Norvegjia bën një tranzit të rrezikshëm drejt digjitales duke ndërprerë radio-transmetimet FM
Norvegjia do të bëhet vendi i parë në botë i cili do të fillojë të ndërpresë radio-transmetimet FM javën që vjen, duke bërë kështu një hap të rrezikshëm dhe jo fort të njohur drejt teknologjisë digjitale, e cila me shumë gjasa do të ndiqet edhe nga shtetet e tjera anëtare të EBU.
Kritikët thonë se qeveria po nxitohet me këtë tranzicion dhe shumë njerëz do t’i humbasin lajmërimet për emergjencat të cilat deri më sot janë transmetuar nëpërmjet radios. Një shqetësim tjetër në veçanti janë edhe 2 milion makinat në rrugët e Norvegjisë të cilat nuk janë të pajisura me marrës Digital Audio Broadcasting (DAB), thonë ato.
Sipas një sondazhi nga e përditshmja Dagbladet, 66% e Norvegjezëve e kundërshtojnë ndërprerjen e transmetimeve FM, ndërsa vetëm 17% janë në favor të vendimit, dhe pjesa tjetër është e pavendosur.
Megjithatë, parlamenti e dha vendimin për tranzicionin muajin e shkuar, duke e argumentuar atë me faktin se rrjetet digjitale mund të mbartin më tepër stacione radio.
Edhe Zvicra po e planifikon një ndryshim të tillë në vitin 2020, ndërkohë Britania dhe Danimarka futen në grupin e shteteve të cilat po e shqyrtojnë një ndryshim të tillë. Një tranzicion i qetë drejt DAB, i cili po rrezatohet tashmë përgjatë Norvegjisë, mund t’i inkurajojë këtë shtete që ta përshpejtojnë ndryshimin.
Ndërprerja e transmetimeve FM (Frequency Modulation), e prezantuar në vitet ’50, do të fillojë më 11 Janar në qytetin verior të Bodoe.
Deri në fund të këtij viti, të gjitha rrjetet FM brenda vendit do të ndërpriten në favor të DAB, ku mbështetësit e të cilës thonë se kjo teknologji transmeton një tingull më të qartë dhe me më shumë kualitet përgjatë shtetit të madh me 5 milion banorë të ndarë nga malet dhe fjordet.
“Ne jemi vendi i parë në botë i cili bën ndërprerjen e transmetimit FM por ka plot vende të tjera të cilat po marrin po të njëjtin drejtim,” tha Ole Joergen Torvmark, kreu i Digital Radio Norway, e cila është në pronësi të televizionit shtetëror NRK dhe P4.
Torvmark tha se makinat ishin “sfida më e madhe” – një adaptor i mirë digjital për një makinë me marrës FM kushton 1,500 korona Norvegjeze (rreth 174,7 dollarë), tha ai.
Për të njëjtën kosto, radio-ja digjitale në Norvegji lejon tetë herë më shumë stacione radio se sa FM. Sistemi aktual i FM-ve paralele dhe rrjeteve digjitale, secila prej të cilave kushton rreth 250 milion korona (rreth 29 milion dollarë), ul investimet në programe.
Midis shteteve të tjera, Britania planifikon të rishqyrtojë nevojën për një tranzicion sapo dëgjimi digjital të arrijë 50%. Kjo mund të arrihet nga fundi i 2017-s sipas trendeve aktuale, tha Yvette Dore, zëdhënësja e Digital Radio UK.