Google Chrome do ju lejojë t’i gruponi dhe t’u vini etiketa tabeve
Ka dy lloje njerëzish në këtë botë, ata që janë minimalistë dhe mbajnë pak tabe të hapura në shfletuesin e tyre, dhe pjesa tjetër , të cilët duket sikur i koleksionojnë ato. Dhe duke parë postimin e fundit të blogut të Google, me sa duket edhe unë i përkiskam grupimit të dytë, dhe se kjo karakteristikë e re e shfletuesit qenka krijuar fiks për mua.
![](https://www.informatriks.com/wp-content/uploads/2020/05/Chrome_Tab-Groups_In-Line-Image-v7-1.gif)
Google definitivisht nuk ishte i pari i cili prezantoi karakteristikën e grupimit të tabeve, por prespektiva e këtij të fundit në lidhje me tabet është një ndër më të mirat. Duke klikuar me të djathtën mbi një tab, zgjidhni opsionin “add to group”; dhe kështu tabet të cilët kanë lidhje me njëri-tjetrin do të ngjyrosen me të njëjtën ngjyrë. Ju do të mund edhe t’u vini një etiketë këtyre grupimeve, për të qenë më të organizuar. Brenda grupit, tabet do to mund të renditen sipas dëshirës dhe do të ruhen në mënyrë që të riktheheni tek ato sa herë t’ju nevojiten.
Google thotë se e ka testuar këtë karakteristikë për një kohë të gjatë në brendësi me një grup përdoruesish, dhe ka zbuluar se këta të fundit i emërtojnë ato në bazë të çështjes apo urgjencës që kanë, ku kjo e fundit ka funksionuar pak a shumë si një aplikacion “to-do.” Google ju sugjeron që të përdorni edhe emoji për të emërtuar tabet (për të kursyer gërmat).
![](https://www.informatriks.com/wp-content/uploads/2020/05/Chrome_Tab-Groups_In-Line-Image-v7.gif)
Grupimi i tabeve do të vijë me përditësimin e ri të Chrome javën që vjen, dhe do të jetë i disponueshëm vetëm për desktop.