Terminologji Informatike: Prapashtesa ICIEN
Problemet me prapashtesat që janë trajtuar në shkrime të ngjashme shfaqen edhe te përdorimi i huazimeve me prapashtesën -icien. Kjo prapashtesë është fare e huaj në gjuhën shqipe. Haset vetëm në disa forma të gabuara fjalësh, si p.sh. *matematicien* që ndeshet te [1] f. 40, te [2] f. 6 etj., *informaticien* që ndeshet te [3] f. 8, *logjicien* dhe *statisticien*. Ka të ngjarë që përdorimi i këtyre formave të ndikohet nga mënyra si shkruhen fjalët në gjuhën frënge, përkatësisht mathématicien, informaticien, logicien, statisticien. Fjalët e duhura për këto raste janë përkatësisht matematikan, informatikan që shkruhet saktë te [4] f. 75, logjist dhe statistikan. Të tjera fjalë që shkruhen gabimisht me -icien përmendim *teknicien* dhe *elektronicien* që ndeshen te [5] f. 231 ku lexojmë “të jesh teknicien shërbimi dhe riparimi do të thotë të jesh një elektronicien i aftë”. Në vend të tyre duhen përdorur fjalët teknik dhe specialist elektronike.
Si shembuj të tjerë fjalësh për profesione apo specialitete që mbarojnë me -kan ose -ist dhe që përputhen me traditën tonë fjalëformuese përmendim gramatikan që ndeshet te [36] f. 34, sinoptikan, algjebrist, elektriçist etj. Ndërkohë, prapashtesa -icien gjendet edhe në ndonjë fjalë tjetër të huaj të futur pa përshtatje, si p.sh. *prakticien* e cila është fare e papranueshme. Në vend të saj duhet të përdoret fjala praktikant duke iu referuar dikujt që praktikon diçka. Kjo prapashtesë ndeshet edhe në ndonjë fjalë të përgjithshme si teoricien e cila gjendet në FGJSSH dhe përdoret gjerësisht pa përbërë problem. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [6].
Referenca
- Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
- Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
- Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të
përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003. - Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930