Terminologji Informatike: Drejtshkrimi i Komandave
Në punën me sistemet informatike ndeshen shpesh komanda që i mundësojnë përdoruesit të kryejë veprime nëpërmjet shtypjes apo aktivizimit të tyre. Fjalët përkatëse për veprimet janë folje të cilat përfaqësojnë urdhra, që përdoruesi ia jep sistemit për të kryer veprimin e dëshiruar. Këto folje hasen në forma të ndryshme, por, duke qenë urdhra, gjykojmë që duhen shkruar në mënyrën urdhërore, numri njëjës. Duhet shmangur, pra, të shkruarit e tyre si emra apo si folje në kohën e tashme të mënyrës dëftore. Këto çështje drejtshkrimore janë edhe më serioze se çështjet e natyrës stilistike të trajtuara te ky shkrim. Në seksionet më poshtë jepen disa shembuj tipikë, duke vënë në dukje variantin e saktë që paraqitet me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe variante të ndryshme të gabuara të cilat paraqiten midis simboleve * (yllth).
Veprime të përgjithshme
Një pjesë e madhe e veprimeve dhe e komandave që përdoruesi kryen duke ndërvepruar me sistemet informatike janë të përgjithshme. Ato paraqiten me të njëjtat emërtime në sisteme nga më të ndryshmet, si në kompjuterat e zakonshëm edhe në mjedise specifike të përpunimit të informacionit. Te kjo kategori përfshihen folje si:
autofilter që gjendet si komandë dhe veprim në disa programe të analizës së të dhënave dhe përdoret për të përzgjedhur një pjesë të rreshtave sipas ndonjë kriteri të caktuar. Në rastet kur paraqet komandën në ndërfaqen grafike të atyre programeve, kjo fjalë duhet shkruar vetëfiltro dhe jo *vetëfiltroj* apo *vetëfiltrim*.
close që përdoret thuajse në çdo program kompjuterik apo në sisteme të tjera kontrolli e komandimi për të mbyllur një dritare grafike ose ndonjë element tjetër. Duke qenë komandë, kjo fjalë duhet përkthyer mbyll dhe jo *mbyllje*.
copy që është me shumë gjasë komanda me përdorim më të shpeshtë në çdo pajisje, sistem apo program kompjuterik. Edhe kjo folje duhet shkruar në mënyrën urdhërore, pra kopjo dhe jo *kopjoj*, *kopjim* etj.
cut që është gjithashtu komandë me përdorim shumë të shpeshtë e cila pret një pjesë teksti nga një dokument, një skedar apo grup skedarësh nga një direktori apo në përgjithësi një njësi nga një strukturë mbajtëse, për ta vendosur më pas diku tjetër. Kjo fjalë duhet përkthyer pre dhe jo *pres*, *prerje* etj.
delete që është jo vetëm komandë mjaft e përdorur, por edhe një tast në tastierë. Përdoret për të fshirë një pjesë teksti apo ndonjë objekt të përzgjedhur. Kur përfaqëson komandën e një sistemi, kjo fjalë duhet përkthyer fshi, shuaj dhe jo *fshij*, *fshirje*, *shuarje*.
edit që gjendet gjithashtu në çdo program grafik, i mundëson përdoruesit të kryejë redaktime të dokumenteve, imazheve, videove apo njësive të ndryshme të informacionit. Kjo folje ndeshet shpesh e papërkthyer, pra në formën *editoj* ose *editim*. Përkthimi i saktë në kontekstet ku paraqitet si komandë duhet shkruar në mënyrën urdhërore, pra redakto dhe jo *redaktoj* apo *redaktim*.
filter që është gjithashtu komandë e zakonshme në programet që punojnë me rreshta të dhënash. Me anë të saj, përdoruesit kanë mundësi të filtrojnë disa rreshta me të dhëna që plotësojnë një apo disa kushte. Përkthimi i saj kur shfaqet si komandë duhet të shkruhet filtro dhe jo *filtroj* apo *filtrim*.
hide është komandë që ndeshet në shumë programe grafike dhe i jep mundësi përdoruesit të fshehë nga dritarja elemente të ndryshme sipas dëshirës. Përkthimi i duhur i saj si komandë e disponueshme në programet grafike duhet të jetë fshih dhe jo *fsheh* apo *fshehje*.
open që është gjithashtu një komandë shumë e zakonshme në programet që punojnë me skedarët dhe në shumicën e rasteve shërben për të hapur një skedar. Përkthimi i saj në rastet kur shfaqet si komandë duhet të jetë hap, jo *hapje*.
paste që është komanda e ngjitjes së një pjese, skedari apo njësie tjetër informacioni, e cila më parë është kopjuar me komandën “copy” (kopjo) apo është prerë me komandën “cut” (pre). Përkthimi i saktë i saj është ngjit dhe jo *ngjitje*.
preview që shfaqet si komandë e lidhur me komandën e shtypjes për t’i treguar përdoruesit një pamje paraprake të dokumentit siç do të dalë në shtyp. Në këtë kontekst, kjo folje duhet përkthyer parashfaq dhe jo parashfaqje.
print që është komanda e shtypjes së dokumenteve në letër ose e afishimit të mesazheve të ndryshme nëpër terminale. Në këto raste përdorimi, kjo folje duhet të përkthehet shtyp ose afisho, dhe jo shtypje apo afishim.
remove që është mjaft e përdorur, deri diku e ngjashme me delete. Kur përfaqëson komandën e një sistemi duhet përkthyer hiq, fshi dhe jo *heq*, *fshij*.
run që ndeshet në butona të programeve për të nisur ekzekutimin e programit. Në këtë kontekst, kjo folje duhet përkthyer ekzekuto dhe jo ekzekutoj.
pause që gjendet bashkë me komandën resume (rinis) dhe përdoret për të ndalur përkohësisht një proces që zakonisht kërkon njëfarë kohe. Përkthimi i duhur i saj është pezullo dhe jo *pezulloj*.
resume që përdoret për të rinisur një proces të pezulluar më parë nga komanda “pause” (pezullo). Përkthimi i duhur i saj është rinis dhe jo *rinisje*.
stop që përdoret për të ndalur përfundimisht një aktivitet apo proces, pra pa pasur mundësi për ta rinisur. Përkthimi i duhur i saj është ndal dhe jo *ndaloj*, *ndalim* apo *ndalje*.
save që është një komandë e pranishme në çdo pajisje, sistem apo softuer dhe shërben për të ruajtur dokumente, skedarë ose gjendjen e sistemit apo të të dhënave të lidhura me të në një kohë të caktuar. Përkthimi i duhur i kësaj komande është ruaj dhe jo *ruajtje*.
view që gjendet gjithashtu në çdo program me ndërfaqe grafike dhe i mundëson përdoruesit të shohë dhe të ndryshojë elementet grafike që shfaqen në ndërfaqen e programit. Përkthimi i kësaj komande duhet të jetë shih dhe jo *shoh* apo *shikoj*.
Veprime në postën elektronike
Posta elektronike është një nga shërbimet e para të digjitalizuara dhe me një përdorim masiv në të gjithë botën. Në kontekstin e programeve të postës elektronike, përdoruesit kryejnë shpesh veprime me komanda të ndryshme për të shkruar e dërguar mesazhe, për të parë e organizuar mesazhet etj. Në këtë kategori përfshihen folje si:
archive që është komanda për të arkivuar mesazhe të ndryshme të postës. Në këtë kontekst përkthehet arkivo dhe jo *arkivoj* apo *arkivim*.
forward që përdoret kur përdoruesi ka marrë një mesazh nga dikush dhe dëshiron t’ia dërgojë atë dikujt tjetër. Nëse i referohemi bibliografisë, për këtë folje gjejmë përkthime si *ecje përpara* tek [1] f. 175 apo *përparo* tek [2] f. 112, tek [3] f. 153, tek [4] f. 219 etj. Për mendimin tonë, përkthimi më i përshtatshëm në paraqitjen si komandë (mënyra urdhërore) është përcill.
mark as read që është një veprim që kryhet nga përdoruesi për ta shënuar një mesazh si të lexuar (çdo mesazh i ri shfaqet i theksuar për t’u dalluar nga mesazhet që janë lexuar më parë), edhe pse mund të mos ta ketë lexuar ende. Përkthimi i duhur i kësaj shprehjeje është shëno si të lexuar.
mark as unread që është veprimi i kundërt, pra shënon një mesazh të lexuar si të palexuar (p.sh. nëse përdoruesi dëshiron të kujtohet që ta lexojë përsëri më vonë). Përkthimi i duhur i kësaj shprehjeje është shëno si të palexuar.
resend që është veprimi dhe komanda që në disa raste ridërgon një mesazh që mund të mos jetë dërguar me sukses herën e parë. Në këtë kontekst, kjo komandë duhet përkthyer ridërgo dhe jo *ridërgoj* apo *ridërgim*.
send që është veprimi dhe komanda kryesore e cila aktivizohet nga përdoruesi për të dërguar një mesazh të shkruar. Përkthimi i duhur i kësaj komande në këtë kontekst duhet të jetë dërgo dhe jo *dërgoj* apo *dërgim*.
reply që është komandë e cila aktivizohet sa herë që përdoruesi, pasi lexon një mesazh, dëshiron t’i kthejë dërguesit përgjigje. Përkthimi i duhur i kësaj foljeje në këtë kontekst duhet të jetë përgjigju dhe jo *përgjigjem* apo *përgjigje*.
unsend që është komanda e kundërt e “send”, pra i jep mundësinë përdoruesit (zakonisht brenda një intervali të shkurtër kohor) të prapësojë dërgimin e një mesazhi. Shkrimi i duhur duhet të jetë zhdërgo, jo *zhdërgoj*, *zhdërgim*.
Veprime në internet
Në kontekstin e lundrimit në internet hasen vështirësi me shumë fjalë që mundësojnë ndërveprimin e përdoruesit me faqet që viziton. Shumë prej këtyre fjalëve përfaqësojnë komanda të shprehura me folje, të cilat duhet të shkruhen në mënyrën urdhërore. Disa të tjera janë komanda me të cilat përdoruesit e rrjeteve shoqërore ndërveprojnë mes tyre. Më poshtë jepen disa shembuj si:
comment që si folje tregon veprimin e shkrimit të një komenti për të dhënë një mendim ndaj një mesazhi, fotografie apo në përgjithësi ndaj një postimi. Në këtë kontekst duhet përkthyer komento dhe jo *komentoj*.
download që përbën një nga komandat më të zakonshme të përdoruesve të internetit. Në rastin e përgjithshëm, kjo folje duhet përkthyer shkarkoj, dhe jo *transferoj* siç ndeshet tek [5] f. 10. Në rastet kur paraqitet si komandë, duhet të shkruhet në mënyrën urdhërore, pra shkarko dhe jo *shkarkoj* apo *shkarkim*.
follow që është veprimi i aktivizuar nga përdoruesi sa herë që dëshiron të ndjekë një profil për t’u lajmëruar rreth postimeve të reja në të. Përkthimi i duhur i foljes në këtë kontekst është ndiq dhe jo *ndjek*.
like që kryhet miliona herë në rrjetet virtuale me shumë përdorues, kur ata pëlqejnë një postim. Në atë kontekst duhet përkthyer pëlqe dhe jo *pëlqej*.
log in dhe sign in janë gjithashtu shumë të zakonshme në faqet e portaleve apo shërbimeve ku përdoruesit kanë një llogari tek e cila hyjnë. Ndeshen shpesh pa përkthim, si p.sh. tek [6] f. 76 ku lexojmë “logohuni”. Përkthimi më i thjeshtë dhe i qartë është hyr, hyni dhe jo *kyçu*, *kyçuni*, që, megjithëse mbart idenë e hyrjes së sigurt (me fjalëkalim), shkakton njëfarë hutimi te lexuesi apo përdoruesi.
log out dhe sign out, njësoj si më sipër, përfaqësojnë komandën që përdoruesi jep për të dalë nga llogaria e vet. Ndonjëherë ndeshim prurje qesharake si p.sh. “ç’logimi” tek [2] f. 108. Njësoj si për rastin më sipër, përkthimi më i përshtatshëm është dil dhe jo *shkyçu*, fjalë e cila nuk është shumë e qartë.
refresh që është komandë e cila përdoret shpesh nga operatorët për të rifreskuar faqet ueb që janë duke lexuar. Kjo folje duhet përkthyer rifresko siç shkruhet saktësisht te [2] f. 107 dhe jo *rifreskoj* apo *rifreskim*.
reload që është shumë e ngjashme me “refresh” dhe përdoret për të përditësuar një faqe ueb. Në këtë kontekst, pra kur paraqitet si një komandë te programi shfletues, përkthimi i duhur i saj është ringarko dhe jo *ringarkoj* apo *ringarkim*.
report që përdoret nga përdoruesi për të raportuar një problem apo një shkelje të rregullave. Në këtë kontekst duhet shkruar raporto dhe jo *raportoj*.
share ndeshet shpesh në faqet e rrjeteve shoqërore virtuale në të cilat përdoruesit postojnë mesazhe, fotografi, video etj. Kjo fjalë lidhet me veprimin e shpërndarjes së postimeve nga përdoruesit, si te profilet e tyre apo edhe duke ua dërguar personave të tjerë. Përkthimi i duhur në këtë kontekst është shpërnda (në rastin e përgjithshëm shpërndaj) dhe jo *nda* që mund të paraqesi paqartësi.
submit që paraqitet shpesh në butona dhe përdoret për të konfirmuar dorëzimin e një formulari të plotësuar apo të një dokumenti të bashkëngjitur, ose për të miratuar ndonjë veprim tjetër. Përkthimi i duhur në këto raste është dorëzo, mirato dhe jo *dorëzoj*, *miratoj*, *dorëzim* apo *miratim*.
subscribe që është një komandë të cilën përdoruesi e aktivizon kur kërkon të lajmërohet për postime të reja nga një faqe ueb apo kanal a profil. Përkthimi i duhur në këtë kontekst është pajtohu, abonohu dhe jo *pajtohem*, *abonohem*.
unfollow që është veprimi i kundërt i “follow”. Përkthimi i duhur i foljes përkatëse është çndiq dhe jo *çndjek*.
unlike që përfaqëson veprimin e kundërt të like. Kur paraqitet si komandë, kjo folje duhet përkthyer shpëlqe dhe jo *shpëlqej*.
unsubscribe që është veprimi i kundërt i foljes “subscribe”. Përkthimi i duhur si komandë është shpajtohu, çabonohu dhe jo *shpajtohem*, *çabonohem*.
upload që është komanda e cila kryen veprimin e kundërt të shkarkimit, pra ngarkon objekte digjitale në hapësirën e uebit. Në rastin e përgjithshëm, përkthimi i kësaj fjale është ngarkoj, ngarkim siç ndeshet tek [7] f. 8 dhe jo *transferoj*, *transferim* si tek [8] f. 34. Në rastet kur figuron si komandë te programi shfletues apo diku tjetër, forma e duhur e foljes është zgjedhimi i saj në mënyrën urdhërore, pra ngarko dhe jo *ngarkoj* apo *ngarkim*.
Një trajtim më i hollësishëm i mënyrës së shkrimit të foljeve që përfaqësojnë komanda jepet te [9]. Dëshirojmë të tërheqim edhe një herë vëmendjen e lexuesit për faktin se shkrimi në mënyrën urdhërore i foljeve të mësipërme duhet të kryhet vetëm kur ato paraqiten si komanda në terminalin apo grafikën e sistemeve dhe programeve kompjuterike. Në çdo përdorim tjetër duhet të zgjedhohen sipas rastit, zakonisht në një nga kohët e mënyrës dëftore.
Referenca
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
- Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 7 (për klasën e shtatë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930