Telekom Albania me rrjet 4G në 20 qytete të Shqipërisë
Pas një jave festive që nga data 23 Korrik ku u prezantua marka e re e AMC-së tani nën drejtimin e Deustche Telekom, operatori mobile i dytë për nga numri i abonentëve në Shqipëri do të quhet Telekom Albania. Nuk vonuan as risitë që kishte përgatitur Telekom Albania, ku çdo reklamë televizive vë theksin tek rrjeti 4G. Pikërisht për këtë do të flasim në këtë artikull. Pak ditë më parë ka startuar shërbimi 4G nga Vodafone, teknologji e cila është e disponueshme në Tiranë dhe disa zona turistike në jug të Shqipërisë.
Gjithashtu Vodafone lançoi edhe një faqe të dedikuar në webfaqen e saj për 4G-në ku ofrohej informacion për shërbimin dhe mënyrën e aktivizimit. Tani të njëjtën gjë po bën Telekom Albania (T-Mobile AL), ku gjithashtu operatori mobile në fjalë ka lançuar një webfaqe dedikuar 4G-së. Motoja është “4G me Telekom. Super i Shpejtë, Super i Sigurtë!”. Më tej Telekom Albania thotë “Mirësevjen në 4G, i pari në Shqipëri”.
Telekom Albania gjithashtu reklamon shpejtësi deri në 150 Mbps në rrjetin LTE, ndërsa frekuencat në përdorim nga operatori janë 2600 Mhz. Edhe pse operatorët janë në faza testimi siç ka sqaruar AKEP, shërbimet zyrtarisht duhej të fillonin pas 1 Shtatorit. Telekom dhe Vodafone kanë filluar që tani të ofrojnë karta SIM 4G falas për abonetët që duan të përfitojnë shërbimin. Në heshtje janë ALBtelecom dhe Plus Communication.
Telekom Albania ka tejkaluar edhe Vodafone përsa i përket mbulimit me këtë shërbim. Operatori në pronësi të Deustche Telekom pretendon të ofrojë 4G-në në qytetet: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Korçë, Kamëz, Vorë, Lezhë, Peshkopi, Kukës, Kavajë, Shëngjin, Gjiri i Lalëzit, Mali i Robit, Radhimë, Himarë dhe Dhërmi.