Shuhet në moshën 32 vjeçare Microsoft Paint…
Përditësimi i radhës i Windows 10, i quajtur “Autumn (ose ‘Fall’ për Sh.B.A-të) Creators Update”, do të sjellë një sërë karakteristikash të reja. Por një prej programeve më të njohura dhe më të përdorura do të sakrifikohet. Bëhet fjalë për Microsoft Paint.
Të jem i sinqertë, unë nuk e imagjinoj dot Windows-in pa Paint-in. Që kur u publikua në vitin 1985 me Windows 1.0, besoj se ka qenë një ndërmjetës në prezantimin e fëmijëve (dhe jo vetëm) me kompjuterin. Sado të kemi avancuar sot në përdorimin e kompjuterit, them se të gjithë e kemi nisur duke vizatuar shtëpitë, barin, lulet, qiellin dhe diellin në cep të ekranit me Paint-in.
Dhe mbi të gjitha vazhdojmë ta përdorim edhe sot. Nuk ma ha mendja se për të prerë ndonjë imazh, apo për të bërë ndonjë modifikim të vogël, ndonjërit prej jush ia ka ënda të hapë Photoshop-in?! E pra!
Kështu që shijojeni edhe pak sa e keni…
Jeta e Microsoft Paint
Siç e përmenda edhe më sipër, programi më i famshëm i “dizenjimeve grafike” daton qysh në zanafillën e sistemit të operimit Windows, në versionin 1.0 të tij, por vetëm me licencë 1-bit monochrome nga PC Paintbrush i ZSoft, kështu që aplikacioni do të mund të ruante vetëm në formatet Bitmap (BMP) dhe PCX. Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1998, kur do të prezantohej Windows 98 me një MS Paint të ri, i cili do të mund të ruante në formatin JPEG. Versioni më i fundit i programit është ai i Windows 7.
Ende nuk dihet se kur Paint-i do të eleminohet zyrtarisht, madje as për Windows 10 Autumn Creators Update nuk ka ndonjë datë të saktë, por do të jetë një moment historik për Windows-in kur ky i fundit të “dërgojë në varreza” një prej programeve më të njohur që ka krijuar ndonjëherë.