Terminologji Informatike: Prapashtesa ER
Problemet e parashtesave që janë trajtuar në shkrime të ngjashme shfaqen edhe te prapashtesat. Prapashtesa -er përbën një veçori të gjuhës angleze dhe haset shpesh te emrat që përfaqësojnë profesione, funksione etj. Në gjuhën shqipe është e rrallë dhe vihet re kryesisht te fjalët e huazuara. Ka disa raste fjalësh që përkthehen me përtesë si në formën e tyre në gjuhën angleze, pra me prapashtesën -er në dëm të prapashtesës -ues apo të ndonjë prapashtese tjetër të shqipes. Më poshtë jepen disa shembuj, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si edhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).
encoder përbën një pajisje apo metodë që kthen informacionin nga paraqitja origjinale në bashkësi shifrash sipas një kodi të caktuar. Përkthimet e sakta të kësaj fjale janë kodues, shifrues. Haset shpesh forma e gabuar *enkoder*, e cila duhet shmangur. Shembuj: digital encoder — kodues digjital, signal encoder — kodues sinjali.
decoder përbën një pajisje, metodë apo program që kthen një sinjal apo njësi informacioni nga paraqitja e koduar në atë origjinale. Kjo fjalë ka hyrë në përdorim masiv vitet e fundit, për shkak të kalimit nga transmetimet televizive analoge tek ato digjitale të cilat kërkojnë pajisjen. Fatkeqësisht përdoret në masë forma e gabuar *dekoder*. Fjalët e duhura në gjuhën shqipe janë shkodues dhe dekodues, të cilat gjenden në bibliografi te [1] f. 11, te [2] f. 206 etj. Shembuj: digital decoder — shkodues digjital, electronic decoder — shkodues elektronik, the decoder is not working — shkoduesi nuk funksionon.
Duhet theksuar se prapashtesa -er shfaqet edhe në huazime të cilat kanë zënë rrënjë prej kohësh në gjuhën e përditshme e madje gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Ndër to mund të përmendim fjalët portier, korrier, kamerier etj. Për këtë arsye, ka disa fjalë nga teknologjia e informacionit për të cilat nuk mund të thuhet me bindje nëse në gjuhën shqipe duhet të mbarojnë me -er apo me -ues a ndonjë prapashtesë tjetër. Ndër to përmendim:
blogger është person që publikon rregullisht në një blog ose në disa blogje të ndryshme. Në përditshmëri kjo fjalë haset e përkthyer më së shumti në formën bloger, e cila është e afërt edhe me shqiptimin në frëngjisht (fr. blogueur). Nuk mund ta themi me bindje nëse bloger është shqipërimi i duhur apo do të ishte më e përshtatshme ndonjë formë tjetër si blogues apo blogist.
scanner është pajisje që ndijon imazhe dhe i kthen në sinjale elektrike të cilat përfaqësojnë paraqitjen digjitale të imazheve. Edhe për këtë fjalë nuk mund të themi me bindje nëse shqipërimi i duhur është skaner apo skanues. Faktikisht, forma skaner ka përdorim masiv dhe madje ka hyrë në FGJSSH (botimi i vitit 2006), prandaj ndoshta përbën shqipërimin e duhur. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [3].
Referenca
- Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
- Agni Dika: “Qarqet Kompjuterike Kombinuese 1”, Adea, Prishtinë, 2005.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930