Si të shmangni gjurmimin e Facebook

Kohët e fundit po përflitet shumë se si Facebook arrin të gjurmojë përdoruesit e tij në forma të ndryshme edhe pasi këta të fundit dalin nga llogaria e tyre, të cilat sigurisht shkelin privatësinë e përdoruesve të tyre dhe rrjedhimisht shkelin edhe ligjet mbrojtëse të privatësisë.

Në këtë artikull kam vendosur t’ju tregoj disa mënyra dhe opsione se si ta shmangni gjurmimin e Facebook.

1. Çaktivizoni llogarinë tuaj të Facebook

E di që është e mërzitshme, por kjo është mënyra më e thjeshtë se si mund ta ndaloni gjurmimin e Facebook. Por nëse edhe ju e përdorni atë për të komunikuar me të afërmit tuaj, dhe e keni të domosdoshëm, ka edhe opsione të tjera.

2. Instaloni një bllokues reklamash

Bllokuesit e reklamave bllokojnë ndër të tjera shfaqjen e një tipi të veçantë reklamash, mbartëse të një kodi i cili arrin të gjurmojë lëvizjet tuaja në internet. I preferuari im (të cilin ua rekomandoj edhe ju) është uBlock.

3. Facebook Disconnect

Facebook disconnect është një shtojcë shfletuesi i cili bllokon Pixel-in e Facebook (gjurmuesin) nga funksionimi kur ju vizitoni një sajt i cili e ka të instaluar atë. Kështu që Facebook nuk do ta marrë vesh se ku navigoni në internet.

4. Përdor Ghostery

Nëse po kërkoni diçka pak më të fuqishme se sa Facebook Disconnect, Ghostery është një shtojcë shfletuesi e cila e skanon të gjithë faqen teksa ajo ngarkohet dhe evidenton të gjitha cookie-t të cilat përmban faqja, përfshire Facebook Pixel. Kjo shtojcë
gjithashtu ju jep mundësinë t’i çaktivizoni të gjitha këto cookies në të gjithë internetin.

5. Ndryshoni parametrat në Facebook

Ky link do t’ju dërgojë tek faqja e preferencave të reklamave në Facebook. Këtu do të shihni se cilat marka mendon Facebook se ju pëlqejnë, me cilët reklamues ndërveproni më shumë, si dhe kategoritë të cilat Facebook përdor për t’ju shfaqur reklamat. Ju mund t’i fshini të gjitha këto informacione. Facebook përsëri mund t’i ketë, por nuk do t’ua japë reklamuesve. Megjithatë këtu ka një sërë opsionesh për ta kontrolluar eksperiencën tuaj me reklamat.

6. Shkëputuni direkt nga ndërmjetësuesit e të dhënave

Steve Satterfield, një menaxher i privatësisë dhe politikave publike tek Facebook, tha se përdoruesit të cilët nuk duan fare që Facebook t’i posedojë të dhënat e tyre, duhet të bëjnë një kërkesë tek ndërmjetësit e të dhënave. Këta të fundit përsëri mund të vazhdojnë të mbledhin të dhënat tuaja, por nëse ju shkëputeni, të dhënat tuaja nuk do të ndahen me palë të treta si Facebook në këtë rast. Kompani të tilla ka plot, por Facebook ka përgatitur një listë me të gjithë ndërmjetësuesit e të dhënave me të cilët ata punojnë. Kjo është faqja me listën.

7. Dhe së fundmi, nëse mendoni se Facebook dhe Instagram po ju përgjojnë, atëherë shkëputni aksesin e aplikacioneve me mikrofonin.

Në iPhone:

  1. Shkoni tek Settings.
  2. Shtypni Privacy.
  3. Shtypni Microphone.
  4. Çaktivizoni Facebook dhe Instagram.

Në Android (7.1.1 Nougat):

  1. Shkoni tek Settings.
  2. Shtypni Apps.
  3. Shtypni Facebook ose Instagram.
  4. Shtypni Permissions.
  5. Çaktivizoni mikrofonin.

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.