Terminologji Informatike: Mungesa dhe neologjizma
Krahas përtesës në përkthime apo përkthimeve pa përshtatje të vëna në dukje në shkrime të mëparshme, një problem tjetër përbëjnë edhe fjalët e munguara, të cilat do të duhej të zëvendësonin shumë fjalë angleze. Mungesa e përpjekjeve fjalëformuese në vitet e fundit ka qenë një arsye pse këto mungesa nuk janë plotësuar dhe rrjedhimisht kanë lënë shteg për futje të fjalëve të huaja përkatëse pa shqipërimin e duhur. Më poshtë po sjellim disa shembuj tipikë si edhe neologjizmat përkatëse të bazuara kryesisht te përngjitja apo kompozimi i rrënjëve ekzistuese në gjuhën shqipe. Variantet e propozuara jepen me shkrim të drejtë dhe të theksuar, ndërsa variantet e papërshtatshme paraqiten midis simboleve * (yllth).
at është simboli @ që përdoret përpara emrit të përdoruesit në rrjetet shoqërore dhe tek adresat e postës elektronike ku lidh emrin e përdoruesit me emrin e domenit. Kjo fjalë po shqiptohet thuajse gjithnjë si në anglishte, pra *et*. Sugjerojmë që të përkthehet arreth (a në rreth), fjalë që lidhet me formën e simbolit. Shembuj: use at symbol to refer to the users — përdorni simbolin arreth për t’iu referuar përdoruesve, at symbol has special meaning — simboli arreth ka kuptim të veçantë.
benchmark si folje do të thotë vlerësoj duke krahasuar, vë në bankë prove; vlerësoj në mënyrë krahasuese shpejtësinë apo cilësi të tjera të një objekti apo sistemi. Kjo është një fjalë e vështirë që ka qenë mungesë e hershme. Propozimi ynë është fjala bankëshënoj e cila lidhet me etimologjinë e fjalës benchmark. Shembuj: benchmark the execution time — bankëshënoj kohën e ekzekutimit, benchmark the new computer — bankëshënoj kompjuterin e ri.
benchmark 1) si emër foljor nënkupton veprimin e vlerësimit krahasues. Njësoj si folja përkatëse, ky emër ka përbërë mungesë prej shumë vjetësh. Propozimi ynë është përdorimi i fjalës bankëshënim. Shembuj: program runtime benchmark — bankëshënim i kohës së ekzekutimit të programit, comparative system benchmarks — bankëshënime krahasuese të sistemit.
benchmark 2) në këtë rast kemi të bëjmë me një model, objekt apo shkallë matëse që merret si standard për krahasimin e objekteve apo modeleve të tjera midis tyre. Ky kuptim mbartet mjaft mirë nga fjala etalon që përdoret prej kohësh në shumë disiplina teknike. Shembuj: the kilogram benchmark is an osenium-iridium cylinder — etaloni i kilogramit është një cilindër prej oseniumi dhe iridiumi, multi-core system benchmark — etalon i sistemit shumëbërthamësh.
bold është mbiemër që i referohet llojit të shkrimit me shkronja të theksuara nga vijat më të trasha dhe më të errëta se në shkrimin e zakonshëm. Përkuesi i tij në gjuhën shqipe përbën një mungesë të kahershme. Ndodh shpesh në gjuhën e folur të dëgjojmë format *bolld* apo *i bollduar*, të cilat janë qesharake. Nëse i referohemi bibliografisë, gjejmë përpjekje për ta zëvendësuar me shprehje si “me të theksuara, me të trasha” te [1] f. 83, “me të nxirë” te [2] f. 60 etj. Këto fjalë e shprehje janë gjithsesi jo të përgjithshme, duke qenë se ky lloj shkrimi është i pavarur nga ngjyra, e cila mund të mos jetë detyrimisht e zezë. Propozimi është që veç fjalës i,e theksuar e cila vlen në disa raste, të përdoren edhe fjalët bojëtrashë, bojëtrashur të cilat i afrohen thelbësisht konceptit dhe mbulojnë kuptimisht të gjitha rastet e përdorimit të këtij shkrimi (p.sh. edhe rastet e tekstit në temë të errët, pra kur kemi sfond të zi dhe shkrim të bardhë e të theksuar). Shembuj: a bold paragraph — një paragraf bojëtrashë, the bold text is more visible — teksti i bojëtrashur është më i dukshëm.
top-down është përqasje apo metodologji e njohur për zgjidhjen e problemeve apo projektimin e sistemeve, e cila e nis procesin nga problemi tërësor të cilin e ndan vazhdimisht në nënprobleme më të vogla e të thjeshta duke zbritur e përfunduar në probleme elementare që zgjidhen lehtë. Edhe këtu kemi të bëjmë me një mungesë të hershme, ndaj dhe në botime të ndryshme si te [3] f. 65 e ndeshim pa përkthim, pra në format *top-daun*, *top daun* ose *top-down*. Propozimi ynë është nga kreu-poshtë. Shembuj: top-down system development — zhvillim nga kreu-poshtë i sistemit, top-down approach — përqasje nga kreu-poshtë.
bottom-up është përqasje apo metodologji e njohur për zgjidhjen e problemeve apo projektimin e sistemeve që e nis procesin nga zgjidhja apo ndërtimi i pjesëve fundore, të cilat bashkohen hap pas hapi për të dhënë zgjidhjen apo sistemin e plotë. Edhe këtu kemi të bëjmë me një mungesë të hershme në gjuhën shqipe. Haset, pra, përdorimi në format *botëm-ap*, *botëm ap*, p.sh. te [3] f. 64. Propozimi ynë është nga fundi-sipër. Shembuj: bottom-up system development — zhvillim nga fundi-sipër i sistemit, bottom-up approach — përqasje nga fundi-sipër.
decrement është fjalë që përdoret në kontekstin e programimit dhe nënkupton veprimin e zvogëlimit apo të zbritjes me 1 të vlerës së një ndryshoreje që mban një numër të plotë. Kjo fjalë përbën mungesë dhe ndeshet shpesh në formën *dekrement*. Propozimi ynë është fjala njëzbritje e cila lidhet ngushtësisht me konceptin dhe veprimin e nënkuptuar. Shembuj: iterative decrement — njëzbritje përsëritëse, index decrement — njëzbritje e indeksit.
decrement si folje shpreh veprimin e zvogëlimit apo të zbritjes me 1 të vlerës së një ndryshoreje që mban një numër të plotë. Kjo folje ndeshet në formën *dekrementoj*. Sugjerimi ynë është fjala njëzbres, e cila lidhet ngushtësisht me konceptin dhe veprimin e nënkuptuar. Shembuj: decrement the counter — njëzbres numëratorin, decrement the variable iteratively — njëzbres ndryshoren në mënyrë të përsëritur.
embolden përdoret si folje kur shkruajmë një fjalë apo pjesë teksti me shkrim të theksuar për ta dalluar nga fjalët e tjera. Njësoj siç propozojmë mbiemrat bojëtrashë, i,e bojëtrashur për fjalën bold, propozojmë gjithashtu foljen bojëtrash për fjalën embolden. Shembuj: embolden the entire paragraph — bojëtrash të gjithë paragrafin, embolden every title — bojëtrash çdo titull.
ergonomics është fushë që studion nërverprimin e njerëzve me pajisjet në mjedisin e punës, për të rritur prodhueshmërinë dhe shmangur rreziqet ndaj shëndetit. Kjo fjalë mund të shqipërohet ergonomi, për analogji me fjalët e fushave studimore apo profesioneve të ndryshme. Shembuj: ergonomics specialist — specialist ergonomie, ergonomics training — trajnim rreth ergonomisë.
incorporated cilëson diçka që është e bashkuar në trupin apo përbërjen e diçkaje tjetër më të madhe. Përdoret për të përshkruar njësi me funksione të veçanta që janë të implementuara në brendësi të sistemeve apo të njësive më të mëdha. Këtë mbiemër e ndeshim shpesh të përkthyer në formën *i inkorporuar*, p.sh. te [4] f. 15. Kjo formë nuk përbën shqipërim, por është në një linjë me origjinën latine të fjalës trup (lat. corpus, it. corpo). Propozojmë si shqipërim të mirëfilltë fjalën i,e trupëzuar. Shembuj: incorporated unit — njësi e trupëzuar, incorporated function — funksion i trupëzuar.
increment është veprimi i rritjes me 1 të vlerës së ndonjë ndryshoreje që mban një numër të plotë në kodin e programit. Njësoj si fjala decrement, kjo fjalë nuk ka gjetur përkuese në gjuhën shqipe dhe ndeshet shpesh në formën *inkrement* ose *inkrementim*, p.sh. te [5] f. 61 ose te [6] f. 39. Propozimi ynë është fjala njërritje, e cila lidhet ngushtësisht me konceptin dhe veprimin e nënkuptuar. Kur është fjala për rritje të paspecifikuar të vlerës mund të përdoret fjala rritje e cila është më e përgjithshme. Shembuj: iterative increment — njërritje përsëritëse, index increment — njërritje e indeksit.
increment si folje është rritja me 1 e vlerës së një ndryshoreje që mban një numër të plotë në kodin e një programi kompjuterik. Në gjuhën shqipe kjo folje ndeshet në formën *inkrementoj*. Propozimi ynë është fjala njërrit e cila lidhet ngushtësisht me konceptin dhe veprimin e nënkuptuar. Në rastet e rritjes pa specifikim të vlerës mund të përdoret fjala rrit e cila është më e përgjithshme. Shembuj: increment the counter — njërrit numëratorin, increment the variable iteratively — njërrit ndryshoren në mënyrë të përsëritur.
initialize si folje në kontekstin e programimit shpreh veprimin e vendosjes së një vlere fillestare te një ndryshore, objekt apo njësi tjetër e kodit. Në bibliografi ka prurje jo të përshtatshme si p.sh. *inicializoj* që ndeshet te [7] f. 82, te [3] f. 142, te [8] f. 54 etj. Në vend të tyre propozojmë fjalën vlerënis (nis vlerën) e cila e shpreh mjaft mirë veprimin në fjalë. Shembuj: initialize integer variables to 0 — vlerënisini në 0 ndryshoret e numrave të plotë, use quotes to initialize strings — përdorni thonjëzat për të vlerënisur germëvargjet.
initialization shpreh veprimin sipas foljes më sipër. Edhe për emrin gjejmë prurje të panevojshme si *inicializim* që ndeshet te [9] f. 145, te [10] f. 26, te [5] f. 63 etj. Në ndonjë rast si te [6] jepet shpjegimi vlerëdhënie, çka i përket një fjale dhe koncepti tjetër. Propozimi ynë është fjala vlerënisje (nisje e vlerës). Shembuj: variable initialization — vlerënisja e ndryshores, quick initialization — vlerënisje e shpejtë.
key është çelës i vendosur në tastierë që shtypet për të shkruar simbolin të cilit i përkon. Për këtë njësi fizike është përdorur tradicionalisht emri tast, tasti, taste, tastet, siç gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Në bibliografi vëmë re që fjala paraqitet e shtrembëruar, si p.sh. *tasto* te [11] f. 64, *tastën* te [12] f. 104, *tastat* te [13] f. 5 apo *tastos* te [14] f. 54. Duhet theksuar se në pajisjet e sotme që kanë ekrane me prekje dhe tastiera virtuale, kjo njësi nuk gjendet si çelës që shtypet, por si buton grafik që preket. Në këto raste sugjerojmë të përdoret fjala prekël. Shembuj: mechanical keyboards have big keys — tastierat mekanike kanë taste të mëdhenj, virtual keyboard with very sensitive keys — tastierë virtuale me prekla shumë të ndjeshme.
printer është pajisje e lidhur me një kompjuter që merr komanda prej tij për të shtypur në letër shkresa, dokumente, libra apo objekte të tjera informacioni. Kjo fjalë përbën një mungesë të rëndësishme dhe po përdoret masivisht *printer*, pra pa asnjë përpjekje për shqipërim me një fjalë më të përshtatshme. Përveçse në tekstet e teknologjisë së informacionit, fjala *printer* ka hyrë edhe në botime të tjera si te [15] f. 61, te [16] f. 192 etj. Njësoj si folja print, shqetësim të madh përbën fakti që forma *printer* ka hyrë në FGJSSH (botimi i vitit 2006) duke ligjëruar kështu mungesën e përpjekjeve për shqipërim të saj, pra, përbën një gabim serioz. Propozimi ynë është fjala gjurmështypës bazuar në disa konsiderata. Së pari, morfema print në gjuhën angleze përputhet me gjurmë në gjuhën shqipe (fingerprints — gjurmët e gishtave) që në këtë rast lidhet me gjurmët e shkronjave apo imazheve që pajisja lë në letër. Së dyti, në të gjitha breznitë e pajisjes, shkrimi i shkronjave apo imazheve në letër është kryer duke shtypur apo hedhur bojën në letër me teknika të ndryshme si goditje mekanike, polarizim elektromagnetik, rreze laser etj. Së treti, morfema shtypje e bën këtë fjalë të përputhshme me familjen ekzistuese shtypshkronjë, shtypi i ditës, shkrim shtypi, shkronjë shtypi, shtyp, për analogji me fjalët la stampa, stampare, stampante, stampatrice të gjuhës italiane. Shembuj: a laser printer — një gjurmështypës laser, duplex printer — gjurmështypës dyanësh.
shortcut 1) kuptimi i parë i kësaj fjale është ai i një shtypjeje të kombinuar të disa tasteve për të kryer një veprim apo ekzekutuar një komandë shkurt dhe shpejt. Në të folur haset rëndom fjala *shortkat*, pa përpjekje për ta shqipëruar. E njëjta gjë vihet re edhe në botime të ndryshme si te [4] f. 84, te [5] f. 78 etj. Edhe kalku *shkurtprerje* (ose prerje shkurt) që ndeshet te [11] f. 53 nuk na duket i përshtatshëm. Propozimi ynë është fjala shkurtore. Shembuj: Ctrl + C is the copy command shortcut — Ctrl + C është shkurtorja e komandës së kopjimit, quick shortcut — shkurtore e shpejtë.
shortcut 2) kuptim tjetër i kësaj fjalë është ai i një skedari në një ndërfaqe të sistemit operativ, i cili nuk përmban informacion, por shënjon te një skedar apo direktori dhe të çon tek ajo. Edhe për këtë kuptim haset në gjuhën shqipe fjala *shortkat*, p.sh. te [17] f. 43, te [18] f. 6 etj. Propozimi ynë është përsëri fjala shkurtore, duke e bërë dallimin nga kuptimi i mësipërm nëpërmjet kontekstit të përdorimit. Shembuj: shortcut icon — ikonë e shkurtores, user directory shortcut — shkurtore e direktorisë së përdoruesit.
slide është fotografi a vizatim me tekst e figura që krijohet në kompjuter e shihet në ekranin e tij dhe që më pas projektohet në mur apo në ndonjë pëlhurë të bardhë. Edhe kjo fjalë nuk po përkthehet, ndaj ndeshim çdo ditë e më shumë *slide*, si p.sh. te [19] f. 63, te [4] f. 74 apo te [18] f. 82. Haset edhe me njëfarë përshtatje në formën *slajd*, si p.sh. te [19] f. 71 apo te [17] f. 128. Deri disa vite më parë ka pasur përhapje fjala diapozitiv (it. diapositiva) e cila përbën huazim nga italishtja dhe gjendet jo vetëm në FGJSSH, por edhe në ndonjë botim si te [19] f. 93. Propozimi ynë është fjala ndërpamje (pamje për ndërveprim ose ndërkomunikim), e cila është plotësisht shqip dhe lidhet mirë me konceptin dhe kuptimin e tij. Shembuj: a presentation of twenty slides — një prezantim me njëzet ndërpamje, projecting the slides — projektimi i ndërpamjeve.
string është bashkësi karakteresh shkronjore, numerike apo të veçanta që ndjekin njëra-tjetrën dhe që në kodin e programeve shkruhen brenda thonjëzave teke apo çifte. Edhe kjo fjalë nuk është shqipëruar, ndaj haset shpesh e papërkthyer ose e papërshtatur. Ndeshim *string* te [20] f. 7, te [12] f. 48, te [21] f. 49 etj. Ndeshim gjithashtu variante të tjera si *stringu*, *stringun* te [10] f. 44, te [22] f. 32, etj., ose *stringjet*, *stringjeve*, te [2] f. 36, te [10] f. 44 etj. Në disa raste si te [10] f. 30 dhe te [7] f. 118, fjala haset e përkthyer “varg karakteresh”, shprehje që është e qartë, por që nuk është praktike në përdorim. Fjala e shkurtër “varg” që përdoret te [11] f. 70 dhe te [19] f. 141 është praktike, por e paqartë, sepse krijon ngatërresa me vargjet numerike. Nisur nga këto konsiderata, propozimi ynë është fjala germëvarg që është praktike dhe e shpreh shumë mirë konceptin në fjalë. Shembuj: string of special symbols — germëvarg karakteresh të veçanta, string concatenation — bashkim i germëvargjeve.
subscript është shkronjë (ndonjëherë edhe fjalë), numër apo simbol që shkruhet apo shtypet pak më poshtë se vija e shkrimit të një rreshti, dhe që shpesh lidhet me një tjetër simbol për të paraqitur një specifikë të tij. Për këtë fjalë gjejmë përkthime të ndryshme në tekste, si “shkrim poshtë” te [1] f. 106 ose “shenjë e zhvendosur poshtë” tek [1] f. 84. Të dy këta shembuj na duken jo praktikë për përdorim dhe në vend të tyre propozojmë fjalën nëntekst. Shembuj: the subscript i designates the index — nënteksti i tregon indeksin, this subscript is invisible — ky nëntekst është i padukshëm.
substring është germëvarg më i shkurtër që merret nga një germëvarg më i gjatë, ose që bashkohet me të tjerë. Nisur nga shembujt e shumtë të fjalëve me parashtesën sub- të cilat në gjuhën shqipe vijnë me nën-, gjykojmë që fjala e duhur në këtë rast është nënvarg. Dallimi nga nënvargjet numerike mund të kuptohet nga konteksti apo rasti konkret i përdorimit, siç vëmë re te [12] f. 52. Shembuj: obtain two substrings — përftoj dy nënvargje, concatenate many substrings in a single one — bashkoj shumë nënvargje në një të vetëm.
subtext në një prej kuptimeve është fjalë e njëvlershme me fjalën subscript të diskutuar më sipër. Për të njëjtat arsye si më sipër, propozojmë fjalën nëntekst si përkthim të saj në gjuhën shqipe.
superscript është shkronjë (ndonjëherë edhe fjalë), numër apo simbol që shkruhet apo shtypet pak më sipër se vija e shkrimit të një rreshti, dhe që shpesh lidhet me një tjetër simbol për të paraqitur një specifikë të tij. Njësoj si për fjalën subscript, edhe për këtë fjalë gjejmë përkthimet “shkrim lart” te [1] f. 106 dhe “shenjë e zhvendosur lart” tek [1] f. 84. Në vend të tyre propozojmë të përdoret fjala mbitekst. Shembuj: the superscript n designates the dimension — mbiteksti n tregon përmasën, this superscript is invisible — ky mbitekst është i padukshëm.
supertext në një prej kuptimeve është fjalë e njëvlershme me fjalën superscript të diskutuar më sipër. Për të njëjtat arsye si më sipër, propozojmë fjalën mbitekst si përkthim të saj në gjuhën shqipe.
trackball është pajisje kompjuterike hyrëse që përfshin një sferë të rrotullueshme me të cilën përdoruesi kontrollon e lëviz kursorin në ekran. Edhe kjo fjalë haset në gjuhën shqipe vetëm në trajtë të huazuar, pra *trackball*. Në disa raste si te [17] f. 29 dhe te [7] f. 45 ndeshet e përkthyer “sfera rrotulluese” që deri dikur qëndron. Propozimi ynë është fjala gjurmësferë e cila është më e përmbledhur dhe lidhet shumë mirë me strukturën dhe funksionin e pajisjes. Shembuj: use the trackball instead of the mouse — përdor gjurmësferën në vend të miushit, the trackball is brocken — gjurmësfera është e prishur.
tuple është strukturë të dhënash që paraqitet si një varg prej dy apo më shumë vlerash nga tipa të çfarëdoshëm. Në bibliografi e gjejmë kryesisht në formën *n-ështe*, p.sh. te [12] f. 79, te [7] f. 191 etj. Në ndonjë rast si p.sh. te [12] f. 80 e gjejmë të përkthyer *regjistrim* çka gjykojmë që duhet shmangur, duke pasur parasysh se “regjistrim” përdoret për koncepte të tjera. Nisur nga fakti që në FGJSSH kemi dyshe, treshe, etj., gjykojmë që shkrimi i duhur i kësaj fjale duhet të jetë nëshe, pra pa vizë ndarëse. Shembuj: a tuple of strings — një nëshe germëvargjesh, tuples are immutable in Python — nëshet janë të pandryshueshme në Python.
wireless është sistem i transmetimit të informacionit elektronik që përdor sinjale valore, pra që nuk përdor fije apo kabllo përcjellëse. Edhe kjo fjalë përbën një mungesë të rëndësishme dhe e ndeshim në përditshmëri të papërkthyer, pra dëgjojmë shpesh *uaiërless*. Në bibliografi ndeshet në formën *wireless*, si p.sh. te [13] f. 82, te [22] f. 6 etj. Propozimi ynë janë emrat valor (valori, valorë, valorët ) dhe jokabllor që lidhen drejtpërdrejt me fjalën angleze wireless dhe me kuptimin e saj. Shembuj: the wireless is off — valori është i fikur, the wireless signal is weak — sinjali i jokabllorit është i dobët.
wireless është mbiemri që tregon mënyrën e transmetimit të informacionit, pra duke përdorur valë në vend të lidhjeve me kabllo. Në ngjashmëri me emrin më sipër, edhe ky mbiemër ndeshet në forma të ndryshme si “pa kabulla” te [10] f. 70, “pa kabllo” te [8] f. 64, “pa tel” te [6] f. 15 etj. Njësoj si më sipër, ne propozojmë mbiemrin jokabllor që mund të përdoret këmbyeshëm me mbiemrin valor. Shembuj: wireless network — rrjet valor, wireless communication technology — teknologji jokabllore komunikimi.
Referenca
- Neki Frashëri, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 1 (për shkollën e mesme të profilizuar)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
- Agni Dika: “Bazat e Programimit në C++”, Arbëria Design, Tetovë, 2005.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të ërgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
- Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 11 (për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2017.
- Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-
vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020. - Agni Dika: “Programimi i Orientuar në Objekte në C++”, Arbëria Design,
Tetovë, 2008. - Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i
Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010. - Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
- Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome:
“Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010. - Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 1998.
- Mustafa Ibrahimi: “Fjalor i zhargoneve dhe eufemizmave shqiptare”, Interlingua, Shkup, 2009.
- Vinçens Marku: “Fjalor i Rimave”, FIORENTIA, Shkodër, 2016.
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 7 (për klasën e shtatë të arsimit
9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020. - Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi
natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008. - Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të
përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003. - Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
- Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe prob-
lema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë,
2017.