Ti nuk e di çfarë është Linux Weekend?

Eventi “Must go” për të gjithë të apasionuarit e Linux! Shënojini në kalendar datat 25 & 26 të muajit Mars 2017, sepse do të lind Linux Weekend, një konferencë e re në qytet me dy ditë të dedikuara tërësisht sistemit operativ Linux dhe distrove të tij.

Prezantime, punëtori, stenda informimi dhe instalime, të gjitha në të njëjtin vend, në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Eventi organizohet nga Open Labs, një komunitet që promovon iniciativa free libre open source që prej vitit 2012 dhe tashmë është e njohur midis të apasionuarve për teknologjinë për iniciativat që ndërmerr, njohuritë dhe energjitë që ndan, dhe të rinjtë që frymëzon.

Prezantime dhe punëtori shumë interesante që do të mbahen nga “linux-axhinj” të apasionuar nga brenda dhe jashtë vendit, do të jenë pjesë e të dyja ditëve të konferencës. Që prej orës 10:00 deri në orën 17:00 pjesëmarrësit do të mund të ndjekin prezantimet që gjejnë më ineresante, do të kenë mundësi të marrin një kopje nga distroja e tyre e preferuar (dhe asistencën për ta instaluar) si dhe të marrin informacionet e duhura se si mund të kontribuojnë në komunitetet përkatëse të këtyre projekteve Open Source që do të kenë stendat e tyre informuese.

Edhe nëse ndjeni se nuk keni eksperiencë ose njohuri të mëparshme në lidhje me Linux, do të keni mundësinë të gjeni informacione të dobishme për ju, si dhe mundësinë për të takuar dikë që mund t’ju përgjigjet pyetjeve tuaja, nga ju pritet vetëm bashkëpunimi dhe dëshira për të mësuar.

Pjesëmarrja: Kushdo që ka dëshirë të jetë pjesë e Linux Weekend mund të marrë pjesë pa pagesë, duke u regjistruar në http://www.linuxweekend.openlabs.cc/regjistrohu

Më shumë informacion mund të gjeni në: www.linuxweekend.openlabs.cc