Rikthehet Nokia 3310
E mbani mend atë celularin e fortë si titan, të cilin fare lehtë mund ta hidhnit nga kati i 10, dhe më pas do të ishte përsëri në gjendje të shkëlqyer? Që e vinit në karikim vetëm një herë në muaj, dhe bateria ju mbante një vit të tërë? (Sigurisht që e mbani mend, por po ju pyes kot.)
Epo më lejoni t’ju njoftoj që legjenda është rikthyer.
Pas Nokia 6, HMD Global (kompania e cila ka blerë markën e Nokia-s për 10 vitet e ardhshme) ka prezantuar në KMB 2017 në Barcelonë version modern të celularit ‘ikonë’ Nokia 3310.
Jeni gati të lexoni për karakteristikat e tij? Le të fillojmë!
Nokia 3310 e re do të vijë në katër ngjyra: Blu e errët, E kuqe, E verdhë dhe Gri. Ka një ekran 2,4-inç të polarizuar (që të mund ta shihni edhe kur i bie dielli), kamera 2MP me blic për të bërë ndonjë foto tek-tuk, portë të jashtme kufjesh si dhe një fole për kartë memorje deri në 32GB për të ruajtur këngët MP3 që do të shkarkoni. Gjithashtu do të jetë i disponueshëm në variantet single dhe dual sim.
Duke u përpjekur për t’i qëndruar sa më besnik versionit origjinal, HMD Global ka implementuar në të vetëm teknologjinë 2G, e cila do t’ua vështirësojë pak lundrimin në internet. Kompania i ka qëndruar besnike gjithashtu edhe baterisë, duke ofruar kështu një kohëzgjatje të baterisë për rreth 22 orë në kohë bisede, si dhe gati 31 DITË në stand-by.
Mbase nuk do të jeni dot në gjendje të shkakroni e të përdorni aplikacionet e rrjeteve sociale në të, dhe madje do t’ju duhet të shtypni butonin ‘7’ katër herë për të nxjerrë shkronjën ‘S’, por uroj t’ju ngushëllojë lajmi se me Nokia 3310-ën e re do të vijë edhe një version i ri e lojës së mirënjohur ‘Snake’ (ku nuk kishte se si të ndodhte ndryshe…).
Nokia 3310 (e reja) do të dalë së shpejti në treg me çmimin 49 euro.