Terminologji Informatike: Mospërshtatje dhe keqpërshtatje

Veç problemeve të mospërkthimit të fjalëve të huaja ose të futjes së fjalëve të panevojshme vihet re shpesh edhe mospërshtatja e një pjese të fjalëve nga anglishtja. Kjo ndodh kur përkthimi i fjalëve bazohet vetëm te njëfarë “akordimi” i tyre, pa përpjekje për të gjetur fjalë përkuese që lidhen ngushtë me konceptin dhe kuptimin. Më poshtë paraqiten disa fjalë tipike të kësaj kategorie, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).

accelerator është pajisje ose metodë që përdoret për t’i dhënë hov një procesi, për të përshpejtuar ecurinë e tij. Një nga përdorimet më të shpeshta i referohet procesorit grafik të kompjuterit që përshpejton përpunimin dhe shfaqjen e imazheve, siç sqarohet te [1] f. 11. Një huazim që ka hyrë në përdorim është *akselerator*, fjalë që na duket jo bindese, duke pasur parasysh se koncepti mund të shprehet mjaft mirë nga fjala përshpejtues. Shembuj: graphics accelerator — përshpejtuesi i grafikës, hardware accelerator — përshpejtues harduerik.

assignment është operacioni idhënies së vlerës në programim, pra kur një vlerë lidhet me një ndryshore apo objekt tjetër. Një keqpërshtatje e kësaj fjale është *asenjim*, çka është fare e panevojshme. Një fjalë që ndoshta qëndron deri diku është shoqërim, operacioni i shoqërimit që ndeshet te [2] f. 60 dhe te [3] f. 54. Fjala që gjykojmë si më të përshtatshme dhe që ka përdorimin më të gjerë në bibliografi është vlerëdhënie, e cila ndeshet te [4] f. 71, te [5] f. 27, te [6] f. 120 etj. Shembuj: assignment operator — operatori i vlerëdhënies, assignment instruction — udhëzimi i vlerëdhënies.

approach është fjalë që përdoret në ligjërimet tekniko-shkencore për të përshkruar mënyra apo metoda të zgjidhjes së problemeve apo të kon- ceptimit e projektimit të sistemeve. Një përshtatje e gabuar me përdorim të shpeshtë është *përafrim* që ndeshet te [6] f. 192, por që në fakt i shkon për shtat një koncepti tjetër (përafrimet e vlerave në përllogaritje numerike), pra krijon paqartësi. Një tjetër përshtatje e zakonshme është qasje, fjalë e cila qëndron deri dikur dhe që ndeshet te [7] f. 13, te [6] f. 192 etj. Rekomandojmë gjithsesi përdorimin e fjalës përqasje. Shembuj: modular approach — përqasje modulare, top-down approach — përqasje nga kreu-poshtë.

attach shtoj një dokument, imazh apo objekt tjetër në një dërgesë postare apo në një mesazh të postës elektronike. Folja e duhur në gjuhën shqipe është bashkëngjit ose bashkëlidh, siç përdoret saktë te [8] f. 116. Një variant i shtrembëruar është *bashkangjit* që dëgjohet më shpesh në gjuhën e folur. Shembuj: attach an image — bashkëngjit një imazh, attach the code in a .zip file — bashkëngjit kodin në një skedar .zip.

attached është mbiemri që lidhet me foljen më sipër. Edhe në këtë rast, përshtatja e duhur është i,e bashkëngjitur, siç ndeshet te [8] f. 116. Forma *i,e bashkangjitur* duhet shmangur në çdo rast. Shembuj: attached image — imazh i bashkëngjitur, attached PDF documents — dokumente PDF të bashkëngjitur.

attachment 1) veprimi sipas kuptimit të foljes së mësipërme, pra veprimi i shtimit të një dokumenti, imazhi apo objekti tjetër në një dërgesë. Fjala e saktë në këtë rast është bashkëngjitje ose bashkëlidhje, ndërsa foma e shtrembër *bashkangjitje* duhet shmangur. Shembuj: attachment failed, please try again — bashkëngjitja dështoi, ju lutemi të provoni përsëri, multiple attachments — bashkëngjitje të shumëfishta.

attachment 2) objekti që bashkëngjitet në një dërgesë ose në një mesazh të postës elektronike. Fjala e duhur për këtë kuptim është shtojcë. Fjala bashkëngjitje mund të përdoret, por forma *bashkangjitje* duhet shmangur. Shembuj: please check the attachment for the specifications — ju lutemi të kontrolloni shtojcën për specifikimet, PDF attachments — shtojca PDF, the attachment is modified — shtojca është modifikuar.

authenticate vërtetoj identitetin e një përdoruesi për ta lejuar apo jo të hyjë në një sistem apo rrjet kompjuterik. Një formë e keqpërshtatur e kësaj fjale është *autentifikoj*. Njësoj si në rastin e fjalëve diagnostikoj dhe diagnostifikoj nga mjekësia, gjykojmë që forma e duhur për këtë rast është autentikoj. Shembuj: the system is not correctly authenticating every user — sistemi nuk po autentikon saktë çdo përdorues, please authenticate yourself prior to log in — ju lutemi të autentikoheni para se të hyni.

authentication është emri që lidhet me veprimin sipas foljes më sipër. Një formë e keqpërshtatur e tij është *autentifikim*. Ka përhapje të gjerë në bibliografi, p.sh. te [9] f. 84, te [10] f. 7 etj. Njësoj si më sipër, gjykojmë që përshtatja e duhur në gjuhën shqipe duhet të jetë autentikim. Shembuj: weak authentication can lead to critical issues — autentikimi i dobët mund të çojë në probleme kritike, authentication with strong passwords —autentikim me fjalëkalime të forta.

basic që përbën pjesën kryesore dhe të domosdoshme të diçkaje, pjesën mbi të cilën ngrihen elementet e tjera. Ky mbiemër ndeshet shpesh i shtrembëruar në formën *bazik, bazike*, p.sh. te [11] f. 86, te [12] f. 89, te [13] f. 408 etj. Forma *bazik, bazike* është e saktë vetëm kur përdoret në shkencën e kimisë. Forma e duhur për çdo rast tjetër është mbiemri bazë. Shembuj: the basic module of the system — moduli bazë i sistemit, the basic version of the software — versioni bazë i softuerit.

coefficient është simbol apo numër që qëndron përpara një madhësie të cilën e shumëfishon. Në fizike dhe në tekste të inxhinierisë mbart kuptimin e një madhësie që përcakton një cilësi apo veti. Ky koncept i matematikës dhe disiplinave tekniko-shkencore është bërë zakon të shkruhet *kofiçent* apo *koefiçent*, të dyja forma të shtrembëruara që duhen shmangur. Forma e saktë e kësaj fjale është koeficient dhe gjendet e shpjegohet në FGJSSH. Ndeshet edhe në bibliografi, si p.sh. te [14] f. 24, te [15] f. 46, te [16] f. 13 etj. Shembuj: algebraic coefficients — koeficientët algjebrikë, the coefficient of friction — koeficienti i fërkimit.

communicative që ka lidhje me komunikimin, që ka aftësi apo kapacitete për të komunikuar (dhënë dhe marrë) informacion. Fjala e duhur për këtë mbiemër është komunikues. Në disa raste si te [5] f. 50 ndeshet forma *komunikativ* e cila është e panevojshme. Shembuj: communicative skills — aftësi komunikuese, communicative units — njësi komunikuese.

compile është veprimi i kthimit të kodit të shkruar në një gjuhë programimi të nivelit të lartë në kod makine. Një keqpërshtatje e kësaj fjale është *kompajloj* që ndeshet te [3] f. 2. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është kompiloj. Shembuj: compile the source code — kompiloj kodin burimor, compile the source files — kompiloj skedarët burimorë.

compiler është program kompjuterik që përkthen programe të tjera nga gjuhët e nivelit të lartë në gjuhën e makinës. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është kompilator, siç e hasim te [4] f. 96, te [6] f. 62 etj. Një keqpërshtatje e panevojshme është fjala *kompajler* që ndeshet te [3] f. 12. Shembuj: C language compiler — kompilatori i gjuhës C, compiler of high-level languages — kompilator i gjuhëve të nivelit të lartë.

curve është vijë e lakuar e një grafiku që pëfraqëson një dukuri apo ecuri të një madhësie. Po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh fjalën *kurbë* e cila përbën një përshtatje fonetike të pjesshme të fjalës angleze. Sugjerojmë që në vend të saj të përdoret fjala lakore e cila gjendet te [16] f. 39. Shembuj: normal distribution curbe — lakorja e shpërndarjes normale, the curve of a continuous function — lakorja e një funksioni të vazhduar.

define është veprimi i përcaktimit të një koncepti, objekti apo moduli a kodi të një programi. Te [3] f. 288 dhe në raste të tjera ndeshet keqpërshtatja *definoj* e cila duhet shmangur në çdo rast. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është përcaktoj. Shembuj: define a function in C — përcaktoj një funksion në gjuhën C, define a variable as constant — përcaktoj një ndryshore si konstante.

definition shpjegim apo formulim i kuptimit të një fjale, koncepti, metode, etj. Na ndodh të dëgjojmë shpesh *definicion* e cila me siguri vjen nga italishtja (it. definizione). E gjejmë të njëjtën fjalë edhe në bibliografi te [2] f. 55, [3] f. 293 etj. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe i kësaj fjale është përkufizim, përcaktim. Shembuj: clear definition — përkufizim i qartë, function definition — përcaktim i funksionit.

disponibility të qenit i disponueshëm, i gatshëm për të dhënë përgjigje apo shërbim. Gjykojmë që përkthimi i duhur është fjala disponueshmëri. Forma *disponibilitet* ka hyrë pa përshtatje dhe duhet shmangur. Shembuj: software system with high disponibility — sistem softuerik me disponueshmëri të lartë, disponibility is an important feature — disponueshmëria është një cilësi e rëndësishme.

domain është hapësira e vlerave të mundshme të një ndryshoreje ose e emërtimeve në internet që mbarojnë me të njëjtat shkronja. Kjo fjalë e ka origjinën nga matematika ku nënkupton bashkësinë e përcaktimit të një funksioni, pra bashkësinë e vlerave të mundshme të argumentit të tij. Përdorimi u shtri më tej në informatikë për emërtimet në internet. Fatkeqësisht, në rastin e dytë po vihet re një përdorim i shtrembër i fjalës në format *domain* ose *domein*, p.sh. te [17] f. 47, te [12] f. 68, te [18] f. 118 etj. Përkthimi i duhur duhet të jetë i njëjtë me atë në kontekstin e matematikës, pra domen siç shfaqet te [19] f. 158, te [8] f. 110, te [7] f. 22 etj. Shembuj: function domain — domeni i funksionit, taken domain — domen i zënë, public domain — domen publik.

duplicate është kopje identike e diçkaje. Fjala e duhur që shpjegohet edhe në FGJSSH është dublikatë. Fatkeqësisht po ndeshim shpesh fjalën *dublikim*, p.sh. te [9] f. 60. Shembuj: remove the duplicate variable — hiqe ndryshoren dublikatë, duplicates take a lot of memory and should be removed — duplikatat zënë shumë kujtesë dhe duhet të hiqen.

duplicate krijoj një kopje identike të diçkaje. Edhe për foljen kemi fjalën dubloj që gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Një formë e papërshtatshme është *dublikoj* e cila ndeshet te [20] f. 52, te [12] f. 47 etj. Shembuj: duplicate the vector and save the original one — dublo vektorin dhe ruaj origjinalin, duplicate the documents — dubloj dokumentet.

edit në rastet më të zakonshme të përdorimit, kjo folje tregon ndryshim të përmbajtjes së një teksti, dokumenti, skedari apo në përgjithësi objekti virtual. Fatkeqësisht po ndeshet më shpesh pa përshtatje, pra në formën *editoj* si në anglisht. Hasim pra “për të edituar” te [17] f. 35, “krijon dhe editon tekstin” te [12] f. 44 etj. Përkthimi i duhur i kësaj foljeje është redaktoj. Në disa raste, kjo fjalë lidhet me botimin e librave, pra përkthehet botoj. Shembuj: creates and edits the text — krijon dhe redakton tekstin, edit a paragraph — redaktoj një paragraf, edit in large scale — botoj në shkallë të gjerë.

edit është emër foljor që në një nga kuptimet i referohet ndryshimit apo modifikimit të përmbajtjes së një shkrimi, dokumenti apo objekti tjetër virtual. Njësoj si në rastin e foljes, po ndeshet shpesh në formën *editim* çka përbën një mospërshtatje. Lexojmë pra “editimi i skedarëve të tekstit” te [12] f. 10, “editimi i qelizës” te [9] f. 17, “editimi i imazheve” te [7] f. 101 etj. Në secilin prej këtyre rasteve duhet përdorur emri foljor redaktim dhe ndonjëherë korrigjim. Shembuj: text file edit — redaktim i skedarit tekst, a quick edit — një korrigjim i shpejtë, file edit — redaktim i skedarit, image edit — redaktim i imazhit.

editor është emër që në një nga kuptimet i referohet një programi kompjuterik që shërben për shkrimin dhe redaktimin e teksteve. Njësoj si folja përkatëse, edhe emri po përdoret pa përshtatje, pra në formën *editor*. Ndeshim pra “editori i gjuhës Paskal” te [4] f. 62, “editor teksti” te [17] f. 35, “funksionet që përmbush editori” te [21] f. 36 etj. Përkthimi i duhur në këtë kuptim është redaktor, redaktues dhe ndeshet i shkruar saktë në pak raste si te [6] f. 61 dhe në ndonjë rast tjetër. Shembuj: text editor — redaktues teksti, Python language editor — redaktor i gjuhës Python, image editor — redaktor imazhesh.

interactive që edhe jep edhe merr informacion, që lejon kalimin e informacionit në të dyja drejtimet. Kjo fjalë ndeshet shpesh në formën e papërshtatur *interaktiv*, si p.sh. te [22] f. 19, [5] f. 49, [21] f. 60 etj. Përkthimi i duhur është fjala ndërveprues, siç ndeshet te [12] f. 35. Shembuj: interactive system — sistem ndërveprues, interactive interface — ndërfaqe ndërvepruese.

line është fjalë që mbart shumë kuptime, një ndër të cilat është rreshti i tekstit. Shpesh në vend të rresht hasim *linjë*, p.sh. te [18] f. 29. Shembuj: text lines — rreshtat e tekstit, second line of the code — rreshti i dytë i kodit.

margin hapësirat boshe në buzët e një flete shkrimi, dritareje grafike apo objekti virtual. Ndeshet shpesh e mospërshtatur apo e keqpërshtatur në forma si *margin* te [5] f. 5 dhe te [9] f. 46, *marxhina* te [23] f. 50 dhe te [19] f. 144, *marxhe* te [12] f. 73 apo *kufijtë* te [17] f. 23. Përkthimi i duhur është kontur ose anësore, e cila ndeshet e përdorur saktë te [21] f. 69. Shembuj: left margin — anësorja e majtë, page margins — konturet e faqes.

memory është njësi apo pajisje që përdoret për ruajtjen e informacionit me qëllim përdorimin e mëvonshëm të tij. Fjala shqipe kujtesë e mbart plotësisht kuptimin e këtij koncepti dhe ndeshet te [15] f. 209, te [24] f. 149 etj. Fatkeqësisht po përdoret masivisht fjala *memorje* si në gjuhën e folur edhe në botime. E ndeshim p.sh. te [4] f. 111, te [17] f. 8, te [21] f. 9 etj. Shembuj: main memory — kujtesa qendrore, stable memory — kujtesë e qëndrueshme.

menu ndeshet ndër të tjera te dritaret e programeve grafike ose te faqet ueb dhe shërben për ta drejtuar përdoruesin në komanda të ndryshme të programit ose në seksione të ndryshme të faqes. Kjo fjalë është huazuar prej kohësh si në formën e saj origjinale, pra menu, formë që e gjejmë te [25] f. 123. Në disa raste si te [8] f. 89, te [26] f. 29 etj. ndeshet forma *meny*, me siguri e ndikuar nga mënyra sesi shqiptohet kjo fjalë në gjuhën gjermane (gjerm. menü). Shembuj: the menu of commands — menuja e komandave, find the command in the menu — gjeje komandën te menuja.

navigation është veprimi i lundrimit, pra i kalimit nga një faqe te një faqe tjetër në internet. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është lundrim. Në tekste të ndryshme si te [23] f. 12, te [5] f. 56, te [21] f. 49 etj. ndeshet forma *navigim* e cila është e papërshtatur. Shembuj: internet navigation — lundrimi në internet, improved navigation speed — shpejtësi e përmirësuar e lundrimit.

preventive që ka mundësi të shmangi ose parandalojë probleme apo efekte negative. Në teknologjinë e informacionit sugjerojmë që të përdoret fjala parandalues. Fjala *preventive* po ndeshet gjithnjë e më shpesh, p.sh. te [5] f. 65. Disa kuptime të saj gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH dhe mund të përdoren në financë, mjekësi etj. Shembuj: preventive measures — masa parandaluese, preventive maintenance — mirëmbajtje parandaluese.

query është fjalë që ndeshet shpesh në terminologjinë e bazave të të dhënave. Nisur nga shembujt që ndeshim te [27], si dhe nga përdorimi te [6] f. 65 dhe te [18] f. 90, sugjerojmë që kjo fjalë të përkthehet pyetësor, pyetës, të cilat që gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Fjala *kërkesë* që ndeshet te [10] f. 32 krijon paqartësi. Duhet shmangur në çdo rast edhe përdorimi i fjalës *query* pa asnjë përkthim, siç ndodh te [19] f. 105, te [28] f. 8, te [20] f. 50 etj. Shembuj: query language — gjuhë pyetësorësh, query result — rezultati i pyetësorit.

record është një njësi që paraqitet si një rreshtim vlerash të ndryshme, zakonisht në një tabelë të bazës së të dhënave, në një skedar apo strukturë tjetër mbajtëse. Në disa botime si te [29] f. 140, te [24] f. 11, te [19] f. 94 etj., kjo fjalë është përkthyer saktësisht regjistrim. Në disa të tjera si te [20] f. 53, te [8] f. 26, te [9] f. 62 etj., paraqitet *rekord* si në anglisht, fjalë që në gjuhën shqipe paraqet një koncept tjetër. Shembuj: a table of 100 records — një tabelë me 100 regjistrime, a record of 5 fields — një regjistrim me 5 fusha.

scope është fusha apo zona ku një njësi e një programi (p.sh. një ndryshore) është e dukshme apo vepruese. Në bibliografi kjo fjalë përkthehet në forma të ndryshme, si “dukshmëri” te [2] f. 217 dhe [3] f. 370, “zona e njohjes” te [5] f. 26 apo “zonë e veprimit” te [25] f. 25. Këto përshtatje mund të mos jenë plotësisht të pavlefshme, por mbartin gjithsesi paqartësi. Emërtimi më i përshtatshëm për këtë koncept është fushëveprim, fushë e veprimit. Shembuj: this variable has local scope — kjo ndryshore ka fushëveprim lokal, global scope declarations are not always appropriate — deklarimet me fushëveprim global nuk janë gjithnjë të përshtatshme.

silicon është fjala për elementin kimit silic, elementi me numër 14 në tabelën periodike i cili është shfaqur kohë më parë nëpër fjalorë, p.sh. te [30] f. 187. Për fat të keq, për shkak të ngjashmërisë së fjalës silicon me fjalën tjetër silicone e cila përfaqëson materialin sintetik të protezave, fjala silicon po përkthehet masivisht *silikon* në bibliografi. Kjo ndodh p.sh. te [21] f. 11, te [6] f. 12, te [21] f. 11 etj. Shembuj: silicon electronics — elektronika e silicit, silicon integrated circuit — qark i integruar silici.

tabular që është organizuar si tabelë, pra si një strukturë me rreshta dhe shtylla. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është tabelor, tabelore e cila ndeshet rrallë në biblografi. Për fat të keq hasim më shpesh fjalë të tjera si p.sh. *tabular* ose *tabulare* te [20] f. 72 dhe te [15] f. 68 ose *tabelare* te [15] f. 138. Shembuj: tabular format — format tabelor, tabular method — metodë tabelore, tabular representation — paraqitje tabelore.

visual që paraqitet apo ilustrohet grafikisht, pra në mënyrë të dukshme. Po përdoret gjithnjë e më shpesh fjala *vizual* që nuk përbën shqipërim të mirfilltë. Në bibliografi e ndeshim te [22] f. 18, te [7] f. 107, te [21] f. 134 etj. Një fjalë tjetër e përshtatur pak më mirë është *viziv* që ndeshet te [20] f. 57 dhe te [23] f. 71. Në vend të tyre sugjerojmë të përdoret fjala pamor, pamore, që e mbart më së miri kuptimin. Shembuj: visual system — sistem pamor, visual representation — paraqitje pamore, visual effects — efektet pamore.

visually ndajfolje që lidhet me kuptimin e mbiemrit më sipër, pra që tregon mënyrën pamore apo grafike të paraqitjes. Po ndeshim shpesh fjalën *vizualisht*, p.sh. tek [17] f. 41. Në vend të saj sugjerojmë përdorimin e fjalës grafikisht, e cila e mbart më së miri kuptimin. Shembuj: visually depicted — përshkruar grafikisht, visually oriented — i orientuar grafikisht.

Referenca

  1. Daniela Cancila, Stefano Mazzanti: “Il dizionario enciclopedico di informatica (inglese-italiano, italiano-inglese)”, Zanichelli, Bologna, 2009.
  2. Agni Dika: “Programimi i Orientuar në Objekte në C++”, Arbëria Design, Tetovë, 2008.
  3. Agni Dika: “Bazat e Programimit në C++”, Arbëria Design, Tetovë, 2005.
  4. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  5. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  6. Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
  7. Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
  8. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  9. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
  10. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 11 (për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2017.
  11. Nuri Gokaj: “Baza të gjuhësisë së përgjithshme”, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1997.
  12. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
  13. Agni Dika: “Qarqet Kompjuterike Kombinuese 1”, Adea, Prishtinë, 2005.
  14. S. Kuneshka, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi, S. Riza: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e mekanikës)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  15. Ilia Ninka: “Sisteme logjike”, SHBLU, Tiranë, 2010.
  16. Luçiana Toti (Kini): “Elektronika 1”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM), Tiranë, 2014.
  17. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  18. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  19. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
  20. Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  21. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  22. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Sistemet e informacionit të menaxhimit”, Tiranë, 2014.
  23. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  24. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 1998.
  25. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003.
  26. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
  27. Paolo Atzeni, Stefano Ceri, Stefano Paraboschi, Riccardo Torlone: “Basi di dati: Modelli e linguagi di interrogazione (Terza edizione)”, McGrow-Hill, 2009.
  28. Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe problema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë, 2017.
  29. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 2012.
  30. M. Karajani, K. Popa, A. Xoxe, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e kimisë)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.