fbpx

Terminologji Informatike: Parashtesa DE

Veç problemeve drejtshkrimore të vëna në dukje në shkrimet e mëparshme, problemet me parashtesat dhe prapashtesat janë gjithashtu të zakonshme. Parashtesat dhe prapashtesat luajnë një rol të rëndësishëm në fjalëformim dhe përbëjnë veçori dalluese të gjuhëve nga njëra-tjetra. Ndodh shpesh që fjalët e huazuara nga gjuha angleze të sillen pa përshtatje, dhe në këtë rast me përshtatje nënkuptojmë pikërisht ndryshimin e parashtesës apo prapashtesës së fjalës nga gjuha burimore në përputhje me rregullsitë fjalëformuese të gjuhës shqipe. Vihen re përdorime të papërshtatshme ose të tepruara të parashtesave en-, de- dhe hyper-, si dhe të prapashtesave -al, -er, -acion, -tive dhe -icien. Parashtesa de- ka natyrë mohuese dhe në gjuhën angleze haset tipikisht fillim të foljeve të cilat tregojnë çaftësim, prapësim apo zhbërje të një procesi, në emrat foljorë që rezultojnë. Duhet theksuar se parashtesa de- është disi e pranishme edhe në gjuhën shqipe, veçanërisht në ligjërimin libror të disiplinave të ndryshme shkencore, ndër të cilat edhe teknologjia e informacionit. Duhet nxitur, gjithsesi, që krahas fjalëve me parashtesën de- të përdoren edhe fjalët me nistore sh-, ç-, zh- të gjuhës shqipe që përbëjnë veçori dalluese të saj. Më poshtë po japim disa shembuj fjalësh me përdorim të shpeshtë, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).

decapsulation është veprimi i kundërt i kapsulimit, pra nxjerrja e diçkaje nga kapsula ku është e vendosur. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është shkapsulim, por mund të përdoret edhe fjala dekapsulim. Shembuj: code decapsulation — shkapsulim i kodit, data decapsulation proces — procesi i shkapsulimit të të dhënave.
decode përdoret kur kthejmë një strukturë informacioni nga paraqitja e koduar në paraqitjen origjinale, pra zhbëjmë procesin e kodimit. Fjala e shqipëruar është shkodoj, por mund të përdoret edhe dekodoj. Një formë e gabuar foljore e hasur në bibliografi është *çkodoj* te [1] f. 9. Shembuj: decode a signal — shkodoj një sinjal, decode the transmission — shkodoj transmetimin.
decoding është veprimi apo procesi i shkodimit, pra zhbërja e kodimit. Mund të përdoren fjalët shkodim, dekodim. Shembuj: signal decoding algorithm — algoritëm për shkodimin e sinjaleve, automatic decoding — shkodim automatik.
decompression është veprimi i kundërt me atë të ngjeshjes, pra veprim që kthen mbrapsht objektin origjinal nga ai i ngjeshur. Duhet të nxitet pra përdorimi i fjalës çngjeshje krahas fjalës dekompresim që gjithashtu është e përdorshme dhe haset te [2] f. 37. Shembuj: archive decompression — çngjeshje e arkivit, decompression algorithm — algoritëm i çngjeshjes.
deconvolution është veprimi i kundërt me atë të thurjes, pra veprim matematik që kthen mbrapsh thurjen. Duhet shmangur fjala *dekonvolucion* (it. deconvoluzione) dhe të përdoret në vend të saj fjala shthurje. Shembuj: deconvolution of a matrix — shthurje e një matrice, deconvolution function — funksion i shthurjes.
decrypt është folje që përdoret kur prapësojmë veprimin apo procesin e kriptimit, pra marrim informacionin origjinal nga ai i kriptuar. Mund të përdoren fjalët shkriptoj, dekriptoj. Shembuj: decrypt a secret message — shkriptoj një mesazh sekret, decrypt the transmitted data — dekriptoj të dhënat e transmetuara.
decryption është emri foljor që shpreh veprimin apo procesin e zhbërjes së kriptimit. Për këtë fjalë mund të përdoren shkriptim, dekriptim, por duhet shmangur fjala e gabuar *çkodifikim*, e cila ndeshet te [1] f. 135. Shembuj: the decryption is impossible — shkriptimi është i pamundur, message dectyption machine — makinë për shkriptim mesazhesh.
decipher është sinonim i decrypt, pra mund të përkthehet shkriptoj, dekriptoj, ose edhe deshifroj sipas rastit të përdorimit. Shembuj: decipher a symetrik encryption — shkriptoj një kriptim simetrik, decipher ancient writings — deshifroj shkrime të lashta.

Si fjalë të tjera angleze, përkthimet e të cilave përfshijnë parashtesat nistore sh, ç, zh, por edhe format përkatëse me parashtesën de, mund të përmendim decomposition që përkthehet shpërbërje, zbërthim, por edhe dekompozim, defragmentation me përkthime shpjesëzim, shfragmentim, por edhe defragmentim, demodulation me përkthim çmodulim, por edhe demodulim, demodulator që përkthehet çmodulues ose demodulues etj. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [3].

Referenca

  1. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  2. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  3. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930