Microsoft njoftoi shtyrjen e Projektit Astoria
Planet ambicioze të Microsoft për të konkurruar me platformat rivale si Android po hasin me probleme. Gjatë konferencës Build 2015 gjigandi i sistemit operativ në përpjekje të dëshpëruara për të mbyllur hendekun e aplikacioneve mes Windows Phone dhe rivalëve si Android dhe iOS prezantoi disa mjete të reja për zhvilluesit që të realizojnë portimin e aplikacioneve.
Në rastin e Android projekti ishte emërtuar si “Project Astoria” i cila do të portonte kodin e aplikacioneve Android në Windows 10 Mobile. Microsoft tha se ishte shtyrë debutimi i këtij projekti ndërsa raporte të tjera sugjerojnë edhe një anulim të tij.
Ishte Windows Central që hodhi dritë mbi të rejat e Projektit Astoria. Në një qëndrim Microsoft kishte thënë: “Jemi plotësisht të angazhuar për tu ofruar zhvilluesve mundësinë e protimi të aplikacioneve të tyre në platformën e Windows por ura Astoria akoma nuk është gati.”
Projekti Astoria është plani madhor i Microsoft për të mbyllur hendekun e aplikacioneve që ekziston mes telefonëve Windows dhe atyre Android e iOS. Dy rivalët kanë një bazë të gjërë aplikacionesh mjaft cilësore.
Pikërisht këtë Microsoft po synon të ndryshojë. Ideja e gjithë kësaj ishte lehtësimi ndërtimit të aplikacioneve për Windows Phone thjesht duke bërë modifikime minimale në kodet e tyre bazë.
Por të lëmë mënjëanë ambicjet e Microsoft sepse situata e aplikacioneve është mjaft kritike në telefonët Windows. Pa një ekosistem të pasur aplikacionesh, është shumë e vështirë për Microsoft të bindë konsumatorët të blejnë telefonë Lumia.
Portimi i aplikacioneve në iOS
Mjeti për portimin e aplikacioneve nga iOS në Windows Phone është i disponueshëm aktualisht. Thjesht duhet pak investim nga zhvilluesit sepse duhet të realizojnë ca ndryshime në kod dhe të rikompilojnë aplikacionin. E thënë ndryshë i gjithë proçesi është shumë më i lehtë sesa të ndërtosh një aplikacion nga zeroja.
Në të kundërt Astoria është ndërtuar për të qenë një emulator, një përpjekje e ngjashme me atë të BlackBerry 10. Problemet që shfaqin aplikacionet e përshtatura në këtë metodologji janë mungesa e natyrshmërisë dhe përshtatja me ndërfaqen. Por shpesh herë problemet mund të rezultojnë edhe në performancë.