Terminologji Informatike: Problematika të teksteve shkollore

Kur shfletojmë bibliografinë e teknologjisë së informacionit, nuk mund të mos të shohim me shqetësim problemet e ndryshme që shfaqen në tekstet e këtij drejtimi për klasat e arsimit parauniversitar. Veç problemeve që lidhen me përkthimet “Google Translate”, vihen re edhe shumë probleme të tjera. Organizimi i programit mësimor në kapituj duket në disa raste jo i përshtatshëm. Tek [1] vërejmë p.sh. që në kapitullin e parë mësohet zhvillimi i faqeve ueb me anë të programit “Macromedia Dreamweaver”. Kjo nënkupton që nxënësit të kenë njëfarë njohjeje bazë të koncepteve të uebit, si elementet e gjuhës HTML. Ndërkohë, kapitulli i dytë i po të njëjtit tekst trajton pikërisht ato koncepte bazë të gjuhës HTML. Kemi të bëjmë, pra, me një renditje të mbrapshtë të këtyre dy kapitujve. Në mënyrë të ngjashme, kapitulli i katërt te [2] f. 105 është emërtuar “Programimi dhe Algoritmika”. Edhe ky emërtim është i mbrapshtë, duke pasur parasysh botimet e ngjashme (ndeshet zakonisht emërtimi “Algoritmikë dhe programim”), si edhe vetë radhën e njohurive që merren në të (fillohet me koncepte nga algoritmika dhe kalohet në njohuri programimi). Shqetësim përbën edhe prirja drejt përkthimeve fjalë për fjalë, pa përshtatjen e duhur dhe duke anashkaluar traditën e emërtimeve në botimet shkollore. Kjo vihet re në emërtimin e kapitujve, siç u vihet në dukje te ky shkrim. Prirja drejt përkthimeve fjalë për fjalë vihet re edhe nëse krahasojmë të njëjtat fjalë në botimet më të hershme, me mënyrën se si janë përkthyer në botimet e viteve të fundit. Një shembull është fjala angleze record, e cila në botimet e viteve ’90 ndeshet e përkthyer saktësisht regjistrim (një hyrje në një bazë të dhënash). Në botimet e fundit, të njëjtën fjalë e gjejmë të përkthyer *rekord*, e cila ngjan me fjalën angleze dhe në shqip i referohet një koncepti tjetër (arritja më e lartë në një garë sportive etj.), pra përbën një emërtim të gabuar. Një tjetër shembull është fjala angleze column, e cila dikur përkthehej më së shumti shtyllë dhe më rrallë *kolonë*. Në botimet e viteve të fundit, këtë fjalë e ndeshim vetëm *kolonë*, pra si fjala në gjuhën angleze. Te [3] f. 29 shkruhet “…mund të jetë e vështirë për të testuar linjat individuale të kodit…”. Në këtë rast, fjala angleze lines është përkthyer gabimisht *linjat*, në vend që të përkthehej rreshtat, duke iu referuar rreshtave të kodit. Nuk mungojnë as gabimet logjike nga pakujdesia, si p.sh. te [2] f. 129 ku jepet g = 3,14 (përafrim i konstantes π) dhe shpjegohet “nxitimi i rënies së lirë”, ndërkohë që dihet se nxitimi i rënies së lirë ka vlerë të përafërt 9,81. Gabimet e natyrës sintaksore janë gjithashtu të shpeshta. Vihen re p.sh. ngatërrime të foljeve me emra apo e kundërta. Te [4] f. 49 folja browse jepet e përkthyer *shfletues*, pra si emër. Përkthimi i duhur në këtë rast do të ishte folja shfletoj. Një tjetër shembull i ngjashëm ndeshet te [4] f. 51 ku shprehja map network drives (këtu fjala map paraqitet si folje) përkthehet *harta e drajverave të rrjetit*, ku mungon folja. Përkthimi i duhur do të ishte pasqyro njësitë e rrjetit. Te [5] f. 87 lexojmë “bashkësia e disa karaktereve të ndara me spacio bosh formon një fjalë”. Në këtë rast kemi përdorimin e fjalës *spacio* (it. spazio — hapësirë), e cila përbën shtrembërim të fjalës përkatëse italiane. Në këtë rast, në vend të *spacio bosh* duhej të shkruhej hapësirë. Gafa të ngjashme gjenden edhe te [6] f. 12 ku shkruhet *natyralisht* në vend të natyrisht, te [7] f. 7 ku shkruhet *autentifikim* në vend të autentikim, te [3] f. 72 ku shkruhet *integriteti preferencial* në vend të integriteti referencial etj. Këto gabime lidhen kryesisht me redaktimin e teksteve, proces që në shumicën e rasteve duket se është i dobët dhe i pakujdesshëm. Në raste të tjera si te [8] dhe [9] redaktimi mungon qartas, po të kemi parasysh faktin që në këto tekste shkronjat ë dhe ç nuk figurojnë fare por shkruhen e dhe c përkatësisht.

Referenca

  1. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  2. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
  3. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  4. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003.
  5. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  6. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  7. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 11 (për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2017.
  8. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Informatika (për Fakultetin e Ekonomisë)”, Tiranë, 2012.
  9. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Sistemet e informacionit të menaxhimit”, Tiranë, 2014.