Terminologji Informatike: Mospërkthime të fjalëve e shprehjeve

Mospërkthimi i fjalëve ose huazimi i tyre pa përshtatjen e duhur dhe pa marrë parasysh strukturën dhe traditën fjalëformuese të shqipes është një tjetër problem po aq i rëndë sa dhe problematikat drejtshkrimore e fonetike të trajtuara në shkrime të ngjashme. Në këtë kategori hyjnë shumë fjalë dhe shprehje angleze për të cilat mund të gjenden fjalë të përshtatshme të gjuhës shqipe, por duket qartë që nuk bëhen përpjekjet e duhura për këtë gjë. Në rastin e shprehjeve kemi të bëjmë shpesh me emërtime të drejtimeve studimore të cilat duhen përkthyer saktë në çdo rast. Cilësia e përkthimeve të tyre merr një rëndësi të veçantë, sepse këto shprehje shfaqen shpesh në tituj diplomash, artikujsh, librash etj. Më poshtë jepen disa raste fjalësh e shprehjesh të rëndësishme, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth). 

Adversarial Machine Learning (shkurt. AML) është një fushë zbatimi e inteligjencës artificiale që përdor modele inteligjente për të sulmuar apo thyer sisteme informatike, ose për të kundërtën, pra për t’i dalluar e bllokuar rreziqet apo sulmet kundër tyre. Kjo shprehje nuk ndeshet shpesh duke qenë specifike dhe e viteve të fundit. Bazuar edhe te praktika italiane e përkthimit të saj (it. apprendimento in ambiente ostile) gjykojmë që përkthimi i duhur në gjuhën shqipe do të ishte mësim në mjedis armiqësor

agglomerative hierarchical clustering përfshin një grup algoritmesh grupimi që i grupojnë kampionët e të dhënave në hapa të ndryshëm, pra në mënyrë hierarkike. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe gjykojmë që është grupim hierarkik grumbullues

anchor është mekanizëm i gjuhës HTML që shërben për të krijuar hiperlidhje të cilat na çojnë nga faqja aktuale në faqe të tjera. Në vend që të përdoret e papërkthyer, kjo fjalë duhet të përkthehet spirancë, njësoj si kuptimi i objektit konkret, siç ndeshet te [1] f. 43. 

background në një nga kuptimet është pjesa e prapme e një skene, imazhi, fotografie etj., e cila ndodhet pas objekteve që skicohen, vendosen apo projektohen. Ky kuptim shprehet nga fjala sfond e cila gjendet e përdorur saktë te [2] f. 49, te [3] f. 37 etj. Duhen shmangur rastet e shkrimit *background* siç ndodh te [4] f. 71, te [5] f. 41, te [3] f. 46 etj. Shembuj: background color — ngjyra e sfondit, background elements — elementet e sfondit. 

background në kuptimin tjetër është më i rrallë dhe specifik; ndeshet vetëm në terminologjinë e sistemeve operative ku i referohet mënyrës së ekzekutimit të një procesi apo detyre, pa ndërhyrje apo ndërveprim nga operatori. Duhet shmangur fjala *bekgraund* e cila dëgjohet shpesh. Fjalët e duhura në gjuhën shqipe janë prapaskenë, prapavijë. Shembuj: background job — punë e prapaskenës, background job execution — kryerje në prapaskenë e punëve. 

backslash është simboli \ që përdoret në kontekste të ndryshme të informatikës për t’u dhënë kuptim specifik simboleve apo shprehjeve të tjera simbolike. Kjo fjalë nuk përkthehet dhe shpesh lexojmë fjalën *backslash*. Përkthimet e duhura janë kundërthyesë, kundërfraksion. Shembuj: backslash key — tasti i kundërthyesës, use backslash to escape the special meaning of the symbols — përdor kundërthyesën për të shmangur kuptimin e veçantë të simboleve. 

back-door është mekanizëm që mundëson hyrjen në një sistem kompjuterik në mënyrë të fshehtë duke anashkaluar sistemin e tij të mbrojtjes. Kjo fjalë nuk haset ndonjëherë e përkthyer. Lexojmë rëndom fjalën *back-door* ose *back door*, si p.sh. te [6] f. 63. Një fjalë e përshtatshme që e mbart konceptin do të ishte deriçkë e cila gjendet në FGJSSH. Shembuj: scan the system for back-doors — skanoj sistemin për deriçka, back-door atack — sulm i deriçkës. 

badge është pjesë metalike apo plastike me gdhendje apo shkrime që mbahet nga një person për të treguar që bën pjesë në një organizatë apo që ka një pozitë a funksion të caktuar. Për këtë koncept po hasim gjithnjë e më shpesh forma që i ngjajnë fjalës angleze si *badge*, *baxh*, *bexh*, etj. Gjykojmë që fjala më e përshtatshme në gjuhën shqipe është distinktiv e cila, edhe pse me origjinë të huaj (it. distintivo), ka hyrë prej kohësh në FGJSSH dhe ka njëfarë përdorimi. Shembuj: please show your badge — të lutem trego distinktivin, security personel badge — distinktivi i personelit të sigurisë.

bandwidth është gjerësia e bandës së frekuencave në një linje teletransmetimi ose kapacitet transmetues i një linje kabllore. Shpesh herë kjo fjalë nuk përkthehet, pra hasim *bandwidth* si p.sh. te [7] f. 8. Përkthimet e duhura varen nga shembulli konkret i përdorimit, por për shumicën e rasteve kanë vend shprehjet gjerësi bande, gjerësi brezi, kapacitet (i transmetimit). Shembuj: transmission bandwidth — gjerësia e brezit të transmetimit, high bandwidth interconnection — ndërlidhje me gjerësi të lartë brezi. 

barcode është kod që përdoret masivisht si identifikues i artikujve dhe që e paraqet numrin e identifikimit si një seri vijash vertikale dhe paralele me gjerësi dhe lartësi të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo fjalë nuk përkthehet thuajse asnjëherë dhe haset në formën *barkod*, p.sh. te [8] f. 43, te [9] f. 99 etj. Përkthimi i duhur është kod vijor. Shembuj: barcode reader — lexues i kodit vijor, product barcode — kodi vijor i produktit. 

batch është një bashkësi sendesh apo objektesh që trajtohen bashkërisht si një grup. Ky kuptim i fjalës angleze mbartet nga fjalët tufë, grumbull, por ndodh shpesh që këtë fjalë ta ndeshim të shkruar *batch*, si p.sh. te [10] f. 78. Shembuj: batch of records — tufë regjistrimesh, batch size — madhësia e tufës, batch processing — përpunim në tufa. 

bookmark si folje shpreh shënimin nga përdoruesi të adresës së një faqeje ueb në shfletues, me qëllim që ta hapë atë faqe lehtësisht në të ardhmen. Ndodh shpesh të dëgjojmë shprehje si bëj *bukmark*. Përkthime të mundshme të kësaj fjale kur përdoret si folje janë shënoj, ruaj. Shembuj: bookmark the address of that profile — ruaje adresën e atij profili, bookmark every web page you will need later — ruaj çdo faqe ueb që do të të duhet më vonë. 

bookmark si emër nënkupton në shumicën e rasteve mekanizmin e shënimit të adresave të faqeve ueb nga përdoruesi në programin shfletues, për një gjetje të lehtë të tyre në të ardhmen. Ky mekanizmi i shënimit të adresave ueb është analog me atë të shënimit të faqeve në një libër me anë të një fijeje. Në raste të ndryshme si te [1] f. 43 gjejmë *bookmark*, pa asnjë përkthim a përshtatje. Disa përkthime të mundshme në gjuhën shqipe janë faqeruajtës, fletëshënues. Shembuj: organize the bookmarks — organizoji faqeruajtësit, this bookmark does not work — ky faqeruajtës nuk funksionon.

bookmark përdoret edhe si emri që nënkupton në disa raste veprimin sipas kuptimit të foljes përkatëse, pra shënimin e adresave të faqeve ueb nga përdoruesi në programin shfletues, për një gjetje të lehtë e të shpejtë të tyre në të ardhmen. Edhe në këtë rast ndeshim shpesh *bookmark*. Disa përkthime të mundshme në gjuhën shqipe për këtë rast përdorimi të emrit janë shënim i faqes, ruajtje e faqes

boot është veprimi i nisjes, ndezjes apo vënies në punë të sistemit kompjuterik. Në përditshmëri dëgjojmë *butoj*, *butohet* apo *butim*. Këto forma ndeshen edhe në bibliografi, p.sh. te [4] f. 37. Fjalët e duhura janë nis, ndez, vë në punë, prej të cilave mund të zgjidhet ajo që tingëllon më mirë në rastin specifik. Duhet bërë kujdes që të përdoren sipas këtij kuptimi vetëm për sistemin kompjuterik, dhe jo në kontekste të tjera. Shembuj: boot the computer — ndez kompjuterin, your computer boots slowly — kompjuteri yt ndizet ngadalë. 

boot është edhe emër foljor që vjen nga folja më sipër dhe i referohet ndezjes apo vënies në punë të sistemit kompjuterik. Në përditshmëri e sidomos në gjuhën e folur përdoren fjalë si *butim*. Fjalët e duhura shqip janë nisje, ndezje, vënie në punë, prej të cilave mund të zgjidhet ajo që tingëllon më mirë në rastin e përdorimit. Njësoj si më sipër, duhet bërë kujdes që këto fjalë të përdoren sipas këtij kuptimi vetëm në lidhje me sistemin kompjuterik, dhe jo në kontekste të tjera. Shembuj: boot failure — dështim në nisje, fast boot — ndezje e shpejtë, boot block — blloku i nisjes, boot sector — sektori i nisjes.

bridge ka të bëjë me urën si pajisje fizike ose si mekanizëm softuer që përdoret për ndërlidhjen e makinave dhe rrjeteve. Kjo fjalë duhet të shkruhet urë, siç ndeshet te [11] f. 82 apo në botime edhe më te hershme si te [12] f. 135 ku gjejmë “urë induktive”, “urë kontakti”, “urë matëse” etj. Fatkeqësisht, po ndodh shpesh që fjala të ndeshet *bridge*, p.sh. te [13] f. 98. Shembuj: virtual bridge — urë virtuale, bridge connection — lidhje me urë.

browser është program që përdoret për të shfletuar skedat e sistemit kompjuterik, faqet në internet etj. Për fat të keq nuk përkthehet (sidomos në gjuhën e folur) dhe përdoren rëndom *brauzer*, *brauzër*, *brouzer* apo *brawser*, p.sh. te [10] f. 159, te [3] f. 37, te [11] f. 89, te [14] f. 12 etj. Përkthimi i duhur është shfletues siç shkruhet te [1] f. 11, te [5] f. 86, te [10] f. 171 etj. Shembuj: graphical file browser — shfletues grafik i skedarëve, fast brawser — shfletues i shpejtë.

buffer është kujtesë e shpejtë që përdoret për të mbajtur përkohësisht të dhëna dhe për të zbutur diferencën në shpejtësi përpunimi apo komunikimi midis pajisjeve të ndryshme. Edhe kjo fjalë nuk përkthehet, ndaj shpesh ndeshim *buffer* ose *bufer* si te [15] f. 72. Përkthimi i duhur varet nga rasti specifik, por disa shembuj të saktë janë parakujtesë si te [16] f. 127, tampon si te [15] f. 155 apo kujtesë tampon si te [15] f. 158. Shembuj: small buffer memory — kujtesë e vogël tampon, buffer size — madhësia e tamponit. 

build është softuer me një version të caktuar, që funksionon si një i tërë dhe që përbën një prototip të një programi apo sistemi. Kjo fjalë haset shpesh në lajme për prezantimin e versioneve të reja të softuerëve të njohur dhe nuk përkthehet. Gjykojmë si të përshtatshme fjalën konstrukt. Shembuj: Linux kernel build 4.18.0 — konstrukti 4.18.0 i kernelit Linux, software system build update — përditësim i konstruktit të sistemit softuerik.

built-in cilëson si mbiemër diçka që është vendosur në brendësi të një njësie tjetër më të madhe, si pjesë e pandashme e saj. Për këtë koncept përdoret kryesisht fjala angleze, pra ndeshim *build-in*, p.sh. te [1] f. 59. Në gjuhën shqipe vlejnë fjalë si i,e trupëzuar ose i,e integruar, siç paraqitet e sqaruar në kllapa te [7] f. 9. Shembuj: built-in function — funksion i trupëzuar. 

calculator është pajisje që mbahet në dorë apo në xhep dhe përdoret për të kryer veprime aritmetike. Edhe kjo fjalë nuk para përkthehet dhe ndeshim shpesh forma të ngjashme me fjalën angleze si *kalkulator* te [17] f. 100. Fjala e duhur varet nga rasti specifik. Disa mundësi janë llogaritës, makinë llogaritëse, llogaritës dore ose llogaritës xhepi. Shembuj: electronic calculator — makinë llogaritëse elektronike, pocket calculator — llogaritës xhepi. 

caption ka të bëjë me sqarimin në formën e një tekst të shkurtër që jepet poshtë elementeve të një libri, si figurat ose tabelat dhe qartëson përmbajtjen e tyre. Për këtë koncept është huazuar prej kohësh nga italishtja fjala diçiturë, e cila përdoret saktësisht te [6] f. 12. Në raste të tjera si te [18] f. 31 dhe [2] f. 36 ndeshim përkthime fjalë për fjalë, përkatësisht *etiketë imazhi* dhe *poshtëshënim*. Shembuj: caption the figure — vendos diçiturën e figurës, short figure caption — diçiturë e shkurtër e figurës. 

cluster shpreh procesin e grupimit të njësive të ngjashme të një bashkësie në grupe të veçanta. Kjo fjalë ndeshet e papërkthyer në formën *klaster* si te [4] f. 38, ose në formën *cluster* si te [19] f. 50. Përkthimi i duhur për foljen është grupoj, siç përdoret te [20] f. 33. Shembuj: cluster the objects —  grupoj objektet, cluster the data points — grupoj pikat e të dhënave. 

cluster është edhe emërtim i grupeve me objekte të ngjashme që merren pasi zbatohet procesi i grupimit. Njësoj si dhe folja më sipër, ndeshet i papërkthyer në format *klaster* ose *cluster*. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është grup. Shembuj: cluster of similar objects — grup objektesh të ngjashme, cluster of data points — grup i pikave të të dhënave. 

clustering shpreh procesin e grupimit dhe përdoret shpesh për të përshkruar metodat e ndryshme me të cilat kryhet. Veç emrit grupim sipas foljes dhe emrit më sipër, te [21] f. 68 ndeshim emrin fqinjëzim që ndoshta mund të përdoret sinonimisht. Shembuj: clustering algorithm — algoritëm grupimi, data clustering time — koha e grupimit të të dhënave. 

code word i referohet një kombinimi simbolesh nga një kod standard, që paraqet një njësi informacioni nga një kod tjetër ose nga gjuha natyrore. Këtë shprehje e ndeshim shpesh në forma si fjalëkod, p.sh. te [16] f. 9 dhe [9] f. 113, fjalë-kod te [16] f. 17 dhe fjalë kodike te [22] f. 60. Për mendimin tonë, forma më e thjeshtë dhe e saktë është fjalë kodi, kodfjalë, duke qenë se njësia e referuar është fjala sipas një kodi të caktuar dhe jo kodi sipas fjalës. 

Computer Graphics (shkurt. CG) i referohet degës së informatikës që përdor sisteme dhe metoda kompjuterike për prodhim e përpunim imazhesh dhe lidhet ngushtësisht me përpunimin e fotografive digjitale, krijimin e lojërave kompjuterike, filmave vizatimorë etj. Kjo shprehje nuk po përkthehet vitet e fundit. Përkthimi i duhur i saj është grafikë kompjuterike, infografi

Computer Vision (shkurt. CV ) është dega e informatikës që përdor sisteme dhe metoda kompjuterike për të analizuar imazhet dhe për të automatizuar detyra të ndryshme të shikimit njerëzor. Edhe kjo shprehje nuk po përkthehet vitet e fundit, ndaj haset shpesh si në gjuhën angleze. Në disa botime si p.sh. te [20] haset në formën *vizion kompjuterik*, që nuk përbën shqipërim të plotë. Përkthimi i saktë i saj në gjuhën shqipe është shikim kompjuterik

connected cilëson diçka që është lidhur me diçka tjetër për të shkëmbyer informacion. Përkthehet fare mirë i,e lidhur, i,e ndërlidhur. Ndeshim ndonjëherë fjalë qesharake si *konektuar* te [6] f. 53. Shembuj: connected to the network — i lidhur me rrjetin, continuously connected — vazhdimisht i lidhur. 

controller është pajisje që kontrollon a rregullon punën e një makine ose të një mekanizmi elektrik apo elektronik. Kjo fjalë haset ose e papërkthyer ose me njëfarë përshtatje fonetike gjysmake, pra lexojmë e dëgjojmë shpesh *controller*, *kontroller*, *kontrollër*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është fjala kontrollor, e cila gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH si dhe në bibliografi te [19] f. 210 etj. Shembuj: disk controller — kontrollori i diskut, temperature controller — kontrollor temperature. 

cracker është person që kryen thyerje të sistemeve informatike në shkelje të ligjeve dhe për qëllime keqdashëse. Kjo fjalë përdoret ose pa asnjë përkthim ose me njëfarë përshtatje fonetike, pra haset në format *cracker*, *krekër*, *kraker*. Sugjerojmë që të përdoren si përkthime të sakta fjalët thyerës, pirat të cilat gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Shembuj: bank card cracker — thyerës i kartave bankare, agile cracker — pirat i shkathët.

cybersecurity është fusha e sigurisë së sistemeve dhe rrjeteve kompjuterike nga hyrjet e paautorizuara për qëllime keqdashëse. Edhe kjo fjalë përdoret pa asnjë përkthim, pra dëgjojmë vazhdimisht *cybersecurity*, *sajbersikjuriti*. Përkthimi i saktë në gjuhën shqipe është siguri kibernetike. Shembuj: cybersecurity importance is growing — siguria kibernetike po bëhet e rëndësishme, cybersecurity training — trajnim në siguri kibernetike.

deadlock është fjalë që përdoret në ligjërimin e sistemeve operative për të treguar ngecjen në një pikë pa rrugëdalje. Kjo ndodh kur secili prej dy a më shumë proceseve që zotërojnë disa burime kërkon ndonjë burim nga proceset e tjera që të vazhdojë punën dhe nuk lëshojnë burimin apo burimet e veta. Në shumicën e rasteve nuk përkthehet, pra e gjejmë edhe në gjuhën shqipe të shkruar *deadlock*. Disa përkthime të mundshme janë ngërç, qorrsokak, rrugë qorre. Shembuj: deadlock prevention techniques — teknika të parandalimit të ngërçit, frequent system deadlock — ngërç i shpeshtë i sistemit. 

decision tree përfshin një bashkësi algoritmesh të mësimit automatik që e strukturojnë hapësirën e mundësive në formën e një peme dhe marrin vendime në çdo degëzim të saj për të dhënë parashikimet përfundimtare. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është pemë vendimesh, si te [23] f. 13.

Deep Learning (shkurt. DL) është një drejtimi i inteligjencës artificiale ose më specifikisht mësimit automatik, që kryen parashikime apo analiza inteligjente të të dhënave duke përdorur rrjete nervore artificiale me shumë shtresa, pra të thellë. Një përkthim të saj e gjejmë te [20] ku jepet në formën të mësuarit në mënyrë të thellë dhe të strukturuar e cila ndoshta qëndron, por nuk është praktike apo e përmbledhur. Propozimi ynë është shprehja mësim i thellë

Deep Machine Learning (shkurt. DML) është një paraqitje më e plotë e shprehjes Deep Learning, por që në gjuhën angleze përdoret më rrallë. Nisur nga shembujt e shprehjeve më sipër, përkthimi i duhur i saj në gjuhën shqipe do të ishte mësim automatik i thellë

Deep Neural Network (shkurt. DNN) është rrjet nervor me shumë shtresa të vendosura midis hyrjes dhe daljes. Shprehja e duhur në gjuhën shqipe është rrjet nervor i thellë. Shprehja *rrjet i thellë neural* që ndeshet te [20] f. 15 nuk përbën një shqipërim të plotë, ndaj sugjerojmë që të shmanget. 

deep structured learning është një emërtim tjetër për Deep Learning që e vendos theksin te strukturat apo arkitekturat specifike të rrjeteve nervore që përdoren për qëllime apo detyra të ndryshme. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është mësim i thellë dhe i strukturuar

default është vlerë, përcaktim apo mënyrë funksionimi që është paraprake, i,e paracaktuar siç emërtohet te [24] f. 76. Përkthime të tjera të vlefshme janë edhe i,e paravendosur, i,e vendosur paraprakisht, bazuar te shpjegimi që jepet te [25] f. 85. Edhe kjo fjalë, që në fakt është e vështirë (sepse përkthimi i duhur varet shumë nga konteksti dhe rasti specifik), nuk para përkthehet, ndaj dëgjojmë shpesh në të folur fjalën *difollt* ose e lexojmë të shkruar *default*, si p.sh. te [11] f. 89, te [19] f. 136 etj. Shembuj: default parameter — parametri paraprak, default action — veprimi i paracaktuar.

default është ndajfolje që përdore njësoj si mbiemri i mësipërm dhe mund të përkthehet paraprakisht, duke shmangur edhe një herë nga përdorimi fjalët *difollt*, *default* ose *by default*. Kjo e fundit ndeshet gabimisht në bibliografi, p.sh. te [18] f. 23, te [7] f. 96, te [26] f. 14 etj. Shembuj: selected by default — përzgjedhur paraprakisht, set by default — vendosur paraprakisht.

dimensionality reduction përfshin një bashkësi teknikash matematike që bëjnë të mundur transformimin e të dhënave nga paraqitja në një hapësirë shumëpërmasore në një paraqitje tjetër me më pak përmasa. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është reduktim i përmasave

drag and drop është veprimi i zhvendosjes së një objekti virtual nga përdoruesi nëpër ekranin e kompjuterit, duke e tërhequr me shenjën e miushit të mbajtur shtypur përmbi të. Një përkthim i thjeshtë (por ndoshta jo i vetmi) për këtë shprehje do të ishte tërhiq dhe lësho. Disa shprehje të tjera nga bibliografia si “tërheqja dhe ulja” te [6] f. 17, “tërhiq mausin, duke e mbajtur atë të shtypur” te [1] f. 72, “zhvendos dhe vendos” te [18] f. 23 apo “vendos & zhvendos” te [7] f. 42 na duken jo të përshtatshme. 

drive që merr si kuptim të përgjithshëm dhe të zakonshëm ngas, drejtoj (p.sh. një mjet rrugor). Në fushën e teknologjisë së informacionit, përkthimet e duhura që shmangin keqkuptimet janë pilotoj, manovroj. Shembuj: drive the disk — pilotoj diskun, drive the electric current — pilotoj rrymën elektrike. 

drive i referohet si emër një njësie apo pajisjeje fizike të lidhur në një sistem elektronik apo kompjuterik. Emërtimi i duhur në gjuhën shqipe është njësi. Fatkeqësisht ndeshim shpesh forma të pasakta apo të papërkthyera si *drive* te [18] f. 77 dhe te [27] f. 19 ose *draiv* si te [24] f. 22. Shembuj: hard disk drive — njësia e diskut të fortë, shared drive — njësia e përbashkët. 

driver mekanizëm ose softuer që piloton apo komandon një pajisje fizike. Kjo fjalë për fat të keq nuk përkthehet dhe haset masivisht forma *drajver* në të folur dhe driver në të shkruar, p.sh. te [6] f. 70, te [3] f. 14 etj. Përkthimi i duhur është pilot, manovrues. Shembuj: disk driver —  manovruesi i diskut, printer driver — piloti i gjurmështypësit. 

dual-core cilëson diçka që është e përbërë nga dy bërthama përpunimi, të cilat mund të funksionojnë njëkohësisht dhe të pavarura nga njëra-tjetra. Kjo fjalë nuk përkthehet fare, pra dëgjojmë shpesh *dual-kor* dhe lexojmë *dual-core*. Përkthimi i duhur është mbiemri dybërthamësh që gjendet në FGJSSH. Mund të përdoret edhe shprehja me dy bërthama si te [9] f. 12. Shembuj: dual-core procesor — procesor dybërthamësh, dual-core hardware configuration — konfigurim dybërthamësh i harduerit. 

duplex është fjala për linjat e transmetimit që mundësojnë komunikim të dyanshëm, ose për gjurmështypësit që shtypin faqet në të dyja anët e fletës. Kjo fjalë ndeshet shpesh pa ndonjë përshtatje, pra *dupleks* në të folur dhe *duplex* ose *dupleks* në të shkruar, p.sh. te [19] f. 206. Përkthime të mundshme janë dyanësh, dyanësor. Shembuj: duplex printer — gjurmështypës dyanësh, duplex communication line— linjë dyanësore komunikimi. 

embedded cilëson diçka që është fiksuar mirë në një strukturë duke formuar një pajisje apo sistem, pra i referohet sistemeve të përbëra nga pjesë të ndryshme elektronike të fiksuara mirë me njëra-tjetrën. Në përditshmëri kjo fjalë nuk përkthehet dhe qëllon shpesh të dëgjojmë fjalë si *embedid* apo *imbedid* ose të lexojmë *embedded*. Në gjuhën shqipe ky kuptim shprehet mjaft mirë nga mbiemrat i,e ngulitur ose i,e ndërfutur, siç ndeshen përkatësisht te [28] f. 24 dhe te [9] f. 124. Shembuj: embedded systems — sistemet e ngulitura, embedded processor system — sistem me përpunues të ndërfutur. 

ensemble learning i referohet një grupi metodash të mësimit automatik të cilat trajnojnë disa apo shumë modele parashikuese dhe bashkojnë rezultatet e tyre për të marrë parashikime më të sakta se secili parashikim i marë veçmas. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është mësim në ansambël

event është fjala për një ngjarje që ndryshon apo përcakton ecurinë e një procesi apo dukurie. Në ligjërimin e përgjithshëm ka kuptimin e aktivitetit ndërsa në atë teknik mbartet mjaft mirë nga fjala ngjarje, siç ndeshet te [1] f. 56, te [3] f. 99, te [28] f. 40 etj. Duhet shmangur pra fjala *event*, e cila ndeshet shpesh në gjuhën e folur. Shembuj: unexpected event — ngjarje e papritur, system failure event — ngjarje e dështimit të sistemit. 

feature selection është procesi që përzgjedh tiparet apo cilësitë më të mira nga një bashkësi të dhënash, të cilat përdoren më pas për të trajnuar modele parashikuese prej atyre të dhënave. Kjo shprehje mund të përkthehet përzgjedhje e tipareve, përzgjedhje e cilësive

fixed access network përfshin një bashkësi rrjetesh telekomunikimi qasja te të cilët kryhet në pika fikse. Duhet bërë kujdes që kjo shprehje të përkthehet rrjet me qasje fikse

file është koncept themelor i lidhur me sistemet operative, që i referohet një njësie të emërtuar e cila mban të dhëna të strukturuara rreth një objekti apo entiteti dhe ruhet në një sistem skedarësh. Kjo fjalë është përkthyer tradicionalisht skedar, siç ndeshet te [2] f. 50, te [29] f. 56 etj. Vihen re fatkeqësisht mospërkthime, pra ndeshim *file*, p.sh. te [6] f. 52 dhe te [3] f. 64. Ndeshen gjithashtu përshtatje të pjesshme fonetike si *fajll* te [17] f. 2 që e gjykojmë jo të vlefshme, duke qenë se bie në kundërshtim me fjalën skedar që është më e hershme dhe më e përhapur në bibliografi. Shembuj: private file — skedar privat, binary file — skedar binar, an image file — një skedar imazhi. 

floppy disk i referohet një diskete elastike që përdorej dikur te kompjuterat personal për ruajtje dhe mbartje të informacionit. Këtë shprehje e ndeshim shpesh të papërkthyer, si p.sh. në formën *floppy disk* te [4] f. 39. Përkthimet disketë dhe disketë e butë që ndeshen te [15] f. 153 dhe [15] f. 184 janë deri diku të pranueshme, por gjykojmë që përkthimi më i plotë është disketë elastike

folder është tjetër koncept themelor nga sistemet operative, që i referohet një skedari me përmbajtje adresa të skedarëve të tjerë. Nga pikëpamja e përdoruesit paraqitet si një dosje brenda të cilës vendosen dokumente apo objekte të tjera virtuale. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është dosje, siç shkruhet te [6] f. 20, te [5] f. 58, te [3] f. 53 etj. Vihet re shpesh përtesë në përkthimin e fjalës, pra ndeshim gabimisht *folder* te [7] f. 13, te [18] f. 56, te [3] f. 38 etj. Shembuj: private folder — dosje private, shared folder — dosje e bashkëndarë. 

foreground është pjesa e përparme dhe më e dukshme e një pikture, imazhi apo mjedisi. Ky kuptim mbulohet fare mirë nga fjalët ballinë, fasadë, plan i parë të cilat gjenden të shpjeguara në FGJSSH dhe mund të përdoren sipas rastit. Duhet të shmanget pra, fjala angleze *foreground* e cila ndeshet p.sh. te [1] f. 71. Shembuj: foreground view — pamja e planit të parë, image foreground — ballina e imazhit. 

frame fjalë me disa kuptime të cilat varen nga konteksti dhe rasti konkret i përdorimit. Kur është fjala për rifreskimin e pamjeve në ndonjë ekran ose për ndërpamje që skicohen me programe grafike, kjo fjalë duhet përkthyer kuadro, siç gjendet te [30] f. 7, te [1] f. 96 etj. Kur është fjala për njësi diskrete informacioni që transmetohen në rrjet, mund të përdoret fjala kornizë e cila gjendet te [9] f. 112. Duhet shmangur në çdo rast forma e papërkthyer *frame* që ndeshet te [14] f. 38, te [3] f. 36 etj. Shembuj: retransmission of lost frames — ritransmetimi i kornizave të humbura, frame refresh rate — shpejtësia e rifreskimit të kuadrove. 

Generative Adversarial Network (shkurt. GAN) përfshin një klasë modelesh të mësimit automatik të përbërë nga dy rrjete nervore të cilët i kundërvihen njëri-tjetrin. Njëri prej tyre i quajtur gjeneruesi mëson nga një bashkësi trajnimi për të prodhuar kampione të dhënash në dukje sa më autentike. Rrjeti tjetër i quajtur diskriminuesi përpiqet të dallojë nëse kampionet e të dhënave që jep gjeneruesi janë sintetike (artificiale) apo autentike (origjinale). Edhe kjo shprehje nuk haset shpesh, për shkak se është shumë specifike dhe e viteve të fundit. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe do të ishte rrjet gjenerues kundërvënës, siç ndeshet te [20] f. 138.

handle është veprimi i zgjidhjes së një problemi apo trajtimit të një çështjeje. Përkthimi i duhur është trajtoj, siç ndeshet në raste të ndryshme te [10], te [15] etj. Shembuj: handle the interrupt — trajtoj ndërprerjen, handle a system call — trajtoj një thirrje sistemi. 

handler është njësia, metoda apo programi përgjegjës për të kryer punë apo për të trajtuar ngjarje ose probleme të ndryshme. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është mbarëçues, trajtues, siç ndeshet te [28] f. 40. Shembuj: event handler — trajtuesi i ngjarjeve, disk handler — mbarëçuesi i diskut. 

handling është emri foljor që lidhet me veprimin e foljes më sipër. Përshtatja e duhur është mbarëvajtje, trajtim, siç ndeshet te [10]. Shembuj: event handling — trajtimi i ngjarjeve, disk handling — mbarëvajtja e diskut.

hard-copy haset gjithashtu në format hardcopy, hard copy dhe si emër nënkupton një kopje fizike të një dokumenti, libri apo objekti tjetër digjital, zakonisht të shtypur në letër. Haset masivisht e papërkthyer, pra ndeshim shpesh *hard copy* edhe në gjuhën shqipe. Sugjerojmë që kjo fjalë të përkthehet kopje e shtypur kur është fjala për dokumente, libra apo objekte që shtypen në letër. Për objekte të tjera fizike mund të përkthehet kopje fizike. Përkthimi “kopje e fortë” që ndeshet te [19] f. 47 nuk na duket i përshtatshëm. Shembuj: send the hardcopy by mail — dërgoje kopjen fizike me postë, hard-copy delivery — shpërndarje e kopjes fizike. 

hard-copy si mbiemër nënkupton cilësinë e të qenit fizik apo në trajtë materiale, veçanërisht për objektet që paraqiten edhe në version digjital. Sugjerojmë që të përkthehet i,e shtypur, fizik. Shembuj: hard-copy manual — udhëzues i shtypur, hard-copy version — versioni fizik. 

hard disk që ndeshet edhe hard-disk është pajisje që shërben si kujtesë dytësore dhe ruan në mënyrë të përhershme të dhënat në sistemet kompjuterike. Na ndodh shpesh ta ndeshim të papërkthyer, pra në format *hard disk* ose *hard-disk*, jo vetëm në ligjërimin bisedor, por edhe në tekste si te [4] f. 58, te [11] f. 7, te [27] f. 10 etj. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është disk i fortë, disk i ngurtë që përdoren saktësisht te [15] f. 153, te [3] f. 116 etj. 

high-definition është fjalë që i referohet kryesisht cilësisë së figurës (por ndonjëherë edhe zërit) në pajisjet elektronike të viteve të fundit si dhe transmetimeve me atë cilësi. Në shumicën e rasteve kjo fjalë nuk përkthehet, pra edhe në gjuhën shqipe haset *high-definition*. Në disa raste haset përkthimi i gabuar *me definicion të lartë*. Përkthimi i saktë është me qartësi të lartë. Shembuj: high-definition transmission — transmetim me qartësi të lartë, high-definition screen — ekran me qartësi të lartë, high-definition video — video me qartësi të lartë, high-definition sound — zë me qartësi të lartë. 

hub është pikë qendrore në një rrjet me topologji yll në të cilën kryhet ndërlidhja midis të gjitha pikave të tjera të rrjetit. Kjo fjalë nuk përkthehet, ndaj në gjuhën e folur dëgjojmë shpesh *hab* dhe në tekste ndeshim *hub*, p.sh. te [11] f. 82, te [3] f. 19 etj. Përkthimi i duhur në është vatër, qendër. Shembuj: a network hub — një vatër rrjeti, the hub is off — vatra është e fikur.

insert kuptimi më i zakonshëm i kësaj fjale është fut, ndërfut. Disa forma të papërkthyera si *insertoj* që ndeshen te [31] f. 44, te [17] f. 12 etj. janë fare të panevojshme dhe madje qesharake. Shembuj: insert an element in the stack — fut një element në stivë, insert the packages at the head of the source file — futi paketat te kreu i skedarit burimor. 

interrupt është veprim i sinjalizimit të nevojës për të trajtuar një problem apo ngjarje në sistem. Kjo fjalë duhet përkthyer ndërprerje, siç ndeshet te [10] f. 65, te [9] f. 22 etj. Forma e papërkthyer *interrupt* duhet shmangur. Shembuj: interrupt handler — trajtuesi i ndërprerjeve, interrupt request — kërkesë për ndërprerje. 

job është një bashkësi programesh dhe të dhënash që përpunohen, të cilat ekzekutohen nga sistemi kompjuterik për të përmbushur një qëllim të caktuar. Edhe kjo fjalë nuk përkthehet në shumë raste, duke u shkruar *xhob* ose *job*. Përkthimi i duhur është punë, detyrë. Shembuj: job monitoring — mbikëqyrje e punëve, user jobs — punët e përdoruesit. 

joystick është pajisje që përdoret për të komanduar kursorin apo ndonjë element grafik në ekran, veçanërisht në sistemet e lojërave elektronike. Sugjerojmë që kjo fjalë të mos përdoret si në gjuhën angleze por të përkthehet dorezë, levë, siç gjendet te [24] f. 29, te [19] f. 45 etj. Shembuj: joystick gaming system — sistem lojërash me doreza, broken joystick — levë e thyer. 

layout është pamje skematike e parë nga sipër që tregon shpërndarjen apo vendosjen e elementeve në një objekt apo pajisje. Sugjerojmë që kjo fjalë të përkthehet planvendosje, planpamje sipas rastit të përdorimit. Duhet të shmanget në çdo rast fjala e papërkthyer *layout*. Shembuj: keyboard layout — planpamje e tastierës, motherboard layout — planvendosje e pllakës amë. 

layout i referohet edhe mënyrës së vendosjes së faqeve njëra pas tjetrës në një libër. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është faqosje si te [5] f. 72, te [10] f. 145, te [6] f. 6 etj. Përkthimi *faqe e rregulluar* që ndeshet te [2] f. 52 nuk na duket i përshtatshëm. Shembuj: book layout — faqosje e librit, standard layout — faqosje standarde. 

logistic regression teknikë parashikimi që modelon probabilitetin e një ngjarjeje bazuar te kampionët e një bashkësie të dhënash me të cilat ajo ngjarje lidhet. Përkthimi i duhur është regres logjistik që ndeshet te [23] f. 31. 

Machine Learning (shkurt. ML) është degë e inteligjencës artificiale e cila ndërton programe apo modele që mësojnë të japin parashikime gjithnjë e më të sakta nga përvoja, të dhënat apo shembujt me të cilët trajnohen. Kjo shprehje po haset pa përkthim nëpër shkrime, artikuj, tema diplomash etj. Te [20] ndeshet e përkthyer në formën të mësuarit automatik e cila qëndron por nuk është praktike apo e përmbledhur. Propozimi ynë është shprehja mësim automatik, mësim i makinës, siç ndeshet te [23] f. 13. 

Machine Translation (shkurt. MT) i referohet një dege të inteligjencës artificiale dhe gjuhësisë kompjuterike që zhvillon modele inteligjente për përkthime automatike të teksteve nga një gjuhë njerëzore në një tjetër. Përkthimi i saktë i saj në gjuhën shqipe është përkthim automatik, përkthim i makinës, dhe ndeshet te [20] f. 20. 

malicious është fjalë që përdoret veçanërisht në fushën e sigurisë kompjuterike për të cilësuar viruset dhe programet apo përdoruesit që sulmojnë sistemet dhe rrjetet. Mund të përkthehet keqdashës ose dashakeq. Shembuj: malicious software — softuer keqdashës, malicious network activity — aktivitet keqdashës në rrjet. 

motherboard është struktura e një kompjuteri në të cilën nguliten apo vendosen pjesë të ndryshme si mikroprocesori, kujtesa dhe pajisje të tjera periferike duke u lidhur me linjat komunikuese. Në shumicën e rasteve kjo fjalë nuk përkthehet, pra ndeshim *motherboard* si te [18] f. 10, ose *matherboard* si te [24] f. 9. Dy përkthime të mundshme janë pllaka amë ose bordi mëmë që ndeshet te [24] f. 14. Shembuj: this motherboard price is very high — çmimi i kësaj pllake amë është shumë i lartë, asiatic motherboard manifacturers are very sucessful — fabrikuesit aziatikë të bordeve mëmë janë shumë të suksesshëm. 

mouse është pajisje elektronike që lidhet me kompjuterin dhe rrëshqitet në një sipërfaqe të rrafshtë për të komanduar shënjuesin në dritaret grafike me të cilat ndërvepron përdoruesi. Kjo fjalë përkthehet miush dhe fatmirësisht ka hyrë së fundmi me këtë kuptim edhe në FGJSSH. Fatkeqësisht, në të folurën e përditshme dhe në bibliografi mbizotëron fjala angleze *mouse* të cilën e gjejmë te [38] f. 20, te [17] f. 9, te [41] f. 6 etj. Edhe përkthimi miu që ndeshet te [24] f. 14, te [19] f. 45, te [37] f. 3 etj. nuk është i përshtatshëm. Shembuj: optical mouse — miush optik, laser mouse — miush me lazer. 

multitasking cilëson një sistem kompjuterik që mundëson ekzekutimin e njëkohshëm të shumë punëve në formë pseudoparalelizmi ose par- alelizmi real. Sugjerojmë shumëpunësh si përkthim të përshtatshëm. Shembuj: Unix systems are multitasking — sistemet Unix janë shumëpunësh, multitasking computation platform — platformë përllogaritëse shumëpunëshe. 

namespace është bashkësi emrash që formohen nga një alfabet sipas disa rregullave të caktuara dhe që përdoren për të emërtuar objekte të të njëjtit tip. Edhe kjo fjalë shpesh nuk përkthehet. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është hapësirë emërtimesh, hapësirë emrash. Shembuj: variable namespace — hapësira e emërtimeve të ndryshoreve, function namespace — hapësira e emrave të funksioneve. 

nest si folje në kontekstin e programimit, vendos një strukturë apo bllok një nivel më poshtë (ose më në brendësi) një strukture apo blloku të ngjashëm. Sugjerojmë që kjo folje të përkthehet ndërfut, nënvendos. Shembuj: nest a block of code — ndërfut një bllok kodi, nest a for loop — ndërfut një cikël for.

nested është strukturë apo bllok i vendosur një nivel më poshtë (ose më në brendësi) një strukture apo blloku të ngjashëm. Njësoj si më sipër, për këtë mbiemër sugjerojmë përkthimin i,e nënvendosur, i,e ndërfutur që ndeshet te [6] f. 34, te [9] f. 45 etj. Mbiemri *i,e ndërthurur* që ndeshet te [29] f. 63 dhe te [17] f. 151 nuk na duket bindës, sepse jep idenë sikur kombinohen struktura të ndryshme. Edhe varianti *i,e shtrënguar* që ndeshet te [19] f. 103 duket jo i qartë. Shembuj: nested block of code — bllok i ndërfutur kodi, nested for loop — cikël for i ndërfutur. 

network shpreh konceptin e rrjetit në përgjithësi dhe atë kompjuterik në shumicën e rasteve. Shpeshherë nuk përkthehet dhe shkruhet *network*, p.sh. te [6] f. 52, te [18] f. 71 etj. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është rrjet, rrjeti, rrjete, rrjetet që ndeshet p.sh. te [3] f. 161 dhe te [28] f. 15. I dhamë të katërta format e emrit, sepse ndodh shpesh që të përdoret gabimisht fjala rrjetë, rrjeta, rrjetat që ndeshet p.sh. te [32] f. 12, te [5] f. 82, te [13] f. 96 etj. Kjo fjalë përfaqëson emra të tjerë (rrjeta e peshkatarit, merimangës, etj.) dhe nuk ka lidhje me fjalën angleze network. Shembuj: computer network — rrjet kompjuterik, network communication — komunikim në rrjet.

networking shpreh lidhje të njësive për të komunikuar me njëra-tjetrën ose njohje të njerëzve nëpër rrjete shoqërore. Kjo fjalë mund të përkthehet lidhje në rrjet ose rrjetëzim si te [10] f. 172. Shembuj: networking software — softuer rrjetëzimi, professional networking platform — platformë për rrjetëzim profesional.

network security vulnerability i referohet ndonjë dobësie në rrjet, e cila mund të bëhet shkak për thyerje të sigurisë. Përkthimi i duhur për këtë shprehje është dobësi e sigurisë së rrjetit

Neural Network (shkurt. NN) i referohet një strukture nyjash të vendosura në shtresa të njëpasnjëshme dhe lidhjesh midis tyre, që përdoret për trajnimin e modeleve parashikuese. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është rrjet nervor si te [23] f. 15. Përkthimi *rrjet neural* që ndeshet te [20] f. 13 nuk është i shqipëruar mirë dhe duhet shmangur. 

newsletter është raport me lajme mbi veprimtaritë e një klubi apo organizate që u dërgohet rregullisht të gjithë anëtarëve të saj. Kjo fjalë nuk po përkthehet vitet e fundit, ndaj po dëgjojmë shpesh *njuzletër*. Sugjerojmë që të përdoret fjala tradicionale buletin. Shembuj: subscribe to our newsletter — pajtohuni te buletini ynë, newsletter of electronics — buletini i elektronikës. 

newsroom është zyra e një gazete, radioje apo stacioni televiziv ku merren lajme, të cilat më pas përgatiten për shtyp ose për transmetim publik. Edhe kjo fjalë nuk po përkthehet vitet e fundit, ndaj po dëgjojmë shpesh *njuzrum*. Sugjerojmë që të përdoret fjala tradicionale redaksi. Shembuj: public television newsroom — redaksia e televizionit publik, weekly newsroom publication — publikim javor i redaksisë. 

outline në një kuptim është paraqitja e përmbledhur dhe me pikat kyçe të një diskutimi apo kumtese. Fjala e duhur shqipe ëshë përvijim e cila gjendet e sqaruar saktë te [5] f. 72. Te [1] f. 87 e ndeshim pa përkthim në formën *outline* ndërsa te [5] f. 23 përkthehet gabimisht *kontur*. Shembuj: presentation outline — përvijim i prezantimit, grafical outline — përvijim grafik.

output kjo fjalë ka përkthime të ndryshme sipas rastit të përdorimit, por më të zakonshmet janë dalje, rezultat dhe prodhim. Në bibliografi gjejmë përkthime qesharake si *autput* që ndeshet te [1] f. 52 dhe [1] f. 63. Në këto dy raste, përkthimet e sakta do të duhet të ishin përkatësisht dalje dhe rezultat. Shembuj: device output — dalja e pajisjes, arithmetic operation output — rezultati i veprimit aritmetik. 

overload ngarkoj më shumë se norma një njësi informacioni apo përpunimi, çka mund të çojë në humbje të dhënash ose në një mosfunksionim të përshtatshëm të sistemit. Këtë folje ndodh ta dëgjojmë të papërkthyer, pra *overload*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është mbingarkoj. Shembuj: do not overload the disks — mos i mbingarko disqet, overload the memory only if necessary — mbingarkoje kujtesën vetëm nëse është e domosdoshme. 

overloading në përgjithësi i referohet ngarkimit më shumë se norma të një njësie informacioni apo përpunimi, sipas foljes më sipër. Edhe këtë fjalë ndodh ta dëgjojmë si në anglishte, pra *overloading*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është mbingarkim, mbingarkesë. Edhe fjala tejngarkim që ndeshet te [22] f. 287 është e pranueshme. Shembuj: avoid memory overloading — shmangni mbingarkimin e kujtesës, system overload prevention policy — politika e parandalimit të mbingarkesës së sistemit.

overwrite shkruaj informacion në një njësi mbajtëse, duke prishur apo asgjësuar informacionin e mëparshëm që gjendej në të. Kjo folje ka përdorime në kontekste të shumta, por shpesh dëgjohet *ovërrajt* ose lexohet *overwrite* si në gjuhën angleze. Përkthimi i duhur i saj është mbishkruaj, siç ndeshet te [19] f. 29. Shembuj: overwrite the text file — mbishkruaj skedarin tekst, overwrite the register — mbishkruaj regjistrin.

password është varg shkronjash, numrash apo simbolesh të tjera që mbahet i fshehtë dhe bën të mundur identifikimin e përdoruesit në sisteme apo rrjete të ndryshme informacioni. Hyn te ato fjalë që dikur përktheheshin, por sot nuk po përkthehen nga përtacia, ndaj dhe po dëgjojmë shpesh *pasuord*. Sugjerojmë që të përdoret rregullisht fjala shqipe fjalëkalim që ndeshet te [5] f. 38, te [5] f. 84 etj. Shembuj: user password — fjalëkalim i përdoruesit, strong password — fjalëkalim i fortë, weak password — fjalëkalim i dobët. 

patch është ndryshim në kodin e një softueri për të korrigjuar ndonjë gabim apo për të përmirësuar ndonjë funksion. Edhe kjo fjalë qëllon shpesh të mos përkthehet dhe dëgjojmë shqiptime të ndryshme si *paç* apo *peç*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është arnë, pullë, korrigjim. Shembuj: important security patch — pullë e rëndësishme sigurie, system security patches are mandatory — korrigjimet e sigurisë së sistemit janë të detyrueshme. 

patch kryej një ndërhyrje në kodin e një softueri për të korrigjuar gabime që lidhen me sigurinë apo funksionet e tij. Sugjerojmë që të përdoren përkthimet arnoj, korrigjoj. Shembuj: patch a security breach — arnoj një të çarë sigurie, patch the graphics module — arnoj modulin e grafikës. 

patching në këtë rast kemi të bëjmë me emrin foljor, pra veprimin sipas foljes më sipër. Sugjerojmë që kjo fjalë të përkthehet arnim, korrigjim. Shembuj: software patching is not an easy proces — arnimi i softuerit nuk është një proces i lehtë, periodic software pathing is important — arnimi periodik i softuerit është i rëndësishëm. 

point-to-point lidhje komunikimi direkte midis dy nyjave apo entiteteve komunikuese. Kjo fjalë nuk po përkthehet, sidomos në gjuhën e folur. Dëgjojmë shpesh të thuhet *point-tu-point* dhe të shkruhet *point-to-point*. Përkthimi i duhur është pikë-me-pikë, siç ndeshet saktësisht te [13] f. 112 dhe te [24] f. 153. Shembuj: point-to-point interconnection — ndërlidhje pikë-me-pikë, point-to-point protocol — protokoll pikë-me-pikë. 

pointer element grafik që përdoret për të shënjuar objekte në ekran ose vlerë që tregon adresën e një ndryshoreje apo strukture të dhënash në kujtesë. Kjo fjalë nuk përkthehet në asnjë nga dy kuptimet, ndaj dëgjojmë shpesh *pointer* në gjuhën e folur dhe lexojmë *pointer* në bibliografi, p.sh. te [19] f. 153. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është shënjues për secilin rast dhe gjendet te [15] f. 32. Duhet bërë kujdes të shmanget fjala shenjues e cila përfaqëson një koncept tjetër dhe ndeshet gabimisht te [29] f. 88, te [10] f. 61 etj. Shembuj: calibrate the mouse pointer — kalibro shënjuesin e miushit, a pointer of four bytes — një shënjues prej katër bajtesh. 

preview shfaqje e pamjes apo e karakteristikave të tjera të një entiteti përpara përpunimit, shtypjes, emetimit apo hedhjes së tij në treg. Mospërkthimi i kësaj fjale bën që të dëgjojmë shpesh të thuhet *privju*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është parashfaqje, parapamje. Në bibliografi ndeshet e përkthyer në forma të ndryshme si “shikim para shtypjes” te [4] f. 103, “shikim paraprak” te [2] f. 52 apo “shikim” te [26] f. 76, të cilat edhe pse jo të gabuara, nuk janë shumë të qarta. Shembuj: print preview — parashfaqje e shtypjes, preview of the product prototype — parapamje e prototipit të produktit. 

preview folje që shpreh veprimin e shfaqjes paraprake të një entiteti përpara përpunimit, shtypjes, emetimit apo hedhjes në treg. Njësoj si më sipër, edhe për foljen dëgjojmë të thuhet *privju* ose *bëj privju*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është parashfaq. Shembuj: preview the document before printing — parashfaq dokumentin përpara shtypjes, preview the final model — parashfaq modelin përfundimtar. 

qualitative që lidhet me vlerën apo cilësinë e diçkaje, pra duhet përkthyer cilësor në çdo rast. Fjala *kualitativ* që ndeshet te [6] f. 51, te [19] f. 187 etj. duhet shmangur. Shembuj: qualitative product analysis — analiza cilësore e produktit, qualitative differences — dallime cilësore. 

quantitative që lidhet me sasinë e diçkaje, pra duhet përkthyer sasior në çdo rast. Fjala *kuantitativ* duhet shmangur. Shembuj: quantitative analysis — analiza sasiore, quantitative differences — dallime sasiore. 

random cilëson ndonjë entitet apo proces pa ndonjë rend të paracaktuar apo që ndodh në mënyrë të çrregullt dhe të papërsëritshme. Ndeshet shpesh e papërkthyer dhe dëgjojmë *rendëm*, ndërkohë që fjalët përkuese janë rastësor, i rastësishëm, i rastit. Shembuj: random number — numër i rastit, random sampling — kampionim i rastësishëm, random variable — ndryshore e rastit. 

random forest përfaqëson një bashkësi teknikash të mësimit të mbikëqyrur që bashkojnë parashikimet e shumë pemëve të vendimeve për të arritur një parashikim të përgjithshëm me një saktësi më të lartë. Përkthimi i duhur për këtë shprehje është pyll rastësor

Recurrent Neural Network (shkurt. RNN) është familje rrjetesh nervore me lidhje midis nyjave që formojnë një graf përgjatë një vargu kohor. Përkthimi i duhur për këtë shprehje është rrjet nervor rekurent

redundancy është caktim mbi masën e domosdoshme i njësive përllogaritëse apo mbajtëse në një sistem me qëllim shmangien e gabimeve, defekteve apo keqfunksionimit. Një formë pa përkthim është *redundancë* që ndeshet te [33] f. 110 dhe duhet shmangur në çdo rast. Përkthimi i duhur është tepri, tepricë, siç ndeshet te [16] f. 8, te [9] f. 84 etj. Fjala bollëk që haset te [20] f. 70 nuk është e gabuar, por paraqitet jo shumë e përshtatshme për ligjërimin teknik, duke pasur parasysh kuptimin e përgjithshëm të saj. Shembuj: memory reduncandy — tepria e kujtesës, reduncancy check — kontrolli i tepricës. 

redundant që jepet në një masë më të madhe sesa duhet, pra që përfshin përsëritje. Edhe kjo fjalë rastis të mos përkthehet dhe të shkruhet *redundant*, p.sh. te [33] f. 110. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është mbiemri i,e tepërt. Shembuj: redundant records — regjistrime të tepërta, redundant list elements — elemente të tepërta në listë. 

Reinforcment Learning (shkurt. RL) përfshin teknika të inteligjencës artificiale që trajnojnë agjentë softuer për të marrë vendime të mençura dhe për të optimizuar detyra. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe për këtë shprehje është mësim përforcues dhe ndeshet te [23] f. 17. Shprehja të mësuarit e përforcuar që ndeshet te [20] f. 36 është disi e paqartë, ndaj sugjerojmë që të shmanget. 

refresh është përditësim i vazhdueshëm i gjendjes së një sistemi për të garantuar funksionimin e tij brenda parametrave të duhur. Edhe kjo fjalë nuk përkthehet thuajse asnjëherë, ndaj dëgjojmë të thuhet *rifresh* edhe në gjuhën shqipe. Përkthime të mundshme janë freskim, rifreskim, përtëritje që gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Shembuj: high screen refresh rate — shpejtësi e lartë rifreskimi e ekranit, refresh of memory cell charges — përtëritje e ngarkesave në qelizat e kujtesës. 

refresh përditësoj gjendjen e një sistemi për të garantuar funksionimin e tij brenda parametrave të duhur. Edhe për foljen dëgjojmë të thuhet *bëj rifresh* në vend që të përkthehet freskoj, rifreskoj, përtërij. Shembuj: refresh the knowledge base — rifreskoj bazën e njohurive, refresh the web page — rifreskoj faqen ueb. 

remote që ndodhet në largësi të madhe nga një sistem tjetër, me të cilin komunikon apo ndërvepron. Nuk ka asnjë arsye që kjo fjalë të mos përkthehet, pra nuk duhet të përdoret fjala *remote* edhe në gjuhën shqipe. Mbiemri i,e largët e zëvendëson atë më së miri. Shembuj: remote connection — lidhje e largët, remote processing capacities — kapacitete të largëta përpunimi. 

remotely si ndajfolje mbart kuptim të ngjashëm me atë të mbiemrit më sipër, pra cilëson një aktivitet që kryhet në largësi të madhe nga njësia në të cilën veprohet. Përsëri duhet shmanguar fjala e huaj *remotely* me përkthimin e saktë në gjuhën shqipe, që është nga larg, së largmi. Shembuj: remotely controlled — i,e kontrolluar nga larg, work remotely — punoj nga larg. 

research është fjalë e ligjërimit të përgjithshëm që ka të bëjë me veprimtarinë hulumtuese, studimore apo kërkimore. Fatkeqsisht nuk përkthehet në shumicën e rasteve, pra dëgjojmë edhe në gjuhën shqipe *risërç*. Propozimi ynë është që kjo fjalë të përkthehet hulumtim, punë hulumtuese. Shembuj: research work — punë hulumtuese, strategic research direction — drejtim strategjik i hulumtimit. 

research kryej hulumtim, kërkim apo studim të kujdesshëm për një çështje, temë apo drejtim. Sugjerojmë që kjo folje të përkthehet hulumtoj, kryej hulumtim. Shembuj: research on a new topic — hulumtoj në një temë të re, we do research on computational linguistics topics — ne hulumtojmë tema të gjuhësisë kompjuterike. 

researcher është personi që kryen veprimtari hulumtuese. Po e hasim të papërkthyer, pra dëgjojmë *risërçër*. Sugjerojmë që të përkthehet hulumtues duke plotësuar familjen e fjalëve, bashkë me foljen dhe emrin më sipër që gjenden të gjitha në FGJSSH. Shembuj: computational linguistics researcher — hulumtues i gjuhësisë kompjuterike, renowned researcher — hulumtues i njohur.

review kryej vlerësimin e një vepre artistike, punimi shkencor etj., por vitet e fundit edhe produkti apo shërbimi në internet, duke vënë në dukje të mirat dhe të metat. Kjo fjalë ka filluar të mos përkthehet, pra dëgjojmë shpesh *rivju* edhe në gjuhën shqipe. Përkthimi i duhur është fjala recensoj që gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: review a scientific paper — recensoj një artikull shkencor, review the theatre play — recensoj pjesën teatrore. 

review është veprimi sipas kuptimit të parë të foljes review dhënë më sipër, pra vlerësim kritik me shkrim për një punim shkencor, vepër artistike, shfaqje, produkti të blerë në internet etj. Njësoj si folja, edhe ky emër vazhdon të mos përkthehet. Përkthimi i duhur është fjala recensim. Shembuj: the review process takes time — procesi i recensimit kërkon kohë, the article review will be finished soon — recensimi i artikullit do të përfundojë së shpejti. 

review është rezultati i procesit të recensimit që paraqitet si një vlerësim kritik i një artikulli, libri, vepre arti, produkti të blerë në internet etj., i shkruar në një dokument, libër, apo si koment dhe vlerësim me pikë. Fjalët e duhura për këtë kuptim janë recensë, recension që gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Ndodh që kjo fjalë të mos njihet dhe në vend të saj të ndeshim shpjegime të konceptit me shprehje të gjata dhe të papërshtatshme si “analizat online të përdoruesve”, p.sh. te [26] f. 55. Shembuj: a highly positive review — një recension shumë pozitiv, the novel review was objective and fair — recensa e romanit ishte objektive dhe e drejtë. 

review kryej një analizë dhe shqyrtim të hollësishëm të karakteristikave dhe të funksioneve të një malli, produkti, shërbimi, etj. Ky kuptim i fjalës është disi i ngjashëm me atë më sipër, por ka të bëjë më shumë me produktet apo pajisjet që blihen. Përkthimet e duhura janë shqyrtoj, rishqyrtoj, inspektoj që gjenden në FGJSSH dhe mund të përdoren sipas rastit. Shembuj: review a new computer model — shqyrtoj një model të ri kompjuteri, review the device in details — shqyrtoj në detaje pajisjen. 

review ky kuptim i tretë i emrit lidhet me kuptimin e dytë të foljes, pra nënkupton një analizë apo shqyrtim të detajuar të një malli, produkti, shërbimi, apo edhe të ndonjë dokumenti a të literaturës së një fushe të caktuar. Përkthimet e duhura janë emrat shqyrtim, rishqyrtim, inspektim. Shembuj: review of a new computer model — shqyrtim i një modeli të ri kompjuteri, bibliography review — shqyrtim i bibliografisë. 

run ekzekutoj një program, softuer, komandë etj. në një sistem kompjuterik. Kjo fjalë shpesh nuk përkthehet, ndaj dëgjojmë shtrembërime si *jepi ran* apo *ranoje*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është ekzekutoj. Shembuj: run a command — ekekutoj një komandë, run the programs in paralel — ekzekutoj programet paralelisht. 

run interpretim i instruksioneve të një programi apo softueri nga sistemi kompjuterik. Edhe në këtë rast duhen shmangur fjalët *ran* apo *ranim* dhe të përdoret përkthimi i saktë ekzekutim. Shembuj: run time — koha e ekzekutimit, dry run — ekzekutim provë. 

scroll bar është element i rëndësishëm i dritareve grafike që i mundëson përdoruesit të zhvendoset vertikalisht apo horizontalisht përgjatë dritares. Fjala e duhur në këtë rast është ashensor dhe ndeshet te [4] f. 57, te [13] f. 6 etj. 

security breach dobësi në një sistem apo rrjet që mund të bëhet shkak për thyerje të sigurisë. Përkthimi i duhur është vrimë sigurie, çarje sigurie

semi-supervised learning përfshin një bashkësi metodash të mësimit automatik të cilat trajnohen për të kryer parashikime duke përdorur si të dhëna të etiketuara edhe të dhëna të paetiketuara. Shprehja e duhur në gjuhën shqipe është mësim gjysmë i mbikëqyrur dhe ndeshet te [23] f. 14. 

sequence-to-sequence cilëson diçka që funksionon duke çiftuar vargje njësish nga një domen me vargje përkatëse nga një domen tjetër. Sugjerojmë që kjo fjalë të përkthehet varg-me-varg. Shembuj: sequence-to-sequence learning model — model i mësimit varg-me-varg, sequence-to-sequence matching — përputhje varg-me-varg. 

setup rregulloj apo përshtat sipas nevojave specifikime të ndryshme të një sistemi, programi etj. Kjo folje shpesh nuk përkthehet dhe shprehet me shprehje si *bëj setap*. Një fjalë e përshtatshme për shumë raste përdorimi është ujdis, fjalë që gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: setup the printing specifications — ujdis specifikat e shtypjes, setup the system configurations — ujdis konfigurimet e sistemit. 

setup është procesi i lidhjes, vendosjes apo përshtatjes së një programi, pajisjeje apo moduli tjetër në një sistem kompjuterik apo më gjerë. Edhe ky emër nuk po përkthehet, ndaj dëgjojmë shpesh *setap*. Përdoren sipas rastit edhe fjalë të tjera të paqarta si krijimi, ngritja, p.sh. te [4] f. 106. Përkthimi i duhur do të ishte ujdisje. Shembuj: system configuration setup — ujdisja e konfigurimit të sistemit, default setup — ujdisja paraprake. 

setup është folje që shpreh veprimin e instalimit apo vendosjes së një pjese fizike ose të një moduli softuer në një sistem më të madh fizik apo në një sistem kompjuterik. Fjala më e përshtatshme për këtë folje është instaloj. Shembuj: setup a program — instaloj një program, setup the Python interpreter — instaloj interpretuesin e Python-it. 

setup është emri foljor që lidhet me kuptimin e dytë të foljes që u sqarua më sipër. Edhe në këtë rast ndeshim shpesh formën *setap*, ndërkohë që përkthimi i duhur do të ishte instalim. Shembuj: the operating system setup takes a long time — instalimi i sistemit operativ kërkon shumë kohë, the setup is fast — instalimi është i shpejtë. 

setup është kuptimi i emrit që lidhet me një skedar që përdoret posaçërisht për të instaluar një program në një sistem kompjuterik. Përkthimi i duhur është skedar instalimi. Shembuj: download the setup — shkarkoj skedarin e instalimit, the setup is not working — skedari i instalimit nuk funksionon. 

setup është kuptimi i emrit që i referohet disa njësive që së bashku formojnë një komplet apo plotësi të përdorur për një qëllim të caktuar. Edhe ky kuptim i fjalës ndeshet më së shumti i papërkthyer, pra në formën *setap*. Si përkthim të saktë të këtij kuptimi propozojmë fjalën komplet, që megjithëse nuk gjendet ende në FGJSSH, përdoret në masë dhe e mbulon mirë kuptimin. Shembuj: work setup — kompleti i punës, setup units — njësitë e kompletit. 

share përdor në mënyrë të përbashkët me të tjerë një burim, godinë, pajisje, sistem, etj. Kjo folje nuk po përkthehet dhe rastis të dëgjojmë shpesh përdorimin e *sher*. Disa përkthime të përshtatshme që sugjerojmë janë bashkëndaj, bashkëpërdor, përdor bashkërisht. Shembuj: two processes share the memory — dy procese bashkëndajnë kujtesën, the system is shared by many users — sistemi përdoret bashkarisht nga shumë përdorues. 

share përhap në rrjete shoqërore një njoftim, postim, mesazh, fotografi apo formë tjetër informacioni. Edhe në këtë rast, fjala e huaj *sher* duhet të zëvendësohet me përkthimin e duhur që është shpërndaj. Shembuj: share a photo — shpërndaj një fotografi, share a post in the virtual social networks — shpërndaj një postim në rrjetet shoqërore virtuale. 

slash është simboli / që përdoret shpesh në shprehje aritmetike apo në gjuhë formale. Për këtë simbol po përdoret shpesh emërtimi *slesh* si në gjuhë angleze i cili ndeshet te [6] f. 24, te [1] f. 37, te [13] f. 131 etj. Në shqip vlejnë fjalët thyesë, fraksion të cilat gjenden në FGJSSH. Shembuj: slash symbol — simboli i thyesës, double slash symbol — simboli i fraksionit të dyfishtë. 

slot është hapje në një pajisje ku mund të futet ose të lidhet një pjesë apo pajisje shtesë. Shpeshherë e hasim këtë fjalë si në gjuhën angleze, pra në formën *slot*. Kjo ndodh p.sh. te [13] f. 98. Përkthimi i duhur është fjala fole që ndeshet e përdorur saktë te [1] f. 68. Shembuj: expansion slot — fole zgjerimi, SIM card slot — foleja e kartës SIM. 

source code është kodi i një programi kompjuterik i shkruar në një gjuhë programimi të nivelit të mesëm ose të lartë, dhe që më pas kompilohet në kod makine ose interpretohet nga interpretuesi. Duke iu referuar përkthimit në italishte (it. codice sorgente) te [34] f. 27 si dhe shembullit te [9] f. 25, gjykojmë që shprehja e duhur është kod burimor. Fjalë apo shprehje të tjera si kodburim apo kod burim që ndeshet te [1] f. 49 duhen shmangur. 

subnet koncepti i nënrrjetit, pra një rrjet i vogël që është pjesë e një rrjeti më të madh. Po ndeshet shpesh *subnet* edhe në gjuhën shqipe, p.sh. te [6] f. 59. Fjala e duhur do të ishte nënrrjet. Shembuj: subnet mask — maska e nënrrjetit, subnet address block — blloku i adresave të nënrrjetit. 

subscribe pranoj disa kushte për një shërbim apo ofertë periodike. Kjo fjalë po përdoret gjithnjë e më shumë pa përkthim, sidomos në kanalet e mediave shoqërore që përdoruesit pranojnë të ndjekin. Mund të zëvendësohet nga pajtoj, pajtohem ose abonoj, abonohem të cilat megjithëse me prejardhje nga italishtja (it. abbonarsi), kanë hyrë në përdorim dhe në FGJSSH kohë më parë. Mund të përdoret në ndonjë rast edhe anëtarësoj, anëtarësohem që gjendet te [10] f. 170. Shembuj: subscribe to our channel — pajtohuni te kanali ynë, subscribe to receive the latest news — pajtohuni që të merni lajmet e fundit. 

subscriber është person që pranon kushtet për një shërbim apo ofertë periodike. Në kontekstin e portaleve apo mediave elektronike në internet, kjo fjalë paraqitet në një buton që i mundëson përdoruesit të pranojë mesazhe periodike me lajme, njoftime apo të reja. Në ngjashmëri me foljen më sipër, ky emër mund të përkthehet pajtimtar, abonent, siç ndeshet te [7] f. 69. Shembuj: digital service subscriber — pajtimtar i shërbimit digjital, how many subscribers does your channel have? — sa pajtimtarë ka kanali yt? 

subscription është veprimi sipas foljes subscribe të sqaruar më sipër. Edhe për këtë emër kemi fjalët e ngjashme pajtim, abonim, duke plotësuar familjen e kësaj fjale. Shembuj: monthly subscription — pajtim mujor, subscription fee — tarifa e pajtimit. 

supervised learning bashkësi metodash të mësimit automatik që trajnohen me të dhëna të etiketuara për të kryer parashikime. Shprehja e duhur në gjuhën shqipe është mësim i mbikëqyrur. Shprehja të mësuarit e mbikëqyrur që ndeshet te [20] f. 51 nuk është e gabuar, por paraqitet disi e paqartë. 

switch është njësi që përdoret në qarqet elektrike, elektromekanike apo elektronike për hapjen ose mbylljen e qarkut, çka shoqërohet nga efekte të tjera në përputhje me funksionet e sistemit përfshirës. Emërtimi në gjuhën shqipe është çelës. Ndonjëherë ndeshet edhe fjala ndërprerës, p.sh. te [22] f. 98, e cila vlen në disa raste. Shembuj: elektrik switch — çelës elektrik, transistor switch — çelës me transistor. 

switch është folja që lidhet me veprimin e hapjes dhe mbylljen e qarqeve ose me ndryshimin e gjendjes së elementeve të ndryshme në sisteme. Përkthimi i duhur në shqip varet shumë nga konteksti dhe rasti specifik, por veçojmë fjalët kyç ose ndez për switch on dhe shkyç ose fik për switch off. Në rastet e tjera kur ndeshet vetëm fjala switch kemi të bëjmë me ndryshim të gjendjes së pajisjeve, kuptim që mbulohet në gjuhën shqipe nga fjalë të ndryshme si ndërkyç ose ndërçel. Shembuj: switch off the light — fik dritën, switch on the electric relay element — kyç elementin rele, switch the deviced status — ndërkyç gjendjen e pajisjes. 

switch ky kuptim i dytë i emrit lidhet me një pajisje, teknikë apo mekanizëm që bën të mundur ndryshimin midis dy apo më tepër gjendjeve ose ndërlidhjen midis disa kanaleve komunikuese. Ky koncept në gjuhën shqipe shprehet nga fjalë të ndryshme si ndërkyçës, ndërçelës që ndeshet te [35] f. 47 ose komutator si te [12] f. 54. Shembuj: automatic switch — ndërçelës automatik, a switch of multiple states — një ndërçelës me shumë gjendje. 

switch ky kuptim i tretë i emrit është më specifik dhe i referohet pajisjes së rrjetit, e cila lidh kompjutera të ndryshëm dhe drejton njësitë e informacionit që ata shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Kjo fjalë nuk po përkthehet dhe po shkruhet *switch*, p.sh. te [6] f. 59, te [3] f. 19 etj. Fjala e duhur është ndërçelës. Shembuj: a switch of 16 ports — një ndërçelës me 16 porta, Cisco is the biggest manifacturer of computer network switchs — Cisco është fabrikuesi më i madh i ndërçelësave të rrjeteve kompjuterike. 

switching është veprimi sipas foljes switch të sqaruar më sipër. Njësoj si më sipër mund të përdoren fjalë si ndërçelje që ndeshet te [35] f. 47 dhe te [12] f. 78, komutim që ndeshet te [9] f. 121 ose ndërkyçje, duke shmangur kështu fjalën *suiçing*. Shembuj: packet switching network — rrjet me ndërkyçje paketash, circuit switching network — rrjet me ndërkyçje qarku. 

tag është fjalë që përfaqëson etiketat e gjuhës HTML të cilat përcaktojnë karakteristika të ndryshme të formatimit të hipertekstit. Duhet përkthyer etiketë siç haset te [10] f. 175, te [20] f. 51, te [5] f. 86 etj. Në bibliografi ndodh ta ndeshim edhe *tag* si në gjuhën angleze, p.sh. te [1] f. 14 dhe te [1] f. 36. Shembuj: color tags — etiketat e ngjyrave, hyperlink tag — etiketa e hiperlidhjeve. 

template është objekt apo strukturë që përdoret si shembull për të krijuar të tjera si ajo, sa më lehtë. Po e hasim gjithnjë e më shpesh krejt të papërkthyer, pra në formën *templeit*. Në gjuhën shqipe ka fjalë të ndryshme si model, shabllon, gjedhe, që e mbartin kuptimin e saj. Në bibliografi ndeshen më shpesh dy fjalët e para, përkatësisht te [10] f. 116 dhe te [3] f. 38, si dhe te [1] f. 21 e te [5] f. 10. Shembuj: software template — model softueri, design template — shabllon projektimi. 

theme është bashkësi elementesh grafike (p.sh. madhësia dhe stili i shkrimit, ngjyrat, hijet, ndriçimi etj.) që përdoren bashkërisht për të stilizuar një dokument, ndërfaqe grafike apo objekt tjetër virtual. Kjo fjalë ndeshet shpesh *theme* si në gjuhën angleze. Në gjuhën shqipe përdoret fjala temë që mbart kuptime të tjera, por që zgjerohet fare mirë duke mbartur edhe këtë kuptim, si p.sh. te [1] f. 87, te [7] f. 82, te [26] f. 7 etj. Shembuj: default Word theme — tema e paracaktuar Word-it, grayscale theme — temë bardhezi. 

timeline paraqitje grafike e kohës, zakonisht si vijë e zgjatur me data, muaj apo edhe vite dhe me ngjarjet përkatëse të renditura në kohë. Kjo fjalë po merr përdorim të gjerë në rrjetet shoqërore virtuale ku tregon historikun e postimeve të përdoruesve. Në vend që të përdoret pa përkthim, sugjerojmë që të përkthehet kohështrirje. Një tjetër kuptim i kësaj fjale është ai i boshtit horizontal që përfaqëson ndonjë njësi të kohës (sekonda, minuta etj.) në të cilën projektohet si grafik dinamika e ndonjë madhësie tjetër. Në këtë rast, fjala e duhur do të ishte boshti i kohës, dhe jo *rreshti i kohës* siç lexojmë te [3] f. 35 dhe te [3] f. 181 Shembuj: timeline of computer models — kohështrirja e modeleve të kompjuterave, user post timeline — kohështrirja e postimeve të përdoruesit, timeline in seconds — boshti i kohës në sekonda. 

tool është vegël apo mjet që mund të jetë fizik ose virtual, pra program kompjuterik. Përdoret shpesh në sistemet kompjuterike, veçanërisht në kontekstin e programimit ku përdoren mjete softuer për të lehtësuar zhvillimin e softuerëve të rinj. Në vend që të përdoret pa përkthim, kjo fjalë duhet të përkthehet vegël, mjet. Shembuj: user tools — mjetet e përdoruesit, software development tools — vegla për zhvillim të softuerit. 

trick është mënyrë e lehtë, e shpejtë apo e frytshme për të kryer diçka. Kjo fjalë ndeshet në gjuhën e folur në formën *trik*, pra pa përkthim. Në gjuhën shqipe mund të përdorim fare mirë fjalët truk, marifet, siç gjenden te [6] f. 26, te [13] f. 229, te [15] f. 16 etj. Shembuj: a useful trick for fast typing — një marifet i dobishëm për shtypje të shpejtë, learning programming tricks saves a lot of time — mësimi i marifeteve të programimit kursen shumë kohë. 

unsupervised learning bashkësi metodash të mësimit automatik të cilat trajnohen me të dhëna të paetiketuara për të kryer parashikime. Shprehja e duhur në gjuhën shqipe është mësim i pambikëqyrur, ndërsa të mësuarit e pambikëqyrur që ndeshet te [20] f. 34, paraqitet disi e paqartë. 

update ndryshoj diçka duke pasqyruar në të informacionet më të fundit apo duke e pasuruar me njohuritë, teknikat e teknologjitë bashkëkohore. Po hasim gjithnjë e më shpesh *apdejt*, ndërkohë që përkthimi i duhur është përditësoj, siç përdoret te [26] f. 9. Fjalë të tjera te bibliografia si përtërij te [21] f. 84 apo freskoni te [18] f. 56 nuk janë të gabuara, por lidhen më shumë me fjalën refresh. Ndeshen edhe fjalë si *abdetohet* te [11] f. 61 apo *azhurnohen* te [20] f. 93, të cilat janë jo vetëm të papërshtatshme, por edhe qesharake. Shembuj: update the software — përditësoj softuerin, update the user data — përditësoj të dhënat e përdoruesit. 

update është veprimi sipas kuptimit të foljes më sipër, ose vetë entiteti i përditësuar që ka rezultuar nga ai proces. Edhe në këtë rast, në vend të *bëj update* që ndeshet te [6] f. 56, *azhurnim* te [10] f. 99, apo *azhornim* te [11] f. 85 dhe [1] f. 23 duhet të përdoret emri përditësim. Shembuj: regular updates — përditësime të rregullta, monthly updates — përditësime mujore. 

user është fjalë që ka përdorim masiv në thuajse të gjitha kontekstet apo drejtimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Fatkeqësisht, kjo fjalë po haset gjithnjë e më shpesh pa përkthim, pra dëgjojmë *juzër*. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është përdorues, siç e ndeshim te [5] f. 65, te [3] f. 89 etj. Shembuj: user account — llogari e përdoruesit, user rights — të drejtat e përdoruesit. 

weakly supervised learning është bashkësi metodash të mësimit automatik të cilat trajnohen për të kryer parashikime duke përdorur të dhëna me etiketime “artificiale”, pra të gjeneruara automatikisht dhe jo të vendosura nga njerëzit. Shprehja e duhur në gjuhën shqipe është mësim i mbikëqyrur dobët dhe ndeshet te [23] f. 18. 

Mospërkthimet e fjalëve dhe shprehjeve nga fusha e teknologjisë së informacionit përbëjnë një shqetësim të madh, veçanërisht sa i takon botimeve shkollore. me të cilat formohen të rinjtë e të rejat. Një trajtim më i hollësishëm i kësaj problematike jepet te [36].

Referenca 

  1. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  2. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  3. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
  4. Neki Frashëri, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 1 (për shkollën e mesme të profilizuar)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  5. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
  6. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  7. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
  8. Luçiana Toti (Kini): “Elektronika 1”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM), Tiranë, 2014.
  9. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  10. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
  11. Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  12. R. Çani, E. Emiri, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi, S. Riza: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e elektroteknikës)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  13. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  14. Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe problema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë, 2017.
  15. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 1998.
  16. Ilia Ninka: “Sisteme logjike”, SHBLU, Tiranë, 2010.
  17. Agni Dika: “Bazat e Programimit në C++”, Arbëria Design, Tetovë, 2005.
  18. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  19. Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
  20. Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
  21. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 2012.
  22. Agni Dika: “Qarqet Kompjuterike Kombinuese 1”, Adea, Prishtinë, 2005.
  23. Samela Bajraktari: “Zbulimi i Sulmeve në Rrjet Nëpërmjet Teknikave të Mësimit Automatik”, Zenodo, Tetor, 2021.
  24. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  25. University of Columbia: “Dictionary of Computer and Internet Terms (seventh edition)”, Columbia University Press, New York, 2002.
  26. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 7 (për klasën e shtatë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
  27. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 9 (për klasën e nëntë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  28. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 11 (për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2017.
  29. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003.
  30. Mihallaq Maçko: “Praktika me televizorët bardhezi dhe me ngjyra”, 8 Nëntori, Tiranë, 1989.
  31. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Informatika (për Fakultetin e Ekonomisë)”, Tiranë, 2012.
  32. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Sistemet e informacionit të menaxhimit”, Tiranë, 2014.
  33. Nuri Gokaj: “Baza të gjuhësisë së përgjithshme”, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1997.
  34. Michelangelo Grosso, Paolo Prinetto, Maurizio Rebaudengo, Matteo Sonza Reorda: “La programmazione in Assembler x86”, Xlibris, 2012.
  35. S. Kuneshka, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e elektromagnetizmit)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  36. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record 6378930