis operativ universal” dhe synonte të përhapej në tregun e kompjuterave personal. Ndryshe nga kompanitë e tjera, Microsoft ndoqi një politikë të veçantë të shitjes së kodit të sistemit. Në vend që ta shiste sistemin Xenix te përdoruesit, shpërndau licensa të tij te prodhuesit e mëdhenj të kompjuterave si IBM (International Business Machines) dhe Intel. Kjo strategji do të rezultonte më vonë shumë e suksesshme nga ana tregëtare me sistemet MS-DOS (Microsoft Disk Operating System) dhe Windows (shqipto: Uindous).