Si të lironi memorjen e iPajisjes suaj duke fshirë “cache”-t e aplikacioneve
Për të gjithë ata që kanë një iPajisje 16GB, apo më keq akoma 8GB, mungesa e memorjes është një problem real. Dhe pjesa më e madhe e këtij problemi janë “cache”-t, skedat e përkohshme që aplikacionet ruajnë ndërkohë që ju i përdorni ato.
Edhe më parë unë kam shkruar një postim për zgjidhjen e këtij problemi, por ai nuk funksionon më në iOS 10 dhe 11, sepse Apple e ka integruar vetë në sistem këtë zgjidhje, dhe (gjoja) sa herë ka mungesë memorje cache-t fshihen automatikisht, por nga eksperienca ime nuk ka ndodhur kështu shumicën e rasteve.
“…dhe zgjidhja është?”
Pasi kreva disa hulumtime në internet për këtë çështje, zbulova një zgjidhje akoma më të mirë se sa ajo e para. Kësaj radhe, për të liruar hapësirë në iPajisjen tuaj do t’ju ndihmojë një aplikacion që quhet “Battery Doctor.”
Në pamje të parë “Battery Doctor” është një aplikacion i cili ofron asistencë në jetëgjatësinë e baterisë, por ka edhe një funksion tjetër të fshehur i cili është optimizimi i memorjes. Për ta “çliruar” atë, ju do t’ju duhet të prekni dy herë shpejt fushën bosh në faqen e parë të aplikacionit, ta mbyllni dhe ta hapni përsëri atë. Përsëriteni këtë deri sa në fund t’ju shfaqen opsionet e optimizimit të memorjes.
Nga aty më pas mund të optimizoni memorjen dhe të fshini skedat e panevojshme (cache-t), si dhe të optimizoni gjithashtu edhe RAM-in. Nëse e keni ende të paqartë referojuni kësaj videoje.
A ka ndonjë mënyrë tjetër për t’i fshirë cache-t?
Po, ekziston edhe metoda tradicionale e cila fshin cache-t e një aplikacioni duke e fshirë dhe instaluar atë përsëri. Përgjithësisht kjo është shumë e bezdisshme dhe nuk parapëlqehet.
Nëse keni ndonjë pyetje apo paqartësi, mund t’i shkruani në formën e komenteve më poshtë.