fbpx

Terminologji Informatike: Shkronjat e Mëdha

Mësymja e gjuhës angleze kundrejt gjuhëve të tjera po krijon probleme të ndryshme të natyrës konvencionale si drejtshkrimi i shkurtesave, drejtshkrimi i emrave të përveçëm, presja dhjetore etj. Po shfaqen probleme edhe me aspekte gjuhësore të natyrës stilistike. Një prej tyre është përdorimi i shkronjave të mëdha. Dihet që këto shkronja përdoren shpesh në gjuhën angleze (edhe në atë gjermane), por rrallë në gjuhët e tjera të Evropës kontinentale ku hyn edhe shqipja. Në gjuhën angleze është e zakonshme të shkruhen me nistore të madhe të gjitha fjalët e titujve, me përjashtim vetëm të lidhëzave, nyjave dhe parafjalëve të cilat janë jo më të gjata se tri shkronja. Pra shkruhet:

The Computational Theory of Mind” (teoria kompjuterike e mendjes), “Methods in Computational Linguistics” (metoda të gjuhësisë kompjuterike), “A Symbolic Analysis of Relay and Switching Circuits” (një analizë simbolike e qarqeve ndërkyçëse me rele), “The Unix Programmer’s Manual” (udhëzuesi i Unix-it për programuesit), “Computing Machinery and Intelligence” (makinat përllogaritëse dhe inteligjenca) etj.

Duhet qartësuar se këtu është fjala për shkrimin e titujve në brendësi të teksteve dhe jo në ballinë, ku për arsye estetike mund të paraqiten me të gjitha nistoret e mëdha (njësoj si te titulli i këtij shkrimi) ose në ndonjë formë tjetër. Ky rregull i gjuhës angleze po ndiqet kohët e fundit edhe në shkrimet në gjuhën shqipe, çka vihet re më shpesh në titujt e këngëve, por ndonjëherë edhe në tituj librash. Ndeshim pra:

“Ti Po Më Mundon!”, “Gjërat Kanë Ndryshuar”, “Hanibali, Kapërcimi i Alpeve dhe Beteja e Trebias”, “Enciklopedia e Gjeniut”, “Zemër E Plagosur” etj.

Në përputhje me parimin e dokumentit të Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes (te [1], kapitulli VI, § 83), titujt e gazetave, revistave, librave etj. vendosen gjithnjë midis thonjëzave dhe shkruhet me nistore të madhe vetëm fjala e parë ose ndonjë fjalë tjetër që përbën emër të përveçëm. Pra, titujt e mësipërm duhet të shkruheshin:

“Ti po më mundon!”, “Gjërat kanë ndryshuar”, “Hanibali, kapercimi i Alpeve dhe Beteja e Trebias”, “Enciklopedia e gjeniut”, “Zemër e plagosur” etj.

Edhe vendosja e titujve midis thonjëzave është një rregull që ndodh të anashkalohet, çka përbën gjithashtu një gabim. Ndërkohë, teprimi me shkronjat e mëdha vihet re edhe më tepër në shkrimet e komunikimit të përditshëm ku sigurisht, serioziteti është më i paktë apo mungon krejtësisht. Një trajtim më i plotë i kësaj teme jepet te [2].

Referenca

  1. Androkli Kostallari, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Emil Lafe: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Akademia e shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe letërsisë, Tiranë, 1973
  2. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930