Terminologji Informatike: Shmangie nga tradita

Krahas përtesës në përkthime apo përkthimeve pa përshtatje, një tjetër problem në shkrimet nga teknologjia e informacionit është shmangie nga tradita e botimeve shkollore dhe atyre shkencore që ka qenë zhvilluar ndër vite. Në raste të tilla, fjalët përkthehen në një formë shumë të ngjashme me atë të anglishtes, duke anashkaluar fjalët tradicionale që përputhen më mirë me tiparet e shqipes. Disa fjalë të tilla të papërshtatshëm jepen më poshtë të paraqitura midis simboleve * (yllth).

amplitude është një nga madhësitë kryesore që karakterizojnë valët, p.sh. ato që përdoren në radiotransmetime. Dikur për këtë fjalë përdorej fjala shqipe gjani, si p.sh. te [1] f. 30. Sot ndeshim vetëm fjalën amplitudë, p.sh. te [2] f. 10. Ajo që dëshirojmë të theksojmë nuk është shmangia e fjalës amplitudë, e cila duhet pranuar se ka hyrë me kohë në përdorim, por përdorimi sinonimisht me të i fjalës gjani që përbën një vlerë të shtuar në terminologjinë e kësaj fushe. Shembuj: amplitude of acoustic waves — gjania e valëve zanore, amplitude modulation — modulim në gjani.

axis është vijë imagjinare apo konkrete kundrejt së cilës rrotullohet një objekt, ndahet simetrikisht një figurë, ose vendosen e llogariten pikat në një grafik. Kjo fjalë haset në shkrime nga disiplina të ndryshme, fatkeqësisht në formën *aks*. Fjala më e përshtatshme në gjuhën shqipe është bosht. Kjo e fundit është përdorur prej kohësh, si në tekste shkollore edhe në botime enciklopedike apo leksikografike si p.sh. te [3] f. 11, por ndeshet deri diku edhe në ndonjë botim të ri si te [4] f. 29. Duhet theksuar gjithsesi se në shumicën e botimeve të reja, p.sh. te [5] f. 37, te [6] f. 41 apo te [7] f. 112 përdoret fjala *aks*. Shembuj: rotation axis — boshti i rrotullimit, axis of coordinates — boshti i koordinatave, axis of symmetry — boshti i simetrisë.

calculus është fjalë që ndeshet shpesh në tekstet e matematikës për shkollat e mesme dhe përbën emërtimin e një dege të matematikës që studion funksionet, derivatet dhe integralet. Në botimet e viteve të fundit si p.sh. te titulli i [8], po ndeshet termi *kalkulus* që bazohet te fjala e huaj, ndërkohë që tradicionalisht kjo pjesë e matematikës në gjuhën shqipe është quajtur analiza matematike. Shembuj: calculus has many applications in engineering — analiza matematike ka zbatime të shumta në inxhinieri, calculus classes are important — orët mësimore të analizës matematike janë të rëndësishme.

cascade i referohet njësive të lidhura njëra pas tjetrës apo hap pas hapi, në formën e rrjedhës së një ujëvare. Kjo fjalë përdoret në disiplina të ndryshme teknike duke iu referuar lidhjes dhe funksionimit të njësive të ndryshme që formojnë sisteme komplekse, hapave të njëpasnjëshëm të proceseve etj. Prej vitesh ka hyrë në përdorim edhe fjala *kaskadë*, e cila mund të përbëjë një devijim nga tradita. Në ligjërimin e përgjithshëm, *kaskadë* është fare e papranueshme, çka vihet në dukje te [9] f. 34. Në ligjërimin tekniko-shkencor dhe në tekste apo botime të hershme leksikografike si p.sh. te [9] f. 72 ndeshim fjalën ujëvarë. Në botimet e reja si te [10] f. 150 apo te [11] f. 86 gjejmë edhe ujëvarë edhe *kaskadë*. Sugjerimi ynë është që të përdoret fjala ujëvarë. Shembuj: a cascade of consensators — një ujëvarë kondensatorësh, cascade connection of the units — lidhje ujëvarë e njësive.

coaxial nënkupton një bosht të përbashkët ose diçka që rrotullohet rreth një boshti simetrie. Vite më parë është përdorur fjala bashkëboshtor, e cila përbën një përshtatje të plotë të fjalës së huaj dhe gjendet te [12] f. 19 e në botime të tjera të vjetra. Për fat të keq, në botime të reja si te [13] f. 99, te [14] f. 203, te [15] f. 24 etj. ndeshim *koaksial*, *koaksiale*, çka përbën një prurje të papërshtatur dhe shmangie të traditës. Shembuj: coaxial cable — kabllo bashkëboshtore, coaxial interconnected parts — pjesë të ndërlidhura bashkëboshtore, coaxial design of the mechanism — projektim bashkëboshtor i mekanizmit.

combination është fjalë që përdoret si në ligjërimin e përgjithshëm edhe në atë shkencor, specifikisht në tekstet e matematikës. Përkthimi i duhur është fjala kombinim, e cila është përdorur prej shumë vjetësh në tekstet shkollore të matematikës. Forma *kombinacion* (it. combinazione) duhet shmangur nga përdorimi, sepse përbën teprim me prapashtesën -acion (siç sqarohet te ky shkrim) dhe devijim nga tradita. Edhe prurje të tjera si *kompleksion* që ndeshet te [16] f. 3 na duken të pajustifikueshme. Shembuj: combination of different data types — kombinim i tipave të ndryshëm të të dhënave, combination of three set elements — kombinim prej tri elementesh të bashkësisë.

keyboard është fjalë me përdorim të shpeshtë që emërton pajisjen fizike e cila përdoret për shkrim apo radhitje të tekstit në kompjuter. Në gjuhën shqipe, kjo pajisje është emërtuar tradicionalisht tastierë. Po vihet re gjithsesi njëfarë përhapje në përdorim e fjalës *tastaturë*, veçanërisht në gjuhën e folur. Ka shumë gjasa që ky devijim të ndikohet nga emërtimi i pajisjes në gjuhën gjermane (gjerm. tastatur) dhe duhet shmangur. Shembuj: keyboard layout — planpamja e tastierës, international keyboard — tastierë ndërkombëtare, american standard keyboard — tastiera standarde amerikane.

initial është fjalë që në një nga kuptimet e saj i referohet shkronjave të para të fjalëve të ndryshme që përbëjnë emrin e një njeriu apo ndonjë emër tjetër zakonisht të përveçëm. Ky koncept po shprehet prej kohësh gabimisht me fjalën *iniciale* e cila ka origjinë të huaj dhe është e panevojshme. Kohë më parë ishte bërë traditë që ky koncept të shprehej nëpërmjet fjalës nistore, e cila duhet të rikthehet në përdorim. Shembuj: the person with initials A H — personi me nistore A H, spell the initials of your name — shqipto nistoret e emrit tënd, the initial of the string is E — nistorja e germëvargut është E.

permutation është fjalë që gjendet në tekstet e matematikës dhe lidhet me mënyrën e vendosjes së elementeve të bashkësive në pozicione apo rende të ndryshme si dhe numrin e vendosjeve të tilla. Po ndeshet vitet e fundit në formën *permutacion*, veçanërisht në materialet mësimore të shpërndara në rrjet. Ndeshet edhe në botime shkollore si te [17] f. 57 apo te [18] f. 213. Përkthimi i duhur në gjuhën shqipe është fjala përkëmbim e cila ka një traditë të gjatë përdorimi në tekstet shkollore të matematikës. Shembuj: find the permutations of the set elements — gjej përkëmbimet e elementeve të bashkësisë, a high number of permutations — një numër i lartë përkëmbimesh, computing the number of permutations — llogaritja e numrit të përkëmbimeve.

priority është rëndësia që i jepet diçkaje në raport me diçka tjetër të ngjashme. Ky koncept është shprehur në gjuhën shqipe me anë të fjalës përparësi. Vitet e fundit po përdoret gjithnjë e më shpesh fjala *prioritet* që ndeshet p.sh. te [18] f. 30. Shembuj: priority of each task — përparësia e secilës detyrë, high priority process — proces me përparësi të lartë.

subject është fushë në një shkresë zyrtare apo mesazh të postës elektronike ku vendoset titulli i mesazhit apo lënda e shkresës. Për këtë kuptim të fjalës është përdorur tradicionalisht fjala lëndë, lënda. Vitet e fundit po devijohet nga tadita duke përdorur (me siguri për lehtësi përkthimi ose nga padituria) fjalën *subjekt*, p.sh. te [13] f. 115, te [19] f. 59, te [6] f. 89 etj. Fjala *subjekt* që përdoret në gjuhën shqipe për kuptime të tjera, nuk ka asnjë arsye pse ta zëvendësojë fjalën lënda, kur është fjala për kuptimin e sqaruar më sipër.

variable është simbol apo emërtim që përfaqëson një madhësi apo të dhënë të caktuar e cila kombinohet me të tjera nëpërmjet veprimeve aritmetike, logjike, etj. Kjo fjalë ka qenë emërtuar ndryshore, siç shpjegohet në FGJSSH dhe ndeshet te [20] f. 59, te [21] f. 20, te [13] f. 139 etj. Për fat të keq, po haset gjithnjë e më shpesh forma e papërkthyer *variabël*, p.sh. te [22] f. 41, te [23] f. 24, te [24] f. 41 etj. Shembuj: scalar variable — ndryshore skalare, a variable that occupies 4 bytes — një ndryshore që zë 4 bajte.

variable është edhe mbiemri që lidhet me kuptimin e emrit më sipër, pra me madhësi të ndryshueshme. Edhe në këtë rast, po ndeshet fjala *variabël*, p.sh. te [2] f. 46, te [14] f. 85 etj. Fjala e duhur në gjuhën shqipe është i ndryshueshëm, e ndryshueshme. Shembuj: variable memory size — madhësi e ndryshueshme e kujtesës, variable voltage — tension i ndryshueshëm.

Problemet e paraqitura më sipër vijnë, me sa kuptojmë, nga prirja drejt përkthimeve fjalë për fjalë të cilat janë më të lehta. Bie në sy p.sh. emërtimi *linjë* në fillim të çdo kapitulli te [25]. Në faqen 27 të këtij teksti shkruhet “Në këtë linjë synohet që nxënësi të…”. Është e qartë që kemi të bëjmë me një përkthim fjalë për fjalë të fjalës angleze line, e cila, ndër kuptimet e shumta, i referohet edhe kapitujve nëpër tekste. Në traditën e teksteve shkollore shqipe është përdorur fjala kapitull, e cila në këtë rast do të përbënte përshtatjen e duhur. E njëjta gjë vihet re edhe te [15] ku në fillim të çdo kapitulli ndeshet fjala *tematikë*, me siguri përkthim i fjalës angleze topic. Edhe në këtë rast përshtatja e duhur në gjuhën shqipe duhej të kryhej me emërtimin kapitull. Gabime të tilla ndeshen edhe për fjalë të tjera në botime të shumta. Një trajtim i plotë i këtyre problemeve jepet te [26].

Referenca

  1. S. Kuneshka, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e elektromagnetizmit)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  2. Luçiana Toti (Kini): “Elektronika 1”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM), Tiranë, 2014.
  3. S. Kuneshka, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi, S. Riza: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e mekanikës)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  4. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
  5. Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  6. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
  7. Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
  8. Tanush Shaska: “Kalkulus II (njehsimi integral)”, AulonnaPress, 2010.
  9. Shaban Kelmendi, Muhamed Dolaku: “Fjala shqip në vend të fjalës së huaj”, GJUHA JONË, Mitrovicë, 2000.
  10. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  11. Ilia Ninka: “Sisteme logjike”, SHBLU, Tiranë, 2010.
  12. Q. Turdiu, P. Pilika, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e matematikës dhe e mekanikës teorike)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  13. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  14. Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
  15. Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
  16. Agni Dika: “Qarqet Kompjuterike Kombinuese 1”, Adea, Prishtinë, 2005.
  17. Tanush Shaska: “Algjebra”, AulonnaPress, 2010.
  18. Ilia Ninka: “Struktura të dhënash”, SHBLU, Tiranë, 1998.
  19. Lediana Bardhi, Anduela Lila: “TIK 6 (për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar)”, Mediaprint, Tiranë, 2019.
  20. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 2 (për shkollat e mesme të përgjithshme)”, SHBLSH, Tiranë, 2002.
  21. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Informatika 3 (për shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili natyror)”, SHBLSH, Tiranë, 2003.
  22. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  23. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  24. Suela Maxhelaku, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “Ushtrime dhe problema TIK 11 (bërthamë dhe me zgjedhje)”, Irisoft Education, Tiranë, 2017.
  25. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  26. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record 6378930