fbpx

Terminologji Informatike: Parashtesa HYPER

Veç problemeve drejtshkrimore që janë shqyrtuar në shkrimet e mëparshme, problemet me parashtesat dhe prapashtesat janë gjithashtu të zakonshme. Ndodh shpesh që fjalët e huazuara nga gjuha angleze të sillen pa përshtatje dhe pa ndryshimin e parashtesës apo prapashtesës së fjalës nga gjuha burimore në përputhje me rregullsitë fjalëformuese të gjuhës shqipe. Vihen re përdorime të papërshtatshme ose të tepruara të parashtesave en-, de- dhe hyper-, si dhe të prapashtesave -al, -er, -acion, -tive dhe -icien. Parashtesa hyper- shfaqet përpara disa emrave që përfaqësojnë parametra të fiziologjisë njerëzore apo parametra të dukurive të ndryshme dhe formon terma që nënkuptojnë vlera mbi normën e parametrit në fjalë. Mund të gjendet edhe në fjalë që përfaqësojnë koncepte abstrakte, si p.sh. nga matematika ose informatika, raste në të cilat nënkupton një koncept tjetër të një shkalle të sipërme apo më të lartë se koncepti bazë. Tradicionalisht, kjo parashtesë është përshtatur në gjuhën shqipe në formën hiper dhe gjendet në fjalë të ndryshme si hipertension, hiperglicemi, hiperklorat etj. I njëjti rregull duhet ndjekur edhe në përshtatjen e fjalëve të reja nga fusha e teknologjisë së informacionit, disa prej të cilave paraqiten më poshtë, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).

hypercube është figurë gjeometrike 4-përmasore që mund të konsiderohet si dy kube 3-përmasorë të lidhur te këndet përkuese të njëri-tjetrit. Përkthimi i duhur i kësaj fjale është hiperkub. Shembuj: hypercube modeling — modelimi i hiperkubit, hypercube volume — vëllimi i hiperkubit.
hypergraph është përgjithësim i konceptit të grafit, duke lejuar mundësinë që secila brinjë të lidhë jo vetëm dy, por një numër të pakufizuar nyjash me njëra-tjetrën. Në vend që kjo fjalë të shkruhet *hypergraph* si në anglisht, sugjerojmë që të përkthehet hipergraf, në përputhje me traditën e përkthimeve në tekstet e matematikës. Shembuj: hypergraph traversal — bredhje e hipergrafit, hypergraph structure — struktura e hipergrafit.
hyperedge është brinjë që lidh dy apo më tepër nyja në një hipergraf. Sipas të njëjtit rregull, kjo fjalë duhet të përkthehet hiperbrinjë. Shembuj: counting the hyperedges — numërimi i hiperbrinjëve, hyperedge interconnection — ndërlidhje e hiperbrinjëve.
hyperlink është shënjues i vendosur në një objekt si faqe në ueb apo fjalë në një dokument, që mundëson kalim të shpejtë te një pozicion tjetër në të njëjtin objekt (p.sh. seksion tjetër brenda të njëjtit dokument) ose te një objekt tjetër, pra te një njësi e jashtme. Në shumë raste si p.sh. te [1] f. 43, kjo fjalë nuk përkthehet, pra hasim *hyperlink*. Një variant është *mbilidhje* që ndeshet te [2] f. 88, por që devijon nga rregulli i mësipërm në lidhje me përshtatjen e parashtesës hyper. Një përkthim tjetër i papërshtatshëm është *ndërlidhje*, çka përbën një koncept tjetër me të cilin nuk duhet ngatërruar. Sugjerimi ynë është fjala hiperlidhje e cila përbëhet nga morfema hiper dhe nga rrënja lidhje që është përkthimi i fjalës link. Kjo formë ndeshet edhe në njësi bibliografike si te [3] f. 117, te [4] f. 157, te [5] f. 214 etj. Shembuj: section hyperlink — hiperlidhje e seksionit, the hyperlink of a page — hiperlidhja e një faqeje.
hypertext është format i veçantë i paraqitjes së tekstit, me lidhje dhe hiperlidhje, të cilat i mundësojnë lexuesit të lëvizë në pika të ndryshme tek i njëjti dokument ose nëpër dokumente të ndryshme në ueb. Kjo fjalë ndeshet shpesh e shkruar *hypertext*, p.sh. te [1] f. 14, te [3] f. 102 etj. Përkthimi i duhur është hipertekst, siç ndeshet te [6] f. 175, te [7] f. 86 etj. Shembuj: hypertext link — lidhje në hipertekst, hypertext pages — faqe hiperteksti. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [8].

Referenca

  1. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Esmeralda Tasho, Silvana Greca: “TIK 12 (për klasën e dymbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2011.
  2. Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  3. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Entela Jegeni: “Informatika 3 (drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2008.
  4. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (për klasën e X-të)”, IDEART, Tiranë, 2011.
  5. Eqerem Arkaxhiu, Juliana Ahmeti: “Hyrje në informatikë”, SHBLU, Tiranë, 2007.
  6. Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu, Frederik Shalësi: “Informatika 4 (për shkollat e mesme, drejtimi natyror)”, IDEART, Tiranë, 2006.
  7. Frederik Shalësi, Ilia Ninka, Eqerem Arkaxhiu: “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (bërthamë, për klasën e XI-të)”, IDEART, Tiranë, 2012.
  8. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930