Terminologji Informatike: Drejtshkrimi i Shkurtesave
Shkrimi i shkurtesave (angl. acronyms) po paraqet probleme të shumta. Shkurtesat e ligjërimeve juridike, politike apo ekonomike ndodh shpesh që të përdoren të përkthyera. Disa shembuj tipikë janë:
USA (United States of America) - SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), UNO (United Nations Organization) - OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara), IMF (International Monetary Fund) – FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar), WB (World Bank) - BB (Banka Botërore) etj.
Në përputhje me shembujt që jepen te dokumenti i drejtshkrimit të shqipes (te [1], kapitulli VI, § 84), duhet pasur parasysh që shkronjat e shqipes që pëbëhen nga dy simbole si Dh, Gj, Ll, Nj, Rr, Sh, Th etj. shkruhen me të dyja simbolet e mëdha kur janë pjesë e shkurtesave, kjo më shumë për arsye estetike sesa gjuhësore. Pra siç u ilustrua dhe më sipër, shkruajmë SHBA dhe jo ShBA siç ndeshet te [2] f. 97, SQBDH (Sistem i Qeverisjes së Bazës së të Dhënave) dhe jo SQBDh si te [3] f. 82 etj. Shkurtesat nga teknologjia e informacionit dhe e komunikimit nuk para përkthehen, pra njihen e përdoren botërisht në formën e tyre origjinale, në ngjashmëri me emrat e markave e të firmave ndërkombëtare. Ndër to mund të përmendim shembuj të mirënjohur si:
CPU (Central Processing Unit, njësia qendrore përpunuese), IP (Internet Protokoll, protokolli i internetit), RAM (Random Access Memory, kujtesë me kapje rastësore), VPN (Virtual Private Network, rrjet privat virtual), DNS (Domain Name System, sistemi i emrit të domenit) etj.
Shkurtesat e huaja të kësaj kategorie duhen shkruar siç paraqiten në gjuhën burimore, por është e rëndësishme që në përdorimin e parë të jepet në kllapa edhe paraqitja e gjatë dhe përkthimi në gjuhën shqipe, pra të shkruhen njësoj si në shembujt më sipër. Pas përdorimit të parë mund të jepet vetëm shkurtesa, pa sqarime të mëtejshme. Duhet theksuar gjithashtu se në paraqitjet e mësipërme me sqarime në kllapa, shkruhen si shkronja të mëdha vetëm nistoret e paraqitjes së plotë në gjuhën e huaj dhe jo nistoret e përkthimit në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, sqarimi i plotë i shkurtesave të shqipes mund të jepet në kllapa me nistore të shkruara si shkronja të mëdha. Pra, mund të shkruajmë:
PTT (Postë Telegram Telefon), ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare), VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave), RTSH (Radio Televizioni Shqiptar), FSHN (Fakulteti i Shkencave Natyrore) etj.
Problemi që vihet re më shpesh në shkrimin e shkurtesave është moslakimi i tyre. Ky problem ndeshet te të gjitha shkurtesat, si ato të huaja edhe ato shqipe. Shembujt e gabimeve të tilla në bibliografi janë të shumtë, ndaj nuk po ndalemi në raste specifike. Njësoj si për emrat e përveçëm (shih këtë shkrim), edhe te paraqitja e lakuar e shkurtesave duhet përdorur simboli i vizës për të ndarë shkurtesën nga mbaresa e lakimit. Duhet, pra, të shkruajmë:
CPU-ja e sistemit, ndryshoj CPU-në, frekuenca e CPU-së, fuqia e kësaj CPU-je, punëtorët e PTT-së, linjë nga PTT-ja, sasia e RAM-it, shtoj RAM-in, burim i ATSH-së, shkoj te ATSH-ja, IP-ja e kompjuterit, vendos IP-në, gjatësia e IP-së, ndjek RTSH-në, njoftim i RTSH-së, lidhje VPN-je, VPN-ja e sistemit, konfiguroj VPN-në etj. Një trajtim më i plotë i kësaj problematike jepet te ky shkrim dhe te [4].
Referenca
- Androkli Kostallari, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Emil Lafe: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Akademia e shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe letërsisë, Tiranë, 1973.
- Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930