Terminologji Informatike: Prurje të panevojshme

Një pjesë e fjalëve që po huazohen vitet e fundit janë jo vetëm të panevojshme, por edhe të dëmshme. Këto fjalë zëvendësojnë në përdorim fjalë të ndryshme të shqipes duke cenuar strukturën dhe stilistikën e saj. Justifikimi në raste të tilla është pretendimi se gjuha shqipe nuk ofron fjalë të përshtatshme që t’i mbartin mjaftueshëm mirë kuptimet e fjalëve të huaja. Ka raste kur ky pretendim qëndron dhe duhet detyrimisht të huazojmë. Ka gjithashtu shumë raste kur ky pretendim nuk qëndron aspak, sepse mund të gjehen fjalë shqipe që e shprehin mjaft mirë kuptimin e fjalëve të huaja në rastet e përdorimit të tyre. Njësoj si problemi i mospërkthimit të fjalëve të huaja, edhe problemi i huazimeve të fjalëve të huaja të panevojshme është mjaft shqetësues. Më poshtë jepen disa raste fjalësh e shprehjesh të rëndësishme, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).

access em. 1) me kuptim më të zakonshëm atë të mundësisë apo së drejtës për të hyrë e për të përdorur një sistem ose burim të caktuar, siç shpjegohet te [1] f. 11. Gjykojmë që ky kuptim i fjalës mbartet mjaft mirë nga fjala hyrje që ndeshet te [2] f. 56, te [3] f. 157, te [4] f. 16 etj., ose fjala qasje që ndeshet te [5] f. 53, te [6] f. 86, etj. Problem të madh përbën përdorimi masiv i fjalës me një përshtatje të lehtë fonetike nga fjala angleze, pra të shqiptuar dhe shkruar *akses* si te [7] f. 46 dhe te [8] f. 13, ose *aksesim* si te [5] f. 62 dhe te [9] f. 105. Ka edhe raste të tjera si te [10] ku fjala shfaqet e shkruar *access*, pa asnjë ndryshim nga gjuha angleze. Shembuj: direct access — hyrje e drejtpërdrejtë, network access control — kontrolli i qasjes në rrjet, free internet access — hyrje falas në internet.

access em. 2) një kuptim disi më specifik dhe “i hollë” i këtij emri (i vështirë për tu dalluar nga kuptimi i parë) është mundësia paraprake e hyrjes në një sistem apo rrjet dhe e përdorimit të tij, por pa e përfshirë vetë veprimin e hyrjes ose përdorimit. Në këtë rast duhen shmangur fjalët *akses* dhe *access* dhe të përdoren fjalë të ndryshme si arritje ose arritshmëri. Shembuj: system access is impossible — arritja e sistemit është e pamundur, the highway provides quick access to the hospital — autostrada ofron arritje të shpejtë te spitali.

access em. 3) ky kuptim i tretë është shumë teknik dhe ka të bëjë me kapjen e njësive të ndryshme në kodin e programeve (p.sh. ndryshoret apo qelizat e matricave), në kujtesën qendrore apo në kujtesat dytësore. Në këto raste sugjerojmë të përdoret fjala kapje siç haset te [9] f. 183, te [2] f. 9, te [11] f. 13 etj. Fjala *akses* që ndeshet te [12] f. 136 duhet shmangur. Shembuj: access time of memory words — koha e kapjes së fjalëve të kujtesës, quick access of matrix elements kapje e shpejtë e elementeve të matricës.

access fol. veprimi i hyrjes, arritjes apo kapjes së një burimi, sistemi apo njësie, siç shpjegohet te [1] f. 11. Ky kuptim mund të shprehet në gjuhën shqipe me anë të foljeve hyj, kap, arrij, si p.sh. te [13] f. 8. Përshtatja *aksesoj* duhet shmangur në çdo rast. Shembuj: I cannot access this system — nuk mund të hyj te ky sistem, access matrix elements with the respective index — kapi elementet e matricës me indekset përkatëse.

accessible mb. është mbiemri që lidhet me kuptimin e parë dhe të dytë të emrit, siç u shpjeguan më sipër. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është i arritshëm, e arritshme, siç ndeshet te [14] f. 40. Përshtatja *i aksesueshëm* që ndeshet te [15] f. 44 duhet të shmanget në çdo rast. Shembuj: the system will be accessible shortly — sistemi do të jetë i arritshëm së shpejti, the network is not accessible through this line — rrjeti nuk është i arritshëm përmes kësaj linje.

allocate fol. caktoj sasinë e një burimi dhe ia jap atë një entiteti që e ka të nevojshëm për ta përdorur për një qëllim të caktuar. Këtë fjalë e ndeshim rëndom në formën *alokoj*, pra përbën një prurje të huaj. Ndër fjalët e përshtatshme që mund të përdoren janë livroj, shpërndaj, caktoj. Sugjerojmë që të përdoret livroj kur është fjala për burime që jepen në sasi të ndryshme (p.sh. kujtesa), shpërndaj kur ofrohen njësi të shumta dhe të numërueshme të një apo disa burimeve dhe caktoj kur jepet një burim i pandashëm (p.sh. një bërthamë CPU-je). Shembuj: allocate memory to a proces — i livroj kujtesë një procesi, allocate system resources — shpërndaj burimet e sistemit, allocate a CPU core to the process — i caktoj një bërthamë CPU-je procesit.

ambiguity em. shprehje jo e qartë e një koncepti ose identifikim jo i përpiktë i ndonjë objekti. Kjo fjalë haset shpesh e përkthyer në formën *ambiguitet*, si p.sh. te [5] f. 12, te [16] f. 7, te [17] f. 134 etj. Gjykojmë si më të përshtatshme fjalë si paqartësi, dykuptimësi. Shembuj: this variable name creates ambiguity — ky emër i ndryshores krijon dykuptimësi, this formulation is full of ambiguities — ky formulim përmban shumë paqartësi.

association em. 1) veprim që vendos bashkë entitete të ndryshme në një kontekst apo strukturë të caktuar. Ky kuptim i kësaj fjale përdoret në disiplina të ndryshme shkencore e teknike. Na qëllon shpesh ta ndeshim të përkthyer në formën *asosacion* e cila ndoshta vjen si prurje e panevojshme në dëm të fjalës shoqatë në ligjërimin e përgjithshëm. Përkthimi më i përshtatshë për kuptimin teknik të fjalës është shoqërim. Shembuj: association rule — rregull i shoqërimit, association elements — elementet e shoqërimit.

association em. 2) grupim njerëzish të bashkuar për një qëllim apo mision të caktuar. Edhe ky kuptim i përgjithshëm po haset i shprehur me fjalën *asosacion* që përsëri nuk është e përshtatshme. Sugjerojmë që të zëvendësohet me fjalën shoqatë. Shembuj: Association for Computational Linguistics — shoqata për gjuhësinë kompjuterike, Association for the Advancement of Artificial Intelligence — shoqata për përparimin e inteligjencës artificiale.

associative mb. që ka të bëjë me veprimin e shoqërimit, që pranon apo mbështet veprimin e shoqërimit. Ky mbiemër rrjedh nga kuptimi i parë i emrit të mësipërm. Edhe këtë fjalë e hasim në gjuhën shqipe gjithnjë e më shpesh të shprehur me fjalën *asociativ*. Sugjerojmë që të përkthehet shoqërues, i shoqërimit. Shembuj: associative search — kërkim shoqërues, associative law — ligji i shoqërimit, associative element — element shoqërues.

atomicity em. vetia e të qenit i pandashëm, i ndërtuar nga njësi të pandashme ose që ndodh në hapa të pandashëm. Kjo fjalë është përdorur më së shumti në kimi e fizikë, por kuptimi i saj shtrihet edhe në teknologjinë e informacionit, veçanërisht për të përshkruar procese apo veprime që nuk mund të ndahen në veprime më të thjeshta. Huazimi *atomicitet* ndoshta nuk është i gabuar, por gjykojmë që pandashmëri është fjala më e përshtatshme dhe më e qartë. Shembuj: atomicity of actions — pandashmëria e veprimeve, atomicity of transactions — pandashmëria e transaksioneve.

compatible mb. lidhet me versione të ndryshme të komponentëve harduerik apo softuerik që mund të punojnë ose jo në përputhshmëri me njëri-tjetrin. Për këtë mbiemër ndeshet ndonjëherë forma *kompatibël*, p.sh. te [18] f. 37. Sugjerojmë që në vend të saj të përdoret mbiemri i përputhshëm, e përputhshme. Shembuj: compatible software versions — versione të përputhshme të softuerit, compatible components — komponentë të përputhshëm, compatible CPU architectures — arkitektura të përputhshme CPU-je.

copyright em. emër që nënkupton të drejtën ligjore për të publikuar, kopjuar, shpërndarë apo shitur krijimtari si shkrime, muzikë, filma, softuer etj. Kjo fjalë po përdoret në gjuhën e folur në formën *kopirajt* e cila nuk ka lidhje me gjuhën shqipe. Kohë më parë përdorej forma e shqipëruar e drejtë autori e cila është në harmoni me emërtimet e konceptit në gjuhët e tjera të Evropës kontinentale (fr. droits d’auteur). Fjala *kopirajt* është fare e panevojshme dhe përfshirja e saj në FGJSSH (botimi i vitit 2006) përbën një gabim serioz. Shembuj: copyright violation — shkelje e të drejtës së autorit, copyright regulation — rregullore për të drejtat e autorit.

design em. 1) kjo fjalë është e vështirë, sepse ka kuptime të ndryshme që nuk dallohen lehtë nga njëri-tjetri. Është gjithashtu e vështirë të gjehen fjalët përkuese të gjuhës shqipe për secilin nga kuptimet. Për këto arsye, vitet e fundit po përdoren emrat *dizajn*, *dizenjo*, *dizenjim* apo ndonjë tjetër i ngjashëm. Për mendimin tonë, këto fjalë janë të panevojshme, sepse kuptimet e tyre mbarten fare mirë nga fjalë shqipe që gjenden në FGJSSH, të cilat po i paraqesim sipas konteksteve të përdorimit. Kuptimi i parë për emrin “design” është veprimi sipas foljes përkatëse. Në një kontekst teknik apo inxhinierik i shkon për shtat fjala projektim që haset te [19] f. 71. Duhet shmangur pra fjala *dizenjim*, e cila ndeshet te [5] f. 51 ku lexojmë “dizenjimin e rrjeteve” (do të duhej: “projektimin e rrjeteve”). Në rastet ku kemi të bëjmë me plane, dokumente, raporte, tabela apo objekte të ngjashme, shkojnë më shumë emrat foljorë hartim, përpilim. Një shembull është: yearly plan design — hartimi i planit vjetor. Edhe për këto raste ndeshen në bibliografi përdorime të gabuara, si te [17] f. 50 ku lexojmë “dizenjimi i tabelave” (do të duhej: “hartimi i tabelave”), te [20] f. 75 ku lexojmë “dizenjimi i raportit” (do të duhej: “përpilimi i raportit”) etj. Kur kemi të bëjmë me vizatime, skema, piktura me laps apo punime të ngjashme, shkojnë më shumë emrat foljorë vizatim, skicim. Disa shembuj janë: design of a black and white portrait — vizatimi i një portreti bardhezi, the initial design of the building — skicimi fillestar i godinës, the design of this diagram is not easy — skicimi i këtij diagrami nuk është i lehtë. Në kontekstin e faqeve ueb, ndërpamjeve të prezantimeve etj. dallojmë dy raste. Kur vihet theksi te puna për krijimin e tyre (jo veçanërisht te aspekti pamor) mund të përdoren fjalët ndërtim, hartim, p.sh. the design of this web page will take some time — ndërtimi i kësaj faqeje ueb do të dojë ca kohë. Në rastet kur vihet theksi te aspekti pamor i atyre objekteve mund të përdoren fjalët skicim, stilizim. Disa shembuj të përdorimit të tyre janë: desing of the slides — skicimi i ndërpamjeve, the design of this web page — stilizimi i kësaj faqeje ueb, CSS is a design language — CSS-ja është një gjuhë stilizimesh. Edhe për raste të tilla përdoren në bibliografi huazimet nga anglishtja, p.sh. te [16] f. 10 ku lexojmë “Dizenjimi është realizuar në formën e një libri” (do të duhej: “skicimi është realizuar në formën e një libri”). Theksojmë se të gjitha fjalët shqipe që propozojmë te ky paragraf gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH.

design em. 2) ky kuptim i dytë i emrit ka të bëjë me objektet grafike apo veçoritë e tyre. Fjalët që sugjerojmë janë skicë, grafikë, stil që gjenden në FGJSSH dhe mund të përdoren në përputhje me rastin konkret. Njësoj si në rastin e kuptimit të mësipërm, edhe për këtë kuptim po përdoren prurje të panevojshme si *dizajn* apo *disenj*. Te [21] f. 67 lexojmë p.sh. “Ndryshoni dizanjin e slide-ve” (do të duhej: “Ndryshoni stilin e ndërpamjeve”) ndërsa te [22] f. 82 lexojmë “Tema është një bashkësi elementesh dizajni” (do të duhej: “Tema është një bashkësi elementesh grafike”). Një rast i rrallë ku nuk përdoret huazim i panevojshëm gjendet te [7] f. 31 ku lexojmë “sipas skicës së Emës…”, pra është përdorur fjala skicë. Nga të gjithë shembujt e trajtuar te këta dy paragrafë, duket se nuk ka ndonjë rast përdorimi të emrit *design* për të cilin të mos kemi ndonjë emër të përshtatshëm në gjuhës shqipe.

design fol. është fojla që paraqet veprimet e lidhura me kuptimin e parë të emrit më sipër. Prurja e panevojshme në këtë rast është *dizenjoj* dhe variantet e ndryshme në të cilat mund të paraqitet. Njësoj si për emrin, edhe për foljen dallohen kontekste të ndryshme të përdorimit. Në kontekstin e punëve inxhinierike shkon për shtat folja projektoj. Te [22] f. 72 lexojmë p.sh. “Një firmë inxhinierike ka dizenjuar një urë”. Në këtë rast mund të thonim fare mirë “Një firmë inxhinierike ka projektuar një urë”. Në rastet ku kemi të bëjmë me plane, dokumente, raporte, tabela apo objekte të ngjashme, na vlejnë foljet hartoj, përpiloj. Disa shembuj do të ishin: design a detailed plan — përpiloj një plan të hollësishëm, design the report of expenses — hartoj raportin e shpenzimeve etj. Për vizatimet, skicat, skemat, pikturat me laps apo punimet e ngjashme kemi foljet vizatoj, skicoj. Kur është fjala për krijimin e ndërpamjeve, faqeve ueb etj. mund të përdoren foljet ndërtoj, hartoj. Disa shembuj të përdorimit të tyre janë: design a simple web page in HTML — ndërtoni një faqe të thjeshtë ueb në HTML, design a few slides that descrie your country — hartoni disa ndërpamje që përshkruajnë vendin tuaj. Në rastet kur është fjala për aspektet pamore të atyre objekteve mund të përdorim foljet skicoj, stilizoj. Këto folje i gjejmë të përdorura saktë edhe në bibliografi. Lexojmë p.sh. “kanë skicuar tiparet tuaja” te [14] f. 6, “stilizoni tabelën” te [7] f. 29, “skiconi skemën e plotë” te [23] f. 130 etj. Edhe foljet e propozuara te ky paragraf gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH dhe duket qartë që mbulojnë çdo rast përdorimi të foljes *design*, duke e bërë huazimin e saj të panevojshëm.

designed mb. në këtë rast kemi të bëjmë me mbiemrin që lidhet me foljen dhe kuptimin e parë të emrit, siç u shpjeguan më sipër. Duhen shmangur prurja *i,e dizenjuar* dhe variantet e ndryshme të saj që ndeshen te [16] f. 45, te [9] f. 68, te [24] f. 433 etj. Në vend të tyre mund të përdoren i,e projektuar, hartuar, vizatuar, skicuar, stilizuar, në përputhje me rastet që u dalluan dhe shtjelluan më sipër.

designer em. në këtë rast kemi të bëjmë me fjalën që emërton specialistët e ndryshëm që kryejnë veprimet e mbartura nga foljet më sipër. Duhen shmangur prurjet e panevojshme *dizajner* që ndeshet te [7] f. 15, *dizenjator* që ndeshet te [15] f. 86 si dhe forma të tjera të ngjashme. Në vend të tyre mund të përdorim projektues kur kemi të bëjmë me specialistin e projekteve inxhinierike, grafist për specialistin që stilizon faqe ueb, kopertina dhe objekte të ngjashme apo përpunon imazhe me programe grafike, stilist për personin që stilizon faqe ueb, ndërpamje etj., skicues për personin që ka skicuar diçka, dhe hartues, përpilues për personin që harton apo përpilon një plan, raport etj. Shembuj: designer of web pages — stilist i faqeve web, fashion designer — stilist mode, graphic designer — grafist.

dimension em. mat. fjalë që ndeshet kryesisht në matematikë ku përcaktohet si numri minimal i koordinatave të nevojshme për të përcaktuar një pikë në një hapësirë. Sot po ndeshet gjithnjë e më shpesh në drejtime ndërdisiplinore, por fatkeqësisht shprehet me anë të fjalës *dimension* që siç vihet në dukje te [25] f. 20 përbën një huazim të panevojshëm nga italishtja. Ndeshim p.sh. “tabelat me një dimension” te [2] f. 70, “në tri dimensione” te [14] f. 28 etj. Fjala e duhur shqipe që e shpreh mjaft mirë konceptin është përmasë, e cila haset tek [26] f. 17, te [27] f. 135 dhe në botime të tjera të rëndësishme. Shembuj: matrix dimensions — përmasat e matricës, the two dimensions of the plane — dy përmasat e planit.

dimensional mb. mat. është mbiemri që shpreh cilësinë e të paturit të një numri të caktuar përmasash. Fjala e duhur që kemi është përmasor dhe paraqitet shpesh si njësi fjalëformuese duke marrë përpara numërorë. Sugjerojmë që të shmangen në çdo rast format me prurjen *dimensional*, të cilat po ndeshen shpesh në bibliografi. Disa raste raste janë “fushat tridimensionale” (do të duhej: “fushat tripërmasore”) te [28] f. 217, “tabelë një dimensionale” (do të duhej: “tabelë njëpërmasore”) te [12] f. 122, “shumat 3 dimensionale” (do të duhej: “shumat 3-përmasore”) te [29] f. 31 etj. Një rast i rrallë i shmangies së huazimit gjendet te [2] f. 148 ku lexojmë “vektorët dypërmasorë”.

launch fol. është fjalë e vështirë për shkak të kuptimeve të ndryshme që mbart në kontekste të ndryshme, kuptime që po shprehen në gjuhën shqipe me prurje si *lançoj*, *lansoj* apo ndonjë formë të ngjashme. Një nga kuptimet më të shpeshta në teknologjinë e informacionit është ai i vënies në veprim të programeve kompjuterike. Për këto raste kemi aktivizoj, vë në veprim. Disa shembuj janë: launch the program with the mouse — aktivizoje programin me anë të miushit, with this shortcut you can easily launch the interface — me këtë shkurtore mund ta vësh në veprim lehtësisht ndërfaqen. Një tjetër kuptim është ai i nisjes së ndonjë fushate apo aktiviteti, çka mund të shprehet me anë të foljes nis. P.sh. the government launched an afforestation campaign — qeveria nisi një fushatë pyllëzimi. Në disa raste të tjera kemi të bëjmë me nxjerrje për zbatim të një rregulloreje ose nxjerrje në qarkullim të titujve, bonove, etj. Për këto raste mund të përdorim nxjerr, nxjerr në qarkullim. P.sh. Google launched a new data collection regulationGoogle-i nxori një rregullore të re për mbledhjen e të dhënave, the government launched high interest bonds — qeveria nxori në qarkullim bono me interes të lartë. I ngjashëm është edhe kuptimi i hedhjes për herë të parë në treg të produkteve apo shërbimeve nga firma të ndryshme. Për raste të tilla kemi hedh në treg. Disa shembuj janë: Google will launch a new phone model Google-i do të hedhë në treg një model të ri telefoni, Microsoft launched Windows 11 system in autumn 2021Microsoft-i hodhi në treg sistemin Windows 11 në vjeshtë 2021. Ka raste kur produktet, shërbimet e reja, karakteristikat e tyre apo planet për të ardhmen vetëm njoftohen ose bëhen të njohura publikisht. Në këto raste mund të përdoren fjalët shpalos, prezantoj. P.sh. AMD launched Zen4 architecture specifications — AMD-ja shpalosi specifikimet e arkitekturës Zen4, TSCM launched a new manifacturing strategy to fulfil market demand — TSCM-ja prezantoi një strategji të re fabrikimi për të plotësuar kërkesën e tregut. Siç mund të shihet, të gjitha fjalët dhe shprehjet e propozuara te ky paragraf gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH dhe i mbulojnë të gjitha kuptimet e fjalës “launch”, duke i bërë huazimet *lançoj*, *lansoj* të panevojshme.

monitor fol. sh.t. është folje që shpreh veprimin e kontrollit të vazhdueshëm të diçkaje për të mbajtur në kontroll ecurinë e saj dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në raste problemesh. Në gjuhën e folur ka hyrë në përdorim të gjerë fjala *monitoroj*. Një fjalë që e mbulon mirë kuptimin është mbikëqyr e cila gjendet dhe shpjegohet në FGJSSH. Shembuj: monitor the production process — mbikëqyr procesin e prodhimit, monitor the data transmission — mbikëqyr transmetimin e të dhënave.

multidimensional mb. është mbiemri që shpreh cilësinë e të paturit të një numri të lartë përmasash. Fjala e duhur që kemi është shumëpërmasor që ndeshet te [12] f. 132. Sugjerojmë që të shmanget prurja e panevojshme *multidimensional* e cila ndeshet te [30] f. 50 dhe në raste të tjera. Shembuj: multidimensional array — matricë shumëpërmasore, multidimensional data representation — paraqitje shumëpërmasore e të dhënave, multidimensional data structure — strukturë shumëpërmasore e të dhënave.

portable mb. që mund të mbartet apo zhvendoset me lehtësi, ose që mund të përdoret me lehtësi në mjedise të ndryshme. Shpesh na ndodh të dëgjojmë fjalën *portabël*, p.sh. te [7] f. 14. Në vend të saj mund të përdoret shumë mirë fjala shqipe i mbartshëm, e mbartshme, siç e gjejmë te [12] f. 57. Shembuj: portable programming code — kod programimi i mbartshëm, portable operating system — sistem operativ i mbartshëm.

print fol. krijoj imazhe shkronjash e figurash në letër apo ndonjë material tjetër nëpërmjet një pajisjeje që vendos bojë në sipërfaqen e materialit. Kjo fjalë po përdoret dendur në gjuhën shqipe në trajtën *printoj*, si në të folur edhe në bibliografi. Veç kësaj, shqetësim të madh përbën fakti që forma printoj ka hyrë edhe në FGJSSH (botimi i vitit 2006) duke ligjëruar kështu përdorimin e saj. Sugjerimi ynë është përdorimi i foljes shtyp e cila qëndron në harmoni të plotë me fjalë të tjera të kësaj familjeje si shtypi i ditës, shkronjë shtypi, shkrim shtypi, shtypshkronjë, etj. Kjo folje ndeshet deri diku edhe në bibliografi, si p.sh. te [12] f. 12, [12] f. 52, etj. Për më tepër, një nga kuptimet e foljes shtyp në FGJSSH (në të gjitha botimet, nga 1980 deri te 2006) është pikërisht ky, pra “riprodhoj me anë të mjeteve të posaçme tekste, vizatime, figura, etj.”. Për këto arsye e gjykojmë si të paarsyeshme dhe si një gabim përfshirjen në FGJSSH 2006 të fjalës *printoj*. Shembuj: print a document — shtyp një dokument, print on paper — shtyp në letër.

print em. graf. procesi i ngjeshjes me pajisje të posaçme të shkronjave apo figurave në letër apo material tjetër. Edhe ky emër foljor shprehet gabimisht me fjalën *printim* duke futur në gjuhën shqipe një fjalë të huaj të panevojshme. Kjo fjalë mund të përkthehet fare thjesht shtypje kur është fjala për dokumente, shkresa, libra, etj., të cilët shtypen në letër shtypi dhe stampim kur është fjala për fotografi të cilat riprodhohen në letër të veçantë, për skicime imazhesh që vendosen në veshje ose materiale tekstili, si edhe për forma të tjera që gdhenden në materiale të veçanta. Përsëri gjykojmë që përfshirja e fjalës *printim* në FGJSSH 2006 është e panevojshme dhe e gabuar. Shembuj: print format — formati i shtypjes, print quality — cilësia e shtypjes.

printed mb. mbiemri që lidhet me emrin dhe foljen e mësipërme dhe që në gjuhën shqipe po shprehet rëndom në trajtën *i,e printuar*. Njësoj si më sipër, mbiemri *i,e printuar* është përfshirë në FGJSSH në mënyrë të panevojshme dhe të gabuar. Sugjerimi ynë është që të përdoren fjalët i,e shtypur kur është fjala për shkresa, dokumente, libra etj. që riprodhohen në letër shtypi dhe i,e stampuar për forografi apo figura që riprodhohen në letër të veçantë, në tekstil apo në materiale të tjera. Shembuj: printed book — libër i shtypur, printed photography — fotografi e stampuar.

prioritize fol. i caktoj përparësi apo i jap rëndësi dhe rendit sipas saj punë, detyra, probleme etj. Këtë fjalë e ndeshim shpesh në trajtën *prioritarizoj*, çka gjykojmë që është e panevojshme. Sugjerojmë që në vend të saj të përdoren në gjuhën shqipe togfjalëshit caktoj përparësi, jap përparësi. Shembuj: prioritize the future tasks — u caktoj përparësi detyrave të ardhshme, prioritize the computation requirements — u jap përparësi nevojave përllogaritëse.

sort fol. rendit ose radhit një bashkësi elementesh sipas një kriteri apo disa kritereve. Për këtë fjalë kemi në gjuhën shqipe fjalën rendit e cila ndeshet e përdorur saktë te [12] f. 53 dhe në raste të tjera. Futja e fjalëve *sortoj*, *sortim* si p.sh. te [31] f. 266, te [28] f. 177 etj. na duket jo vetëm e panevojshme, por edhe qesharake. Shembuj: sort a vector of numbers in ascending order — rendit një vektor numrash në rend rritës, sort the words in alphabetic order — rendit fjalët në rend alfabetik.

sorted mb. është mbiemri që lidhet me foljen e mësipërme. Përsëri mund të përdoret fjala i,e renditur. Përdorimi i fjalës *i sortuar*, si p.sh. te [30] f. 203 na duket i panevojshëm dhe qesharak. Shembuj: sorted vector of numbers — vektor i renditur numrash, words sorted in alphabetic order — fjalë të renditura në rend alfabetik.

sorting em. veprimi i renditjes, pra emri foljor që lidhet me foljen e shpjeguar më sipër. Në gjuhën shqipe kemi fjalën renditje që e mbulon më së miri kuptimin në çdo rast. Prurja *sortim* që ndeshet p.sh. te [30] f. 202 është e panevojshme dhe qesharake. Shembuj: sorting algorithm — algoritëm për renditje, sorting numbers in ascending order — renditja e numrave në rend rritës.

support fol. dhënia e ndihmës ose gatishmëria për të dhënë ndihmë në raste problemesh apo defektesh të lidhura me infrastrukturën harduer apo softuer. Kjo fjalë po përdoret gjithnjë e më shpesh në formën *suportoj*, çka përbën një prurje jo vetëm të panevojshme, por edhe qesharake. Në bibliografi ndeshim *suportoj* në raste si te [5] f. 4, te [22] f. 11, te [2] f. 118 etj. Fjala shqipe mbështet (në disa raste edhe përkrah) siç ndeshet te [11] f. 161, te [15] f. 13 etj. e mbulon më së miri këtë kuptim, ndaj gjykojmë që përbën përkthimin e duhur të saj në kontekstin e teknologjisë së informacionit. Shembuj: we can support your hardware maintenance at any time — ne mund të mbështetim mirëmbajtjen e harduerit tuaj në çdo kohë, C language supports many data types — gjuha C mbështet shumë tipa të dhënash.

support em. është emri sipas kuptimit të foljes më sipër. Edhe kjo fjalë po përdoret si në gjuhën angleze, pra po ndeshim gjithnjë e më shpesh fjalën *suport* edhe në gjuhën shqipe, çka gjykojmë se përbën një prurje të panevojshme. Te [29] f. 93 i njëjti kuptim shprehet me anë të fjalës *asistencë*, e cila edhe pse gjendet në FGJSSH, nuk na duket fort e përshtatshme. Në gjuhën shqipe mund të përdoret fare mirë emri mbështetje (në disa raste edhe përkrahje) duke e mbuluar më së miri këtë kuptim të fjalës angleze. Shembuj: the support was slow — mbështetja ishte e ngadaltë, call client support at this number — thirrni mbështetjen e klientit te ky numër.

vulnerability em. të qenit i dobët në diçka ku mund të goditesh apo dëmtohesh lehtësisht. Kjo fjalë përdoret shpesh në kontekstin e sigurisë kompjuterike dhe ka hyrë në formën *vulnerabilitet*. Përshtatja e saj në gjuhën shqipe është dobësi, pikë e dobët me raste përdorimi që mund të shtrihen pa problem edhe në fushën e sigurisë kompjuterike. Shembuj: critical vulnerability — dobësi kritike, system vulnerabilities — pikat e dobëta të sistemit.

Prurjet e fjalëve të panevojshme angleze nga fusha e teknologjisë së informacionit përbëjnë një shqetësim të madh, sepse shmangin përdorimin e fjalëve shqipe. Një trajtim më i hollësishëm i kësaj problematike jepet te [32].

Referenca

  1. Daniela Cancila, Stefano Mazzanti: “Il dizionario enciclopedico di informatica (inglese-italiano, italiano-inglese)”, Zanichelli, Bologna, 2009.
  2. Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
  3. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
  4. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 11 (për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2017.
  5. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  6. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  7. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  8. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Sistemet e informacionit të menaxhimit”, Tiranë, 2014.
  9. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  10. Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe problema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë, 2017.
  11. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
  12. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  13. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  14. Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
  15. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 9 (për klasën e nëntë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  16. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  17. Nuri Gokaj: “Baza të gjuhësisë së përgjithshme”, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1997.
  18. Neki Frashëri, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 1 (për shkollën e mesme të profilizuar)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  19. B. Daja, Ç. Fico, M. Qarri, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, F. Leka, L. Dodbiba, S. Doga: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e arkitekturës)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  20. Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  21. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 7 (për klasën e shtatë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
  22. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 8 (për klasën e tetë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2020.
  23. Luçiana Toti (Kini): “Elektronika 1”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM), Tiranë, 2014.
  24. Agni Dika: “Qarqet Kompjuterike Kombinuese 1”, Adea, Prishtinë, 2005.
  25. Shaban Kelmendi, Muhamed Dolaku: “Fjala shqip në vend të fjalës së huaj”, GJUHA JONË, Mitrovicë, 2000.
  26. F. Sinoimeri, S. Kuneshka, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi, S. Riza: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e energjisë atomike)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  27. Q. Turdiu, P. Pilika, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e matematikës dhe e mekanikës teorike)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  28. Agni Dika: “Algoritmet (njohuri themelore me programe në C++)”, Adea, Prishtinë, 2007.
  29. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
  30. Agni Dika: “Bazat e Programimit në C++”, Arbëria Design, Tetovë, 2005.
  31. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 2012.
  32. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record 6378930