Apple surprizon me smartfonin futuristik “iPhone X”
Ç’është e vërteta, konferencat e Apple gjatë shtatorit ishin bërë mjaft monotone. Dihej radha e prezantimeve, dihej se çfarë do të prezantohej deri diku, dhe ai për të cilin ishin mbledhur të gjithë, pra iPhone, mund të them se nuk i ka prekur pritshmëritë e të gjithëve. Por këtë radhë, ajo pjesa “One last thing” ka bërë diferencën si kurrë më parë, dhe besoj se do ta ndryshojë përgjithmonë eksperiencën e përdoruesve të iPhone.
Që në zanafillën e saj, Apple ka pasur synimin të krijojë një iPhone komplet prej ekrani dhe sot në konferencën e saj ka prezantuar iPhone X, smartfonin e saj të parë me një ekran 5,8-inç Super Retina i cili zë komplet pjesën ballore të tij, tërësisht prej xhami, i cili përbëhet nga çipi i ri A11 Bionic, karikimi wireless dhe një kamera të parme të përmirësuar me dopio stabilizim optik të imazhit.
Dizajn i mrekullueshëm tërësisht prej xhami
iPhone X (i shpallur si iPhone 10) është pajisja ikonë e 2017-ës i cili përbëhet nga një dizajn pa bezel, një ekran OLED, një xham nga para dhe mbrapa, dhe dhe një veshje e cila e bën atë rezistent ndaj ujit dhe pluhurit.
I dizenjuar për të kremtuar përvjetorin e 10 të iPhone, iPhone X vjen me një ekran Super Retina 5,8-inç cep më cep, i ngjeshur me një rezolucion 2,436 x 1,125 piksel, duke pasur kështu një dendësi pikselash 458 ppi, më të lartën që ndonjë iPhone ka pasur ndonjëherë.
Në këtë produkt, Apple ka hequr edhe pjesën më të njohur dhe esenciale të një iPhone, butonin Home. Tani do të mund ta ndizni atë thjeshtë duke e prekur, dhe do të ktheheni në home screen duke rrëshqitur gishtin sipër.
Tani do të mund të përdorni një teknologji të re të quajtur Face ID për ta ç’kyçur iPhone X. Kjo mundësohet nga sistemi TrueDepth në kamerën e përparme, së bashku me dy bërthamat e Neural Engine në çipin A11 Bionic gjashtë bërthamësh, të cilat arrijnë të njohin fytyrën tuaj duke u fokusuar në 30,000 pika të fytyrës suaj. Është e ndërtuar për t’ju njohur edhe nëse ju keni vënë kapele, syze apo keni rritur mjekrën.
Face ID gjithashtu do të mund ta përdorni edhe për të siguruar transaksionet tuaja me Apple Pay apo për të siguruar fjalëkalimet tuaja me 1Password. Apple gjithashtu pretendon se është kujdesur mjaft që Face ID të mos manipulohet nga maskat, makiazhi apo ndriçimi i dobët.
Përveç kësaj, teknologjia pas Face ID do të mundësojë edhe një përshtatje më të mirë të maskave dhe emoji-ve në rrjetet sociale si Snapchat.
Arti i fotografisë. I thjeshtuar.
Natyrisht që kamera përbën pjesën më të madhe të avantazheve të iPhoen në tregun e smartfonëve, dhe si gjithmonë, Apple nuk zhgënjen as këtë herë.
iPhone X vjen me një kamera 12 mekapiksel dopio në cep të tij, por me një sensor më të gjerë e më të shpejtë se sa ai i iPhone 7. Ka gjithashtu edhe një filter ngjyrash të ri dhe piksela më të thellë, si dhe aperurë f/1.8 për një kënd më të gjerë shkrepjesh dhe aperturë f/2.4 gjatë zmadhimit të kamerës (ku Apple pretendon se lejon 36% më shumë dritë se më parë.)
Imazheria do të ndihmohet tej mase nga teknologjia e Procesimit të Sinjaleve të Imazhit në çipin A11 Bionic. Stabilizimi optik dopio i imazhit gjithashtu ndihmon me përmirësimin e fotografisë me dritë të ulët dhe fotot në Portrait Mode. Ka edhe një blic LED True Tone, me të cilin Apple pretendon se do të shërbejë për të pasur një ndriçim më uniform në foto. Plus që ka një opsion të ri të quajtur Portrait Light me të cilin mund të luani dhe të zgjidhni efekte të ndryshme ndriçimi mbi subjektin e fytyrës suaj.
T’i rikthehemi pjesës së përparme: Kamera e përparme TrueDepth nuk është vetëm për Face ID, por është një kamera e cila është e aftë të shkrepë selfie në Portrait Mode, së bashku me Portrait Lightning.
Me çipin A11 Bionic, Apple shpreson që të arrijë performancë 25% më të shpejtë se sa A10-a, dhe 2 orë më shumë bateri krahasuar me iPhone 7. Dhe falë xhamit në pjesën e pasme, iPhone X do të jetë i përshtatshëm për aksesorët Qi me karikim wireless.
I dizenjuar për një të ardhme ‘wireless’
Apple gjithashtu na prezantoi me të ashtuquajturën AirPower, e cila mund të karikojë me anë të wireless iPhone X, serinë e 3-të të Apple Watch si dhe nje version special të EarPods, të gjitha përnjëherësh. Thuhet se do të mbërrijë vitin që vjen, dhe kompania do të punojë me standardet e skuadrës “Qi” për të sjellë më shumë produkte të tilla në treg.
Me këtë, Apple po përpiqet realisht që të rrisë standardin e celularëve për këtë vit, dhe mbase pak me tepër se ç’kanë arritur të bëjnë pajisjet Android deri më tani në 2017-ën. Midis kamerave të përmirësuara, ekraneve elegantë cep-më-cep, AR-së dhe aftësive të tejskajshme të grafikës, dhe njohjes së fytyrës, iPhone X është me të vërtetë një zgjedhje tunduese, nëse mund ta përballoni.
iPhone X do të jetë i disponueshëm në konfigurimet 64GB dhe 256GB, me çmime duke filluar nga $999. Ju do të mund ta porosisni atë prej datës 27 tetor, dhe do të mund ta blini në dyqan prej 3 Nëntorit.