Mbërrin Razer Phone, smartfoni i parë (zyrtarisht) për lojëra
Nuk është më sekret se Razer (kompania e njohur për ndërtimin e pajisjeve periferike për lojëra dhe laptop) ka qenë e zënë duke ndërtuar një smartfon. Kompania bleu Nextbit në fillim të vitit, dhe që prej asaj kohe kanë nisur thashethemet për një Razer Phone.
Kompania e prezantoi pajisjen në një event në Londër pasditen e 1 Nëntorit. Si çdo gjë që bën Razer, edhe ky celular është ndërtuar me fokusin tek lojërat, çka në këtë rast do të thotë se ka parametra mbresëlënëse:
- Çipin super të shpejtë të Qualcomm, Snapdragon 835, i njëjti i cili fuqizon flagshipët si Pixel 2 dhe Galaxy S8.
- Një bateri gjigante 4,000mAh
- 8GB RAM
- Memorje të brendshme 64GB, plus një fole microSD për zgjerim memorje
- Dy kamera 12MP me nivele të ndryshme të zoom-it optik, njëra me kënd të gjerë, tjetra me telephoto
- Kamera të përparme 8MP
- Njësoj si me Nextbit Robin, sensori i shenjave të gishtave është i fshehur në butonin anësor të ndezjes
- 802.11a/b/g/n/AC, Bluetooth 4.2, dhe NFC
- Si fillim do të ketë Android Nougat 7.1.1, por me plan që të përditësohet në Android Oreo (8.0) në tremujorin e parë të 2018-ës
- Ekran Quad HD IGZO LCD 5,72 inç, me frekuencë 120hz, çka do të thotë se ekrani rifreskohet shumë shpejt në mënyrë që të mundësojë animime/lëvizje më të buta. Edhe iPad Pro ka një ekran me frekuencë 120hz, por duket sikur Razor është i pari i cili ndërtoi një smartfon me një të tillë
Dhe siç duket si një trend i pandalshëm, as ky smartfon nuk ka një portë kufjesh 3.5mm, Sipas kompanisë, ata e kanë përdorur këtë hapësirë për baterinë dhe bokset. Por nga ana tjetër, në kuti ka një adaptor 3.5mm në USB-C DAC.
Dhe meqë jemi tek bokset, Razer premton audio kinematike me bokset e saj me teknologjinë Dolby Atmos®, me dy amplifikatorë të dedikuar në secilin boks.
Rezervimet për Razer Phone kanë nisur që prej 1 Nëntorit, ndërsa shitjet do të fillojnë më 17 Nëntor. Çmimet priten të jenë: US$699.99 / €749.99 / £699.99