Galaxy S20 Ultra, vendos një standard të ri
Samsung Galaxy S20 Ultra është smartphone i fundit i kompanisë, dhe sjell të gjithë harduerët më të mirë që janë në dispozicion tani për tani. Kamerat më të mira, ekranin më të mirë, kapacitetin më të mirë të baterisë, dhe gjithçka tjetër, të paktën në letër.
Fatmirësisht, ne të Informatriks, na është dhënë mundësia që ta kemi atë, që me ardhjen e tij në Shqipëri dhe tani është koha që t’ju njohim në këtë artikull, se çfarë mendojmë në lidhje me të.
Ekran i madh dhe i bukur
Le të fillojmë me ekranin, në fund të fundit kur të shihni Galaxy S20 Ultra në dyqane, ekrani do të jetë gjëja e parë që do vini re.
Galaxy S20 Ultra sjell një ekran Dynamic AMOLED 6.9 inç, 120Hz, me rezolucion 3200 × 1440 i cili sipas DisplayMate, është ekrani më i mirë në një smartphone, tani për tani.
6.9 inç, do të thotë që në xhepin tuaj, do mbani një ekran të madh, në të cilin mund të shihni Youtube, Netflix dhe shumë përmbajtje të ndryshme.
Ndërsa Galaxy S20 Ultra ka një rezolucion prej 3200 × 1440, nuk është vendosur aq në momentin që sapo del nga kutia. Përkundrazi, është vendosur në 2400 × 1080, ose FHD+. Në fakt kështu ka funksionuar gjithmonë me telefonat inteligjentë të Samsung, që nga dalja e Galaxy S8, kështu që kjo nuk është një befasi. Por për të marrë përvojën në rezolucionin e plotë WQHD+ që Galaxy S20 Ultra ka për të ofruar, do ju duhet ta aktivizoni atë manualisht, duke shkuar ke Display>Screen Resolution>dhe të zgjidhni WQHD+.
Por një tjetër ndryshim që duhet të ndërmerrni kur të blini Galaxy S20 Ultra, është niveli i rifreskimit (refresh rate). I sapo dalë nga kutia, ekrani ka një nivel rifreskimi 60Hz. Ju do iu duhet ta vendosni atë në 120Hz.
Ju rikutojmë, që i gjithë ky inspektim që i kemi bërë Galaxy S20 Ultra-s këto ditë, ka qenë me një ekran FHD+/120Hz, ku sipas nesh, në këto cilësime do e përdorë shumica prej jush.
Një ekran i madh, ka nevojë për një bateri të madhe dhe Galaxy S20 Ultra nuk zhgënjen
Galaxy S20 Ultra vjen me baterinë më të madhe që kemi parë në një smartphone flagship – kapaciteti 5,000 mAh, dhe duke parë specifikimet, sigurisht që do t’ju duhet. Në fund të fundit, telefoni ka një ekran 6.9-inç Quad HD+/120Hz dhe gjithashtu ofron mbështetje 5G, por jo këtu në Shqipëri.
Duhet të themi, që jemi të lumtur të raportojmë se jeta e baterisë në Galaxy S20 Ultra ka qenë e shkëlqyeshme. Ju rikujtojmë, që gjatë gjithë kohës së inspektimit, ekrani ka qenë në rezolucionin FHD+ dhe 120Hz.
Nëse ju vendosni që ta mbani në 60Hz, do vini re një rritje të madhe në jetën e baterisë, gjithashtu.
Ne arritëm të merrnim diku tek gjashtë deri në shtatë orë në ekran me 120Hz të aktivizuar. Kurse në 60Hz, deri në nëntë orë ose 2 ditë, që sigurisht është një kohë e gjatë për të qenë të sinqertë.
Por nëse jeni të shqetësuar për jetën e baterisë në Galaxy S20 Ultra, duke marrë parasysh të gjithë komponentët e rëndë që mban ky smartphone, mos u bëni. S20 Ultra është një përbindësh.
Megjithëse, zakonisht kur bëhet fjalë për një bateri kaq të madhe sa kjo, do ju duhet një kohë e gjatë për ta karikuar. Por në këtë rast, kjo bie poshtë me Galaxy S20 Ultra. Karikuesi i përfshirë 25W ështe në gjendje të karikojë plotësisht Galaxy S20 Ultra brenda një orë. Është vërtetë çmenduri, për një bateri të kësaj madhësie. Gjithashtu S20 Ultra mbështet dhe karikimin prej 45W, megjithëse ky karikues nuk përfshihet në kuti. Dhe nga disa testime që kemi parë, ky i fundit e karikon plotësisht në më pak se një ore.
Në thelb, jeta e baterisë është e mahnitshme në Galaxy S20 Ultra, dhe nuk do jetë fare e nevojshme që të shqetësoheni në lidhje me të.
Memorie për ditë me rradhë
Një çështje, të cilën shumë përdorues të “rëndë” (heavy users) e kanë paraqitur si problem tek Samsung, ka qenë se telefonat e këtij të fundit, janë shumë agresiv në heqjen e aplikacioneve nga memoria RAM. Kjo ndodhte për arsye që të çlirohej sa më shumë memorie, si dhe për të ruajtur bateri. Dhe me sa duket, Samsung ka dëgjuar ankesat e konsumatorëve të tij dhe për këtë ka sjellë në këtë smartphone shumë RAM, i cili do ju japë mundësinë për të bërë (pin) deri në katër aplikacione në memorie, përgjithmonë.
Kjo është diçka e mirë për të gjithë ata që luajnë lojra dhe që duan të shkëputen për një moment dhe t’i rikthehen lojës pa qenë nevoja që ajo të ngarkohet edhe njëherë nga e para. Dhe sigurisht, 12 GB RAM ju ndihmojnë për këtë.
Telefoni ofron aq RAM, sa që për ne, nuk ka qenë e nevojshme për t’u bërë “pin” aplikacioneve të vecanta. Edhe pse kemi pasur shumë aplikacione hapur njëherazi, u jemi rikthyer atyre pa qenë nevoja që këta të fundit të ringarkoheshin edhe njëherë nga e para.
Edhe pse zakonisht, mund të marrë disa minuta kohë hapja e një aplikacioni tek telefonat e tjerë, tek S20 Ultra ky problem nuk ekziston më.
RAM-i gjithashtu vjen paralelisht dhe me procesorin e fundit nga Qualcomm, Snapdragon 865 ose Exynos 990, për versionet europiane. Gjatë gjithë inspektimit, nuk kemi vënë re asnjë lloj ngecje nga ana e Galaxy S20 Ultra. Gjithashtu, në asnjë moment nuk ka pasur mbinxehje, përveç rasteve kur luan ndonjë lojë për një kohë të gjatë.
Është e rëndësishme të përmendet që Galaxy S20 Ultra teknikisht nuk është një smartphone lojrash, por duhet të theksojmë që nuk i mungon asgjë për të qenë një i tillë.
One UI 2.1 është në rrugën e duhur
One UI shumë shpejt është bërë skin-i im i preferuar Android, megjithëse do ndihesha shumë herë më mirë po të përdorja Android-in e pastër.
Duhet theksuar se që me daljen e tij, nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm për më se një vit.
Por në One UI 2.1, Samsung ka bërë disa ndryshime në softuer, duke e përmirësuar atë dhe më tepër.
Këto ndryshime të vogla, do mund t’i gjeni duke filluar që me menunë “Device Care.” E cila më parë ishte një rreth, që ju tregonte se çfarë duhet të bënit për të optimizuar telefonin dhe që i duheshin disa sekonda për t’u ngarkuar. Tani nuk ngarkohet fare, dhe ju tregon nivelin e baterisë, hapësirës, memories dhe sigurisë.
Dhe sigurisht, ju mund të klikoni në secilën prej tyre për të marrë më shumë të dhëna. Pra, nëse klikoni në “Battery Usage”, ju mund të shihni statistikat e baterisë për ditën, si zakonisht, por gjithashtu mund ta shihni atë dhe për shtatë ditët e kaluara. Tani kjo mund të mos jetë diçka e rëndësishme për të gjithë, por për një si puna ime, është mirë që e shikoj, pasi mund të kthehem pas dhe të shoh sjelljen e baterisë gjatë ditëve të kaluara. Për më tepër, ju mund të zmadhoni grafikun deri në një orë, dhe të shihni se si bateria është përdorur gjatë asaj kohe. Këtu përfshihet koha e ekranit ndezur, çfarë aplikacionesh përdoren më shumë, etj.
Një tjetër ndryshim për One UI 2.1 është Samsung Daily. Në thelb është si Bixby Home, i ri-branduar. Vazhdon të jetë akoma në të majtën e ekranit tuaj fillestar, dhe ju jep azhurnime dhe përmbajtje nga një larmi aplikacionesh, pak a shumë siç bën aplikacioni Google në Pixel.
Duhet të theksojmë se One UI 2.1 është akoma i bazuar në Android 10, nuk është se po merrni Android 11 në këtë rast. Ky i fundit pritet të vijë shumë vonë këtë vit.
Një dizajn i njohur dhe i ri njëkohësisht
Linja Galaxy S20 në pamje duket mjaft e njohur, edhe pse ka një dizajn pak të rifreskuar.
Një nga ndryshimet e mëdha, që solli Samsung këtë vit, ishte ekrani pak i lakuar. Një ankesë e madhe në lidhje me serinë e Galaxy S10 ishin skajet ekranit, shumë të lakuara, të cilat rezultonin në shumë prekje aksidentale. Por në Galaxy S20, lakimi nuk është dhe aq i theksuar, dhe mund të thuhet që mezi vihet re.
Dizajni është kryesisht i bukur, por ka disa gjëra që nuk na pëlqejnë. Një ndër më kryesorët është kamera shumë e dalë jashtë. Galaxy S20 Ultra është mjaft i trashë, por në momentin që vini re kamerën, e bën këtë pajisje edhe më të trashë. Kjo gjë, e vështirëson përdorimin e telefonit kur është në një tryezë ose në një sipërfaqe tjetër.
Sa i përket ngjyrave në të cilën vjen telefoni, për shumicën prej jush, mund të mos jetë një problem i madh, pasi menjëherë do e vendosni në kasë. Por ngjyrat në të cilat vjen Galaxy S20 Ultra, janë goxha të mërzitshme. Ky telefon vjen në dy ngjyra, gri kozmike, dhe në të zezë kozmike.
Galaxy S20 Ultra sjell një ekran të madh 6.9 inç, dhe mbrapa një xham të lakuar, i cili e bën telefonin shumë të rrëshqitshëm.
Natyrisht, nëse doni një smartphone më të vogël, Galaxy S20 Ultra nuk është telefoni i duhur për ju. Por Galaxy S20 mund të jetë, me ekranin e tij 6.2 inç (dhe 40.000 lekë më pak).
Këto kamera mund të bëjnë çdo gjë
Tani, le të flasim për kamerën. Me sa duket tipari më i rëndësishëm në çdo smartphone në vitin 2020.
Samsung ka një sistem kamerash komplet të ri, në të gjitha modelet e Galaxy S20, por këtu po flasim vetëm për Galaxy S20 Ultra. Galaxy S20 Ultra ka katër kamera në pjesën e pasme. Kemi kamerën kryesore 108-megapixel e cila përmban PDAF dhe OIS, e cila lidhet me një tjetër kamera ultra të gjerë, 12 megapiksel dhe një lente telefoto 48 megapiksel. Kamera e katërt është ajo në të cilën nuk mund të kaloni dot. Është një lente 0.3-megapiksel e cila shërben për të matur thellësinë, duke iu dhënë një buke (blur) më natyral.
Me këtë sistem të ri kamerash, Samsung është duke u përqëndruar në disa karakteristika kryesore si Space Zoom. Kjo është ajo ku ju mund të zmadhoni deri në 100X. Është diçka mjaft e çmendur për një smartphone dhe pothuajse e pabesueshme. Kështu që ne e vumë atë në provë, dhe mund të themi, që zmadhimi 100X nuk është se ofron imazhe të cilat mund t’i përdorni, ose t’i publikoni në ndonjë platformë.
Por, zmadhimi në Galaxy S20 Ultra është me të vërtetë i mirë. Deri në 30x, ju do merrni imazhe me të vërtetë të shkëlqyera. Dhe si me çdo kamera tjetër, sa më shumë dritë të keni, aq më mirë do të duken imazhet. Pra, zmadhimi 30x, jashtë në dritën e ditës, duket shumë më mirë. Ndonjëherë, është e vështirë të tregohet nëse fotografia e shkrepur në këtë telefon është e zmadhuar apo jo, pasi duket shumë mirë.
Sensorë më të mëdhenj, nënkuptojnë thellësi më të mirë të fushës (depth of field).
Të gjithë sensorët në Galaxy S20 Ultra janë më të mëdhënj këtë vit. Një sensor i madh, lejon të fusë më shumë dritë. Diçka që e kemi dëgjuar shumë, shumë herë nga prodhuesit e smartphone-ve. Por me këto lente kaq të mëdha, ju gjithashtu do merrni edhe një thellësi më të mirë fushore. Efekti Bokeh në Galaxy S20 Ultra është aq i mirë saqë, rrallë do e përdorni Live Focus.
Night Mode është përmirësuar në mënyrë drastike
Samsung ka bërë më shumë në lidhje me Night Mode, sesa thjeshtë duke na dhënë sensorë më të mëdhenj. Sigurisht që sensorët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lidhje me këtë pjesë, pasi siç u përmend dhe më lart janë ata që lejojnë të futet më shumë dritë.
Në Instagram kemi publikuar një album se sa i mirë është Night Mode, megjithëse kemi vënë re që fotot marrin një nuancë pak si të verdhë për disa arsye. Kjo është diçka që ne shpresojmë që me shumë mundësi do rregullohet në përditësimet e ardhshme. Por për ata që duan ngjyra të sakta, Galaxy S20 Ultra nuk është akoma aty sa i përket Night Mode.
Në Night Mode, tek butoni i shkrepjes, do vini re një animacion të ri që duket vërtetë i lezetshëm. Në thelb, është një gjysmëhënë që shndërrohet në një hënë të plotë deri në momentin që përfundon shkrepja e fotografisë.
Xhirimi i videove 8K në një smartphone është thjesht çmenduri
Galaxy S20 Ultra është smartphone i parë që vjen me mbështetje për xhirimin e videove 8K. Është një veçori që Qualcomm dhe Samsung e kanë shtuar në procesorin e tyre të fundit, të cilët fuqizojnë serinë Galaxy S20. Xhirimet në 8K në Galaxy S20 Ultra nuk janë më të mirat që do të gjeni, por mund të themi që janë mjaftueshëm mirë. Ka pak mungesë ngjyrash, por për shumicën prej nesh, është mirë.
Natyrisht që videot 8K do ju marrin shumë hapësirë në telefonin tuaj kështu që nëse nëse jeni dikush që xhironi shpesh video 8K, do t’ju duhet patjetër të siguroni një kartë micro SD, duke marrë parasysh që edhe Galaxy S20 Ultra ka akoma në dispozicion një vend për të tillë kartë. Këto pamje mund t’i ngarkoni në YouTube, si dhe t’i luani në një TV 8K QLED që Samsung ka në treg tani.
Nga xhirimit e videove 8K, mund të merrni gjithashtu edhe pamje 33 megapiksel në formën e screenshot, e cila ofron shumë detaje. Gjithashtu ekziston edhe një karakteristikë tjeterë që quhet “Single Take” të cilën mund ta përdorni për të kapur momentet perfekte në momentet e xhirimit.
5G është i shkëlqyeshëm, aty ku është në dispozicion
Galaxy S20 Ultra ofron mbështetje 5G në të gjitha rrjetet, por nuk besoj se do kemi mundësi që ta përdorim edhe për një apo dy vite të tjera këtu në Shqipëri. Gjë e cila është për të ardhur keq ngaqë shpejtësia që ofron 5G është e pabesueshme.
Sensori ultrasonik i gjurmëve të gishtërinjve është i mirë, por jo mjaftueshëm
Samsung edhe këtë herë, solli një sensor gishtërinjsh poshtë ekranit dhe vazhdon të mos jetë aq i mirë, në krahasim me sensorët e disa flagship-ve të tjerë.
Përveç që është i ngadaltë, është gjithashtu edhe mjaft i vogël. Pra, është e qartë se Samsung nuk ka përdorur sensorin e ri që Qualcomm prezantoi dhjetorin e kaluar. I cili është shumë herë më i madh, duke e bërë objektivin prekës më të thjeshtë për t’u gjetur.
Thuhet që Samsung do të jetë në gjendje ta rregullojë këtë me anë të një përditësimi, por nuk kam shumë shpresë.
Samsung ofron dhe mundësi të tjera në dispozicion. Si aftësinë për të njohur fytyrën, por edhe në këtë rast, Samsung S20 Ultra e ka të pamundur t’ju shohë fytyrën në errësirë, për shkak se përdor kamerën para dhe jo diçka si Soli.
Përmbledhje
Samsung në thelb ka sjellë gjithçka që përdoruesit mund të dëshirojnë, dhe i ka vendosur të gjitha në një telefon. Sigurisht që është një telefon i shtrenjtë, por duhet të kuptoni se po paguani për atë se çfarë po merrni,
Jetëgjatësia e baterisë në Galaxy S20 Ultra është çmenduri, kamera është një nga më të mirat për momentin, ekrani 6.9 inç është më i miri që mund të shihni në një smartphone, dhe natyrisht, ju do merrni versionin më të fundit dhe më të mirë të Android.
Pa përmendur gjithashtu edhe mbështetjen për 5G (si për Sub-6 dhe mmWave).