iMac Pro: Apple prezanton kompjuterin e saj më të shtrenjtë ndonjëherë

Apple ka përgatitur një dhuratë shumë të shtrenjtë krishtlindjesh për ju. iMac Pro i sapo-prezantuar është “Mac-u më i fuqishëm” i kompanisë, dhe njëkohësisht më i shtrenjti, me një çmim i cili fillon nga £4,899.

iMac Pro u prezantua në konferencën e zhvilluesve të Apple në Qershor, dhe ka si synim profesionistët të cilët i përdorin produktet e Apple për punë kreative, të cilët deri më sot kanë mundur të përdorin vetëm versionin krahasimisht më të lirë (£2,999) Mac Pro apo versionin tjetër akoma më të lirë 5K iMac (£1,749).

John Ternus, zëvendës presidenti i inxhinierisë harduerike të Apple tha se: “Në iMac Pro janë kombinuar dizajni i pabesueshëm i iMac me arkitekturën më të fuqishme për workstation që kemi ndërtuar ndonjëherë. iMac është kompjuteri më i njohur për përdoruesit tanë profesionistë për shkak të ekranit të tij të paparë dhe dizajnit elegant, kështu që ne e ri-ndërtuam atë për të përçuar një performancë shumë më të mirë nga ç’mund të mendohej në një ‘all-in-one.’

iMac Pro është praktikisht 5K iMac 27-inch por me procesor, çip grafik, RAM dhe memorje të përmirësuar. Modeli bazë është i disponueshëm për £4,899 dhe vjen me procesor Intel Xeon 8-bërthamësh, 32GB RAM dhe memorje 1TB SSD. Por opsionet përfshijnë edhe modelin me procesor 18-bërthamësh, me çip 2 ose 4-bërthamësh, kartën grafike AMD të klasit ‘workstation’ si Radeon Pro Vega 64, RAM deri në 128GB dhe SSD 4TB, i cili kushton £12,279.

Sipas Apple, këto parametra u hyjnë në punë njerëzve të cilët merren me “rendering 3D në kohë reale, VR, programime me intensitet dhe fluks të lartë, fotografëve të nivelit të lartë, simulatorëve kompleks, projekte masive audio dhe punime videosh 4K dhe 8K.”

iMac pro vjen gjithashtu n[ ngjyrën gri kozmike së bashku me tastierën dhe mausin në po të njëjtën ngjyrë.

iMac Pro përfaqëson përpjekjet e Apple për t’u ardhur në ndihmë profesionistëve në fushat e kreativitetit të cilët kanë përdorur Mac për një kohë të gjatë, dhe që i kanë transferuar produktet e Apple në industritë e filmave, televizionit, fotografisë dhe inxhinierisë. Por neglizhenca e Apple workstation-in e saj profesional Mac Pro, i cili u përditësua për herë të fundit në vitin 2013, ka bërë që shumica e profesionistëve ta zhvendosin bazën e tyre drejt Windows-it.

Apple tha gjithashtu se po punon në një version të ri të Mac Pro, i cili do ti kthehet dizajnit të PC-ve modulare, duke shtuar edhe një ekran të ri “pro.”

Por megjithatë mbetet për t’u parë nëse iMac Pro do të blihet nga njerëz të cilët bëjnë me të vërteët filma apo nga njerëz të cilët mendojnë se bëjnë filma dhe kanë nevojë për parametrat më të fundit. Është me të vërtetë një kompjuter i fuqishëm, por ndryshe nga një kompjuter i nivelit të konsumatorëve, nuk mund t’i bëhen përmirësime. Apple tha se kompjuteri do të dalë në treg në Dhjetor, dhe kështu ka ndodhur, por me një sasi të kufizuar.

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.