Terma dhe koncepte nga inteligjenca artificiale

Përparimi i teknologjisë së informacionti gjatë tri dekadave të fundit kanë qenë tepër i vrullshëm. Inteligjenca artificiale është veçanërisht një nga drejtimet që po përparon me ritme shumë të shpejta. Zhvillimi i kësaj disipline po sjell sisteme bashkëbisedimi, si ChatGPT, që komunikojnë me ne sikur të ishin njerëz dhe që japin përgjigje apo zgjidhje po aq të sakta e të vlefshme, sa edhe ekspertët e radiologjisë, financës, sigurisë kibernetike etj. Për fat të keq, një mori fjalësh e shprehjesh nga inteligjenca artificiale po hyjnë nga gjuha angleze pa përshtatjen e duhur dhe po shfaqen si në gjuhën e folur, ashtu edhe në botime. Përkthyesit dhe hartuesit e teksteve hasin vështirësi në punën e tyre përkthyese, dhe të njëjtat vështirësi i hasin edhe mësuesit, pedagogët e studentët gjatë shkrimit të detyrave, raporteve, punimeve të diplomave etj.

Këtë nëntor vjen për lexuesit shqipfolës një botim i ri i titulluar “Terma dhe koncepte nga inteligjenca artificiale”, me autorë studiuesin Erion Çano dhe përkthyesin e mirënjohur Edmond Tupja, bashkëautorë të botimeve të ngjashme në të shkuarën. Ky libër ka si qëllim lehtësimin e vështirësive të sipërpëmendura, të cilat lidhen me terminologjinë e inteligjencës artificiale në gjuhën shqipe. Kushdo që ka interes për këtë libër mund të vizitojë panairin e librit në Tiranë në datat 15 – 19 nëntor, ku mund ta gjejë me ulje çmimi te stenda e shtëpisë botuese “Albas”.

Në këtë libër jepen të shqipëruar 400 zëra nga inteligjenca artificiale, ndër të cilët 107 fjalë, 102 shkurtesa dhe 191 shprehje, shoqëruar me shpjegime dhe shembuj të përdorimit. Veç vlerave gjuhësore që lidhen me shqipërimet e fjalëve, shkurtesave dhe shprehjeve, jemi përpjekur të ofrojmë edhe njohuri të fushës, që lidhen me historikun e zhvillimeve të saj dhe me kategoritë e teknikave të mësimit automatik të bazuar te të dhënat. Te kreu i fundit lexuesit do të gjejnë edhe disa fragmente kodi, që i zbatojnë disa prej teknikave në gjuhën Python për parashikime të çmimeve, diagnoza të kancerit të gjirit etj.