Lumia 950 dhe 950 XL do të përfaqësojnë Microsoft në betejën e telefonave të rangut të lartë

Për entuziastët pritja që dukej sikur s’do përfundonte kurrë mbaroi. Microsoft prezantoi jo një por dy telefonë të parametrave të lartë.

Pas muajsh të tërë spekulimesh dhe debatesh në lidhje me dy telefonët inteligjentë të Microsoft, cituar me pseudonimet Talkman dhe Cityman, Lumia 950 dhe 950 XL dalin në shitje në muajin Nëntor për 549 dollar dhe 649 dollar respektivisht.

Lumia 950 dhe 950XL

Lumia 950 XL karakterizohet nga një ekran 5.7 inç me panel AMOLED me rezolucion 2560 x 1440. Fuqizohet nga proçesori tetë bërthamësh Snapdragon 810 dhe bateri me kapacitet 3,340 mAh. Lumia 950 ka po të njëjtin rezolucion por në një ekran 5.2 inç. Proçesori është një Snapdragon 808 me gjashtë bërthama ndërsa bateria bart një kapacitet prej 3,000 mAh.

Që të dy telefonët kanë 32 GB memorje të brendshme, 20 megapiksel kamera të pasme, 5 megapiksel kamera frontale, karikim wireless dhe NFC. Një krahasim të detajuar të specifikave të harduerit e gjeni në uebfaqen e Microsoft.

Por arsyeja e blerjes të këtyre telefonëve inteligjent qëndron përtej harduerit të brendshëm. Proçesorët përmbajnë ftohës të lëngshëm për ti mbajtur në temperatura sa më të ulëta. Kamera e pasme shoqërohet nga dritë LED e trefishtë. Kamera frontale përmban një skaner me infra të kuqe ndërtuar për Windows Hello.