Terminologji Informatike: Harresa dhe rijetësime

Vështirësitë me fjalët e munguara të vëna në dukje në shkrime të ngjashme mund të tejkalohen edhe duke rijetësuar disa fjalë të hershme që gjenden e shpjegohen në FGJSSH, por që fatkeqësisht janë “harruar” dhe po përdoren gjithnjë e më rrallë. Rijetësimi i këtyre fjalëve sjell përfitime të shumëfishta. Së pari, shmangim fjalët e huaja të panevojshme duke i zëvendësuar me fjalë shqip që e mbartin mirë kuptimin përkatës dhe, së dyti, zgjerojmë e pasurojmë leksikun e gjuhës së folur. Më poshtë jepen disa shembuj tipikë që hyjnë te kjo kategori, që zëvendësojnë mirë variantet e papërshtatshme të paraqitura midis simboleve * (yllth).

home është faqja e parë që hapet pasi vendoset një adresë te shfletuesi i uebit. Kjo faqe përmban rubrika dhe seksione me lidhje e hiperlidhje të cilat e çojnë përdoruesin në faqe të tjera. Ky koncept po emërtohet shpesh *home*, pa asnjë përshtatje. Ndonjëherë ndeshim fillimi ose shtëpia, si p.sh. te: [1] f. 107. Edhe këto fjalë nuk na duken bindëse, sepse përbëjnë përkthime fjalë për fjalë. Sugjerojmë që në këtë kontekst të përdoren fjalët kryefaqja ose kreu. Shembuj: home page — kryefaqja, home button — butoni i kreut.

homepage ndeshet edhe në formën home page dhe ka kuptim të njëjtë me fjalën më sipër. Edhe kjo fjalë ndeshet shpesh *homepage* ose *home page*, pa asnjë përkthim apo përshtatje. Kjo ndodh te [2] f. 42, te [3] f. 48 etj. Në disa raste si te [4] f. 182 gjejmë faqja vetjake që nuk është shumë e përshtatshme për të mbartur kuptimin. Bazuar mbi të njëjtin arsyetim si më sipër sugjerojmë që fjala e duhur në gjuhën shqipe është kryefaqe.

link si emër mbart disa kuptime, një ndër të cilat është shënjuesi që i bashkëngjitet një pjese teksti apo imazhi në një faqe ueb dhe mundëson kapërcimin nga ajo faqe te një faqe tjetër. Këtë fjalë po e ndeshim thuajse gjithnjë të papërkthyer, pra dëgjojmë e lexojmë vazhdimisht *link*, p.sh. te [5] f. 12, te [3] f. 47 etj. Ka edhe raste si te [2] f. 58 apo te [5] f. 43 ku kjo prurje paraqitet në trajtën e shquar numri shumës, pra, në formën *linqet* që është e papranueshme. Emri foljor i veprimit të krijimit të lidhjes shprehet me anë të prurjes së panevojshme *linkim*, si p.sh. te [6] f. 23, te [5] f. 15 etj. Në një pjesë të mirë të rasteve si te [4] f. 173, te [1] f. 117, te [7] f. 149 etj. ndeshim fjalën lidhje e cila është e duhura, si për emrin e konceptit edhe për emrin foljor që shpreh veprimin e krijimit të lidhjes. Veç saj mund të rijetësojmë e të përdorim edhe fjalët vjegë, vjegëz, të cilat shpjegohen në FGJSSH dhe e mbartin mirë kuptimin e këtij koncepti. Shembuj: the link is given below — lidhja jepet më poshtë, send me the page link — më dërgo vjegën e faqes.

link si folje shpreh veprimin e krijimit të lidhjes së një pjese teksti apo imazhi në një faqe ueb. Fjala e vetme që shkon në këtë rast është folja lidh, siç ndeshet p.sh. te [8] f. 51. Shembuj: the video is linked in the comments below — videoja është lidhur te komentet më poshtë, link the address please — lidh adresën të lutem.

overflow si folje do të thotë të tejkalosh kapacitetin e një njësie mbajtëse duke shkaktuar defekte, gabime apo humbje informacioni. Kjo fjalë qëllon të mos përkthehet, pra të ndeshim *overflow*, *overflou*. Një fjalë e përgjithshme dhe e përshtatshme që mund të përdoret është derdh. Krahas saj sugjerojmë gjithashtu rijetësimin e fjalës teptis e cila gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: overflow the memory buffer — derdh tamponin e kujtesës, overflow the stack — teptis stivën.

overflow është edhe emri foljor që lidhet me foljen e mësipërme, pra veprimi i tejkalimit të kapacitetit të një njësie mbajtëse duke shkaktuar defekte, gabime apo humbje informacioni. Edhe kjo fjalë ndeshet shpesh e papërkthyer, pra *overflow*, *ovërflou*. Përveç fjalës derdhje që ndeshet te [4] f. 22, te [9] f. 190 etj., sugjerojmë rijetësimin e fjalës teptisje e cila gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: stack overflow — derdhje e stivës, unexpected register overflow — teptisje e papritur e regjistrit.

path është rruga që duhet ndjekur nëpër hierarkinë e një sistemi skedarësh apo në një kontekst tjetër për të kaluar nga rrënja ose kreu i hierarkisë tek një skedar, direktori apo njësi tjetër. Kjo fjalë po haset gjithnjë e më shpesh e papërkthyer, pra në formën *path*, p.sh. te [1] f. 7. Ndeshen edhe fjalët shteg, rrugëkalim, p.sh. te [9] f. 82 dhe [7] f. 47, të cilat janë fjalë të vlefshme dhe e mbartin mirë kuptimin. Sugjerimi ynë është që veç tyre, të rijetësojmë fjalën rruginë, e cila përputhet mjaft mirë në kuptim me këtë koncept. Shembuj: absolute path — rruginë absolute, relative path — shteg relativ, user directory path — rrugina e direktorisë së përdoruesit.

upgrade do të thotë rinovoj një makineri, mekanizëm apo sistem kompjuterik (si harduerin apo edhe softuerin) duke e kaluar në një version të ri e me teknologji të përmirësuar. Këtë fjalë në gjuhën shqipe e ndeshim shpesh të papërkthyer. Propozojmë që në vend të fjalës *apgrejd* të rijetësohet fjala lartësoj e cila gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH duke mbartur disa kuptime shumë të afërta. Shembuj: upgrade the software system — lartësoj sistemin softuerik, upgrade the kernel to version 5.12 — lartësoj kernelin në versionin 5.12.

upgrade është edhe emri foljor që shpreh veprimin sipas foljes së mësipërme, pra rinovimi i një makinerie, mekanizmi apo sistemi kompjuterik, duke e kaluar në një version të ri me teknologji të përmirësuar. Edhe në këtë rast, në vend të përdorimit të fjalës angleze *apgrejd*, sugjerojmë fjalën lartësim. Shembuj: software system upgrade — lartësim i sistemit softuerik, this upgrade takes a lot of time — ky lartësim kërkon shumë kohë.

workshop është fjalë që në përdorimin më të shpeshtë i referohet një takimi për fjalime e diskutime mbi tema të një rrethi të caktuar profesional. Në shumicën e rasteve, kjo fjalë përdoret në trajtë huazimi, pra haset thjesht *workshop*. Disa fjalë të përshtatshme në gjuhën shqipe janë punëtakim, takim pune. Mund të jetë me vlerë edhe rijetësimi i fjalës punëtori e cila gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: the topic of this workshop — tema e këtij punëtakimi, workshop proposal — propozim për punëtori.

Referenca

  1. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  2. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 7 (për klasën e shtatë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
  3. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  4. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
  5. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  6. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  7. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  8. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  9. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 1998.