Terminologji Informatike: Prapashtesa ACION
Problemet me prapashtesat që janë trajtuar në shkrime të ngjashme shfaqen edhe te përdorimi i huazimeve me prapashtesën -acion. Kjo prapashtesë ndeshet kryesisht te fjalët me prejardhje ndërkombëtare që huazohen me njëfarë përshtatjeje. Janë fjalë që në gjuhën angleze mbarojnë me -ation, ndërsa në gjuhën italiane me -azione. Për fat të keq vihet re një teprim i dëmshëm nga përdorimi i kësaj prapashtese edhe në fjalë që në gjuhën shqipe mbarojnë me prapashtesën -im, ndoshta për shkak të ndikimit të shqiptimit të këtyre fjalëve në gjuhën italiane. Më poshtë jepen disa shembuj, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si edhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).
application është fjalë që mbart tri kuptime kryesore: kërkesë a kandidim për një vend pune, studimi apo diçka tjetër; përdorim apo zbatim i një mjeti, teknike apo teorie; si dhe një program kompjuteri, telefoni, etj. Në gjuhën angleze dhe në atë italiane, të tri kuptimet (madje edhe ndonjë tjetër) mbarten nga një fjalë e vetme, përkatësisht application dhe applicazione. Në gjuhën shqipe, për kuptimin e parë përdoret fjala “aplikim” e cila nuk gjendet në FGJSSH dhe ndoshta mund të shqipërohet më tej me ndonjë fjalë tjetër, për të dytin fjala “zbatim”, ndërsa për kuptimin e tretë përdoret më së shumti fjala “aplikacion”. Nga shpjegimi që lexojmë te [1] f. 14 (“a computer program that performs useful work not related to the computer itself ”), vihet re që kuptimi i tretë është i kufizuar në fushën e informatikës dhe i shkëputur nga dy të parët, pavarësisht se në gjuhën angleze shprehet me të njëjtën fjalë. Ndeshen gjithsesi raste ku ky kuptim shprehet me fjalët “aplikim” si p.sh. te [2] f. 79 dhe te [3] f. 71 ose “zbatim” te [4] f. 4. Në rastet e tjera si te [5] f. 46, te [6] f. 9 etj. ndeshim fjalën “aplikacion” e cila ndoshta duhet pranuar si fjala e duhur.
combination përdoret si në ligjërimin e përgjithshëm edhe në atë shkencor (specifikisht në matematikë). Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është kombinim dhe forma *kombinacion* (it. combinazione) duhet shmangur nga përdorimi. Shembuj: combination of different data types — kombinim i tipave të ndryshëm të të dhënave, combination of set elements — kombinim i elementeve të bashkësisë.
configuration është organizim dhe vendosje e sendeve, pjesëve apo moduleve për një qëllim të caktuar. Ndeshet shpesh në kontekstin e sistemeve softuerike, sidomos për të përshkruar mjedisin ku instalohen dhe përdoren. Gjykojmë që përkthimi i duhur i saj është konfigurim, pra duhet shmangur forma *konfiguracion*, e cila ndeshet shpesh si në gjuhën e folur edhe te [7] f. 5, te [8] f. 63, te [9] f. 97, te [10] f. 53 etj. Shembuj: software system configuration — konfigurimi i sistemit softuerik, configuration files — skedarët e konfigurimit.
convolution është veprim matematik mbi dy funksione që krijon një funksion të tretë, i cili tregon se si ndryshon forma e funksionit të parë nga i dyti. Përkthimi i duhur është fjala thurje. Hasim shpesh fjalën *konvolucion* (it. convoluzione) e cila duhet shmangur. Shembuj: convolution of two matrices — thurje e dy matricave, convolution function — funksion i thurjes.
emulation nënkupton në teknologjinë e informacionit imitimin me përpikëri të sjelljes së një sistemi nga një sistem tjetër i ndryshëm prej tij. Njësoj si në shembujt më sipër, vihet re përdorimi i tepruar dhe i dëmshëm i prapashtesës -acion. Sugjerojmë që të shmanget forma *emulacion* (it. emulazione) në favor të emulim. Shembuj: game emulation — emulim i lojrave, old software emulation — emulim i softuerit të vjetër.
installation me kuptimin më të zakonshëm veprimin evendosjes së një objekti apo aparature në mënyrën dhe pozicionin e duhur për të funksionuar. Në sistemet kompjuterike i referohet specifikisht shtimit të programeve të caktuara. Një tjetër kuptim është ai i një pajisjeje apo aparature të vendosur në një godinë apo mjedis të caktuar. Për secilin rast, fjala e duhur në gjuhën shqipe është instalim dhe jo *instalacion* (it. installazione). Shembuj: installation expenses — shpenzimet e instalimit, installation of a new program — instalim i një programi të ri.
modulation është procesi i ndryshimit të një sinjali të quajtur mbartës, në përputhje me karakteristikat e një sinjali tjetër që transmetohet. Edhe në këtë rast kemi teprim me prapashtesën -acion dhe qëllon që ta hasim këtë fjalë të përkthyer *modulacion* (it. modulazione). Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është modulim. Shembuj: frequency modulation — modulim në frekuencë, phase modulation — modulim në fazë.
radiation është emetim i valëve apo rrezeve elektromagnetike. Vihet re përsëri përdorim i tepruar i prapashtesës -acion duke dhënë *radiacion* (it. radiazione) që haset te [11] f. 71. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është rrezatim dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: electromagnetic radiation — rrezatim elektromagnetik, ultraviolet radiation — rrezatim ultravjollcë.
simulation është krijim i një paraqitjeje virtuale dhe të përafërt të një objekti apo procesi për ta studiuar atë paraprakisht, përpara ndërtimit apo fabrikimit. Edhe në këtë rast haset shpesh përkthimi *simulacion* (it. simulazione) që duhet shmangur në favor të simulim. Shembuj: simulation language — gjuhë simulimesh, engineering simulation — simulim inxhinierik.
telecommunication është fjalë me përdorim të gjerë në ditët e sotme. Në shumicën e rasteve përkthehet me përtesë në formën *telekomunikacion* (ita. telecomunicazione), p.sh. te [12] f. 83, [13] f. 48, [14] f. 106 etj. Forma e duhur në gjuhën shqipe është telekomunikim e cila ndeshet te [7] f. 12. Shembuj: telecommunication student — student telekomunikimi, telecommunication company — kompani telekomunikimi.
transformation është fjala transformim (ose shndërrim) që përdoret në kontekste të ndryshme. Megjithëse rrallë, haset edhe forma *transformacion* (it. trasformazione) e cila është jo vetëm e gabuar, por edhe qesharake dhe duhet shmangur. Shembuj: transformation function — funksion i transformimit, transformation procedure — procedurë transformimi.
Problemi i teprimit me prapashtesën -acion është aq serioz sa po shtrembërohen edhe fjalë shqipe të përdorimit të përgjithshëm. Një rast i tillë është fjala komunikim që te [15] f. 41 dhe [15] f. 46 shkruhet *komunikacion*, çka përbën një absurditet. Duhet theksuar gjithsesi se prapashtesa -acion haset deri diku edhe në fjalë të ligjërimit të përditshëm apo në huazime të disiplinave të ndryshme shkencore te të cilat nuk përbën problem. Mund të përmendim fjalët dokumentacion, agjitacion, emigracion etj. që gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [16].
Referenca
- University of Columbia: “Dictionary of Computer and Internet Terms (seventh edition)”, Columbia University Press, New York, 2002.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003.
- Neki Frashëri, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 1 (për shkollën e mesme të profilizuar)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
- Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
- Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Sistemet e informacionit të menaxhimit”, Tiranë, 2014.
- Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
- Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
- Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
- Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
- Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
- Luçiana Toti (Kini): “Elektronika 1”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM), Tiranë, 2014.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930