Terminologji Informatike: Parashtesa EN
Veç problemeve drejtshkrimore të trajtuara në shkrime të ngjashme, problemet me parashtesat dhe prapashtesat janë gjithashtu të shpeshta. Parashtesat dhe prapashtesat luajnë një rol të rëndësishëm në fjalëformim dhe përbëjnë veçori dalluese të gjuhëve nga njëra-tjetra. Ndodh shpesh që fjalët e huazuara nga gjuhët e huaja të sillen pa përshtatje, dhe në këtë rast me përshtatje nënkuptojmë pikërisht ndryshimin e parashtesës apo prapashtesës së fjalës nga gjuha burimore në përputhje me rregullsitë fjalëformuese të gjuhës shqipe dhe parashtesave e prapashtesave të saj. Në rastet e huazimeve nga anglishtja vihen re përdorime të gabuara ose të tepruara të parashtesave en-, de- dhe hyper-, si dhe të prapashtesave -al, -er, -acion, -tive dhe -icien. Ndikim në këtë rast kanë pasur patjetër edhe gjuhë si italishtja, veçanërisht në teprimet me prapashtesën -acion. Parashtesa en- haset në gjuhën angleze, zakonisht në fillim të foljeve të cilat tregojnë aftësim apo zbatim të një procesi si dhe në emrat foljorë përkatës. Në gjuhën shqipe nuk është e pranishme, ndaj përkthimet e fjalëve që e përmbajnë duhet të bazohen te rrënja e secilës fjalë duke rrëzuar atë parashtesë. Më poshtë jepen disa shembuj tipikë, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).
encapsulation është veprimi i futjes së diçkaje në një “kapsulë”. Në kontekstin e programimit i referohet izolimit apo fshehjes së kodit në njësi të ndryshme. Kjo fjalë po haset në formën *enkapsulim*, pra në ngjashmëri me fjalën angleze. Në raste të rralla si te [1] f. 162 ndeshet në formën *inkapsulim* që është gjithashtu e gabuar. Forma e duhur në gjuhën shqipe është kapsulim. Shembuj: code encapsulation — kapsulim i kodit, data encapsulation proces — procesi i kapsulimit të të dhënave.
encode ka të bëjë me kthimin e informacionit nga paraqitja origjinale në një bashkësi shifrash sipas një kodi të caktuar, zakonisht standard. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është kodoj. Duhet të mësohemi të shmangim përkthimin e gabuar *enkodoj* që ndeshet shpesh, si në të folur edhe në botime. Shembuj: encode a signal — kodoj një sinjal, encode automatically — kodoj automatikisht.
encoder është një pajisje apo metodë që kthen informacionin nga paraqitja origjinale në bashkësi shifrash, sipas një kodi të caktuar. Përkthimet e sakta të kësaj fjale janë shifrues ose kodues. Kjo e fundit ndeshet deri diku në bibliografi, p.sh. te [2] f. 194, te [3] f. 24 etj. Në përditshmëri haset forma e gabuar *enkodues*. Edhe më i rëndë është mospërkthimi fare i fjalës, pra përdorimi i formës *enkoder* si te [4] f. 43. Edhe forma *koder* që ndeshet te [5] f. 52 nuk është e përshtatshme, duke qenë se përfshin prapashtesën -er e cila nuk është shumë e natyrshme në gjuhën shqipe. Shembuj: automatic encoder — kodues automatik, digital encoder — kodues digjital. encoding është veprimi apo procesi i kodimit sipas foljes së mësipërme. Në këtë rast, fjala e saktë në gjuhën shqipe është kodim. Një formë e gabuar që përdoret shpesh në gjuhën e folur është *enkodim*. Në bibliografi, p.sh. te [6] f. 31, te [7] f. 13, te [7] f. 201 etj. ndeshet më shpesh forma *kodifikim* e cila është gjithashtu e gabuar dhe duhet shmangur. Shembuj: binary encoding — kodim binar, hardware encoding — kodim harduer, encoding system — sistem kodimi.
encrypt që nënkupton fshehjen e kuptimit të informacionit duke ngatërruar simbolet përbërëse. Edhe në këtë rast haset përdorim i panevojshëm i parashtesës en- në forma si *enkriptoj* ose *i,e enkriptuar* që ndeshet te [8] f. 136. Përkthimi i duhur i formës foljore është kriptoj. Shembuj: encrypt a data file — kriptoj një skedar të dhënash, encrypt the private data — kriptoj të dhënat private.
encryption është veprimi i kriptimit, pra i fshehjes së kuptimit të informacionit duke ngatërruar njësitë përbërëse. Sikurse u shpjegua më sipër, përkthimi i saktë është kriptim. Ndër format e gabuara veçojmë *enkriptim* që ndeshet te [30] f. 6 dhe *kodifikim* që ndeshet te [14] f. 135. Shembuj: symmetric encryption — kriptim simetrik, strong encryption — kriptim i fortë. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [9].
Referenca
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
- Agni Dika: “Qarqet Kompjuterike Kombinuese 1”, Adea, Prishtinë, 2005.
- Ilia Ninka: “Sisteme logjike”, SHBLU, Tiranë, 2010.
- Luçiana Toti (Kini): “Elektronika 1”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM), Tiranë, 2014.
- Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
- Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
- Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930