Sistemi Operativ Unix: Vitet 90 dhe FOSS

Simbolet e GNU-së dhe Linux-it

Variantet e shumta Unix të kompanive të mëdha kompjuterike në fund të viteve 80 bazoheshin kryesisht te System V i AT&T. Këto sisteme përdoreshin në kompjutera të mëdhenj dhe ishin të mbyllur, pra tërësisht në pronësi të kompanive si AT&T, HP, IBM, etj. Në fillim të viteve 90 ndodhën gradualisht dy ndryshime të rëndësishme. Së pari, tregu i kompjuterave personalë po zgjerohej së tepërmi. Kjo erdhi për shkak të përparimit teknologjik që çoi në uljen e çmimeve si dhe zvogëlimin e përmasave të pjesëve kompjuterike. Mikroprocesorët 32-bitësh të familjes x86 (80386, 80486, e më tej Pentium) prodhim i kompanisë Intel po korrnin sukses shumë të madh në treg. E njëjta gjë po ndodhte me sistemet operative MS-DOS dhe Windows (shqipto: Uindous) të kompanisë Microsoft të cilët ishin përshtatur pikërisht për mikroprocesorët x86 dhe kompjuterat personal. Së dyti, mbyllja e kodit të varianteve Unix kishte krijuar pakënaqësi te komunitetet e programuesve entuziastë të cilët kërkonin që kodi i softuerit të ishte publik për t’u sudjuar, analizuar dhe zhvilluar më tej prej tyre. Një pjesë e mirë e zhvilluesve të tillë i ishin bashkuar projektit GNU të nisur nga Stollman. Ky projekt kishte patur ndërkohë një ecuri të mirë dhe ishin rishkruar kodet e shumë aplikimeve të ofruar në sistemet e mbyllura Unix. Kodet e këtyre aplikimeve nisën të publikohen me specifikimet e licencës GPL (GNU General Public License) e cila gjithashtu u krijua nga Stollman. Licensa GPL është e tipit “copyleft”(shqipto: kopileft), pra i lejohet përdoruesit e drejta e kopjimit, studimit, modifikimit dhe shpërndarjes së kodit. Përveç kësaj, GPL specifikon qartë mohimin e të drejtës që personat apo kompanitë ta rishpërndajnë kodin GPL (p.sh pasi e zgjerojnë) nën një licensë tjetër më kufizuese se GPL, çka mbron kodin publik nga përdorimi i tij për qëllime përfitimi. Versioni i parë i GPL u publikua në vitin 1989 dhe që nga ajo kohë, GPL është përdorur si licensa themelore e softuerit FOSS (Free and Open Source Software – Softuer i Lirë dhe me Kodburim të Hapur)

E ngjashme me licensën GPL ishte dhe licensa BSD e universitetit Berkli, Kaliforni e cila ishte përdorur për shpërndarjen e kodit të sistemeve BSD. Varianti bazë i licensës BSD (ngjihet ndryshe si licensa BSD me 4 pika) lejonte studimin, modifikimin dhe shpërndarjen e lirë të kodit, njësoj si licensa GPL. Dallimi kryesor midis tyre qëndron në faktin se BSD nuk impononte që produktet derivate të publikoheshin me të njëjtat kushte, pra lejonte që kompanitë të mund të nxirrnin nënprodukte softuer të mbyllura. Përveç programeve të GNU dhe sistemeve BSD, të gjithë softuerët e tjerë të fund viteve 80 ishin të publikuar me licensa pronësore të prodhuesve përkatës. Në vitin 1991, laboratorët e sistemve Unix u shndëruan në një kompani të mirfilltë e cila zotërohej nga AT&T dhe hodhën në treg linjën e produkteve UnixWare (shqipto: juniksuer). Risi tjetër e kësaj periudhe ishte dhe zhvillimi i sistemit Solaris nga kompania Sun. Ndryshe nga sistemi SunOS (gjithashtu i Sun, por i ndërprerë) që bazohej te varianti BSD, Solaris mbështetej kryesisht te Unix System V dhe ishte i mbyllur. Ndërkohë prodhuesit e tjerë vazhduan të nxjerrin versione të reja të varianteve të tyre si HP-UX, AIX, Ultrix, IRIX, etj. Gjithësesi, asnjë prej tyre (madje as variantet e ndryshme BSD) nuk ishte i përputhshëm me mikroprocesorët e familjes x86 të Intel të cilët po përdoreshin masivisht nga produktet e Microsoft. GNU e kishte si qëllim përshtatjen e sistemit të saj edhe për kompjuterat personal. Nga ana teknike, të gjithë aplikimet e GNU funksiononin shkëlqyeshëm, në përputhje të plotë me parimin e modularitetit dhe filozovinë e Unix, megjithëse nuk përmbanin asnjë rresht kodi origjinal të Unix. Fatkeqësisht, puna për zhvillimin e kernelit Hurd (shqipto: Hërd) ishte e ngadaltë dhe rezultatet e pritura nuk ishin arritur. Pa këtë kernel projekti GNU nuk ishte i suksesshëm sepse të gjitha aplikimet e zhvilluara nuk mund të integroheshin në një sistem operativ të plotë dhe të përdorshëm.

Mungesa e një varianti Unix të përputhshëm me mikroprocesorët x86 dhe me licensë të hapur (GPL ose BSD) u kthye në motivim për një student Finlandez të quajtur Linus Torvalds që të zhvillonte vetë një sistem të tillë. Linus fillimisht kërkoi të zgjeronte sistemin MINIX, një sistem Unix minimal i zhvilluar nga Tanenbaum, një profesor Hollandez i informatikës. MINIX ishte zhvilluar nga Tanenbaum në vitin 1987 dhe funksiononte si një sistem Unix i mirfilltë i bazuar te varianti kërkimor Unix 7, por me mbështetje minimale për pajisjet harduer. Refuzimi i lejes nga Tanenbaum për zgjerimin e MINIX e detyroi Linusin që ta shkruante sistemin e tij nga e para në përputhje të plotë me strukturën e MINIX dhe tiparet e Unix 7. Linus e quajti kernelin e tij Linux, duke bashkuar emrin e tij me atë të MINIX ose Unix dhe e publikoi në forumet e programuesve në internet në vitin 1991. Më i rëndësishëm është fakti që Linux u shpërnda me licensën GPL. Në vitin 1991 Linux ishte pra sistemi i vetëm operativ (në fakt vetëm kerneli) me tipare Unix i përputhshëm me mikroprocesorët x86 dhe i shpërndrë sipas një license të hapur. Këto cilësi ishin thelbësore në suksesin e jashtëzakonshëm që Linux do të merrte në vitet në vazhdim. Të nxitur nga suksesi i mikroprocesorëve x86, zhvilluesit në Berkli përshtatën sistemin BSD duke nxjerrë variantin 386BSD të përdorshëm me mikroprocesorë 80386. 386BSD u bë baza e varianteve të tjera BSD si FreeBSD, NetBSD, OpenBSD apo DragonFly BSD. Në vitin 1993 u publikua sistemi 4.4BSD i cili ishte i fundit nga Berkli. Pas tij u mbështetën vetëm sistemet derivate FreeBSD, NetBSD, OpenBSD, etj.

Ndërkohë, në kampin e sistemeve Unix të patentuar ndodhën ndryshime të shumta pronësie. Në vitin 1993 laboratorët e sistemve Unix u shitën nga AT&T te kompania Novell. Në këtë moment, roli shumëvjeçar i kompanisë AT&T në botën e Unix mori fund. Sistemi më i fundit kërkimor nga AT&T ishte Unix 10 i publikuar në vitin 1989. Edhe puna për Plan 9 i cili ishte një sistem Unix i shpërndarë u ndërpre nga AT&T në vitin 1996. Vetë Novell pak me vonë e shiti biznesin e UnixWare te kompania SCO (Santa Cruz Operations) dhe ja transferoi të drejtat e markës UNIX organizatës standardizuese X/Open. Kjo e fundit publikoi SUS (Single Unix Specifications), një bashkësi standardesh që bërën të mundur ndarjen e markës UNIX nga linjat e zhvillimit të kompanive të ndryshme të asaj kohe. Në vitin 1996, X/Open u bashkua me organizatën tjetër OSF (Open Software Foundation) duke krijuar organizatën “The Open Group” e cila është që prej asaj kohe zotëruesja e markës UNIX dhe autoriteti i certifikimieve UNIX sipas specifikimeve SUS. Variantet Unix të kompanive të tjera si IBM, HP, Sun (sot Oracle), etj. ndjekin specifikimet teknike të përcaktuara nga “The Open Group” dhe marrin certifikatën UNIX për sistemet e tyre (AIX, HP-UX, Solaris, etj.) kundrejt një pagese.

Me zgjerimin e mëtejshëm të tregut të kompjuterave personalë me mikrporocesorë Intel x86, vëmendja u përqëndrua gjithnjë e më shumë te sistemt Unix të projektuar pikërisht për familjen x86. Dy kandidatët kryesorë ishin kerneli Linux dhe sistemet BSD. Komunitetet e zhvilluesve preferuan kernelin Linux i cili ishte i licensuar me licensë GPL në vend të sistemeve BSD. Kodi i sistemeve BSD kopjohej shpesh nga kompanitë (kjo lejohet nga licensa BSD) dhe përdorej prej tyre për qëllime përfitimi. Kjo binte ndesh me frymën e lirisë dhe shpërndarjes së kodit falas nëpër forumet në internet, pa qëllime përfitimi, pra me lëvizjen për FOSS. Një tjetër arsye (ndoshta kryesorja) ishte një padi e ngritur nga laboratorët e sistemeve Bell (më vonë nga kompania Novell) kundër grupit të zhvillimit në Berkli, me pretendimin se sistemi 386BSD përmbante kod të patentuar nga AT&T. Gjyqi zgjati disa vite dhe e ngadalësoi zhvillimin e sistemve BSD, përfshirë këtu edhe të sistemeve derivate FreeBSD, NetBSD, etj. Përveç kësaj u vu në dyshim reputacioni i licensës BSD. Kerneli Linux që nuk pati probleme të tilla tërhoqi pas vetes shumë mbështetës dhe zhvillues. Përveç kësaj, disa kompani nisën të bashkojnë kernelin Linux me programet dhe mjetet e zhvilluara nga projekti GNU duke krijuar një sistem të plotë GNU/Linux, i gjithi i publikuar me licensë GPL. Ëndërra e vjetër e Stollman për një sistem operativ Unix të plotë, të hapur dhe të lirë u bë realitet, edhe pse kerneli Hurd vazhdonte të mos ishte funksional. Që nga kjo kohë, variante të ndryshme GNU/Linux të quajtura distribucione (shkurt: distro) nisën të përhapen me shpejtësi dhe të bëhen edhe më popullore se sistemet *BSD (FreeBSD, NetBSD, OpenBSD). Suksesi i sistemeve GNU/Linux krijoi edhe më shumë besim te modeli i zhvillimit të softuerit me kodburim të hapur si dhe nxiti nisma për zhvillimin e aplikimeve të tjera FOSS në vitet në vazhdim.

Referenca

  1. https://en.wikipedia.org/wiki/History_of_Unix
  2. https://en.wikipedia.org/wiki/Berkeley_Software_Distribution
  3. http://www.unix.org/what_is_unix/history_timeline.html
  4. https://en.wikipedia.org/wiki/Research_Unix

Posting....