AKEP bllokon faqen e hostimit webhost.al
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka bllokuar aksesin e 80 faqeve elektronike që ofronin zhvillimin e lojërave online, pasi Komisioni i Ekonomisë miratoi ligjin që mbyll nga 1 Janari i vitit 2019 të gjitha bastet sportive, bingot, bastet me gara dhe lojrat e fatit “online”.
Por AKEP, në zbatim të këtij ligji, ka përfshirë edhe faqen e Webhost.al në listën e faqeve që ofrojne baste online për tu bllokuar në territorin e Shqipërisë.
Faqja e WebHost.al pretendohet që është vendosur gabimisht në këtë listë pasi sipas këtij të fundit WebHost Sh.p.k. nuk ka publikuar asnjëherë asnjë material apo të ketë zhvilluar dhe mundësuar infrastrukturë për aktivitetet e basteve online.
Aktualisht shoqëria WebHost sh.p.k. nuk mund të zhvillojë aktivitetin e saj të biznesit si pasojë e këtij bllokimi, që prej datës 4 janar 2019. Pra e thënë më qartë asnjë klient i ri por dhe ata ekzistues nuk kanë të drejtë të operojnë mbi domainet e tyre të regjistruara pranë shoqërisë në fjalë. Kjo vjen si pasojë dhe e mënyrës që ISP-të zgjedhin për të realizuar bllokimin, i cili konsiston në obskurimin e plotë të domainit nëpërmjet DNS-së, dhe jo bllokimin e saktë të adresës së kërkuar nga AKEP. Duket si një gabim teknik por për Drejtorin e Drejtorisë së Autorizimeve, z.Jetmir Braha sqaron se “jo, për AKEP nuk është gabim, por është AMLF që duhet të sqarojë subjektin se përse është futur në këtë listë. Por nga një verifikim i thjeshtë dukej që në faqen e tij ekzistonte edhe mundësia për të shkuar në një domain tjetër që lejon lojërat e fatit dhe ka mundësi të jetë kjo arsyeja se përse është futur në listë. Nëse AMFL-ja na kërkon ta zhbllokojmë, ne do e zbatojmë”.
Konkretisht, adresa e kërkuar për bllokim është webhost.al/domain/bet111.al . Po të provosh ta aksesosh sot këtë adresë është e pamundur nga shumica e ISP-ve shqiptare (AKEP konfirmon bllokimin e plotë, të paktën sipas raportimeve nga ana e ISP-ve por nuk patëm mundësi të testonim të tëra). Por me pak njohuri teknike është e mundur të aksesohet serveri i webhost.al duke përdorur një proxy të huaj.
Aktualisht, WebHost është duke ndjekur të gjitha hapat ligjore që faqja të hiqet sa më parë nga bllokimi dhe përgjegjësit e kesaj cështjeje, të vendosen përpara përgjegjësisë.