Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje

Përparimi i vrullshëm i teknologjisë së informacionit dhe i drejtimeve si elektronika, informatika, robotika dhe telekomunikimi gjatë tri dekadave të fundit ka sjellë ndryshime të mëdha në shoqëri. Informatizimi i jetës sonë dhe kultura e sotme e rrjeteve shoqërore virtuale nuk mund të mos të ndikonin edhe te gjuha me të cilën shkëmbehet sasia e jashtëzakonshme e informacionit në internet. Hapja e vendit tonë e shoqëruar me lëvizjen e njerëzve dhe hyrja e vrullshme e fjalëve të gjuhës angleze kanë bërë që këto fjalë të përdoren së tepërmi në gjuhën e folur, shpesh pa përshtatje ose me një përshtatje minimale dhe jo sistematike.

Problemet (që ndeshen si në bibliografi, ashtu edhe në ligjërimin e përditshëm) dhe vështirësitë e shumta që ndeshim kur përkthejmë lajme, artikuj, shkrime etj. nga fusha e teknologjisë së informacionit kanë qenë shtysa kryesore për këtë punë dhe botim.

Libri elektronik në format PDF mund të shkarkohet falas nga adresa e mëposhtëme:

Shkarko: Terminologji Informatike

Është zhbiruar fund e krye terminologjia në 31 tekste shkollore, nga të cilat 19 janë për klasat e arsimit parauniversitar dhe 12 për lëndë të ndryshme të arsimit universitar. Janë shqyrtuar gjithashtu me imtësi 2 tekste universitare në gjuhën italiane (për referenca ndërgjuhësore), 9 fjalorë të vjetër shumëgjuhësh të disiplinave tekniko-shkencore, 3 fjalorë në gjuhët angleze, italiane dhe frënge, 4 fjalorë të përgjithshëm në gjuhën shqipe (FGJSSH dhe tre të tjerë), 2 botime të natyrës informuese, 2 studime gjuhësore, si dhe 4 artikuj studimorë të viteve të fundit.

Problemet gjuhësore që vihen re janë nga më të ndryshmet. Te tekstet shkollore ndeshen shpesh renditje të palogjikshme të kapitujve dhe të njësive mësimore, përkthime me “Google Translate” të shprehjeve e fjalëve të ndryshme, mospërshtatje të prurjeve leksikore, gabime në lakimet e emrave dhe të shkurtesave, gabime logjike nga pakujdesia etj. Ajo që vihet re më shumë është pasiguria në përkthimin apo në përshtatjen e fjalëve të koncepteve, teknologjive etj.

Në libër diskutohen rreth 500 kuptime fjalësh e shprehjesh që shoqërohen me rreth 600 citime nga bibliografia. Secili citim përfaqëson një përdorim të saktë, të pasaktë ose të diskutueshëm të fjalës që shqyrtohet. Kritikohen prurje me parashtesa dhe prapashtesa të gjuhës angleze (në vend të atyre shqipe që përbëjnë veçori tipike të gjuhës), shtrembërime të shpeshta të disa fonemave (p.sh. ç dhe gj), mospërkthime të fjalëve e shprehjeve, mospërshtatje e keqpërshtatje si edhe shumë prurje që i gjykojmë të panevojshme. Për disa fjalë që përbëjnë “mungesa”, propozojmë neologjizma bazuar kryesisht te kompozimi i morfemave të shqipes. Sugjerojmë gjithashtu rijetësimin e disa fjalëve “të harruara”, të cilat janë mjaft të vlefshme për të zëvendësuar fjalët e huaja. Vërejtjet apo sugjerimet tuaja janë të mirëpritura, veçanërisht në lidhje me çështjet që shtrohen te kapitulli 4: “Problematika të hapura”.

Shpresojmë që puna e nisur të ketë, ndër të tjera, edhe vlera ndërgjegjësuese, duke pasur parasysh dy projektet në zhvillim e sipër të Prishtinës dhe të Tiranës për hartimin e fjalorëve të mëdhenj të gjuhës shqipe. Nga komunikimet e deritanishme duket sikur grupet e punës së këtyre dy projekteve janë në garë me njëri-tjetrin se kush do të arrijë të futi më shumë fjalë në FGJSSH, pa dhënë asnjë informacion në lidhje me aspektet cilësore të punës dhe të fjalorëve rezultues. Pse nuk flitet edhe për aspektet cilësore? Si do bëhet seleksionimi i ndërkombëtarizmave dhe huazimeve? A ka studime terminologjike nga fushat e ndryshme (p.sh. nga teknologjia e informacionit) për fjalët ndërkombëtare që duhet të huazohen? Për sa prej tyre gjenden fjalë të gjuhës shqipe (ndoshta të harruara) që mund t’i zëvendësojnë? Sa prej tyre mund të shqipërohen me njëfarë përshtatje?

Urojmë që t’i jepet fund praktikës së futjes së sa më shumë fjalëve të huaja në FGJSSH, pa asnjë kujdes, pa përpjekje për të gjetur fjalë shqipe që mund t’i zëvendësojnë dhe pa u bazuar në studime terminologjike nga fushat përkatëse, por vetëm sepse ato fjalë po përdoren në gjuhën e folur ose sepse kanë hyrë në botime “skandaloze” të viteve të fundit.