Terminologji Informatike: Prapashtesa AL

Problemet e parashtesave që janë trajtuar në shkrime të ngjashme shfaqen edhe te prapashtesat. Prapashesa -al është mjaft e shpeshtë në gjuhën angleze. Kjo prapashtesë është e pranishme në njëfarë mase edhe në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, po vihet re vitet e fundit një përdorim i tepruar i saj. Kjo ndodh shpesh te fjalët që po përkthehen me përtesë sipas formës së tyre në gjuhën angleze. Më poshtë jepen disa shembuj, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si dhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).

binomial shpreh një cilësi matematike që i referohet shprehjeve të përbëra nga dy pjesë. Haset shpesh përkthimi *binomial*, ndërkohë që fjala e duhur shqipe për këtë mbiemër është binomik. Shembuj: binomial expression — shprehje binomike, binomial distribution — shpërndarje binomike.
natural është mbiemri natyror që duhet të mbarojë me prapashtesën -or, e cila përbën një veçori dalluese të gjuhës shqipe. Përdorimi i formës *natyral*, përveçse në matematikë, po ndeshet rëndom edhe në të folurin e përditshëm. Sugjerohet që të shmanget dhe të zëvendësohet nga fjala natyror në çdo rast. Shembuj: set of natural numbers — bashkësia e numrave natyrorë, operation on natural numbers — veprim mbi numrat natyrorë.
neural është mbiemër që cilëson koncepte apo entitete të lidhura me sistemin nervor, nervat, trurin etj. Përkthimi i duhur në shqip është nervor që mbaron me prapashtesën -or. Përdorimi i formës *neural* si te [1], te [2] f. 18, te [3] f. 68 etj., përbën “përtesë” në përkthim apo përshtatje dhe një gabim serioz që krijon shfaqje të tepruar të prapashtesës -al. Shembuj: neural network — rrjet nervor, neural system — sistemi nervor.
polynomial është mbiemri polinomik që përdoret në matematikë për t’iu referuar shprehjeve me më shumë se një grup shkronjash që lidhen me njëra-tjetrën me simbolin e mbledhjes apo të zbritjes. Në këtë rast duhet përdorur forma me prapashtesën -ik, e cila përbën veçori dalluese të gjuhës shqipe dhe duhet shmangur forma *polinomial* e cila ndeshet te [3] f. 35 dhe në raste të tjera. Shembuj: polynomial expression — shprehje polinomike, polinomial computation complexity — kompleksitet përllogaritës polinomik.
spectral është mbiemri spektror që haset në disiplina të ndryshme tekniko-shkencore. Edhe në këtë rast, duhet përdorur forma e saktë me prapashtesën -or dhe duhet shmangur forma spektral. Shembuj: spectral analysis — analiza spektrore, spectral lines — vijat spektrore.
thermal është gjithashtu fjalë që haset në disiplina tekniko-shkencore (më shpesh në termodinamikë). Duhet shmangur forma me prapashtesën -al në favor të asaj me prapashtesën -ik. Në vend të *termal* duhet përdorur fjala termik. Kjo e fundit haset në shprehje të ndryshme të botimeve tekniko-shkencore, si “analiza termike” te [4] f. 7, “bilanc termik” te [4] f. 9 etj.

Përdorime të tepruara të prapashtesës -al ndeshen edhe në ligjërimin e përgjithshëm, pra përtej atij tekniko-shkencor. Mund të përmendim këtu fjalë si kulturor, teatror, muzikor që hasen shpesh në formën kultural, teatral, muzikal. Duhet pranuar gjithsesi që kemi huazuar edhe fjalë të huaja duke i pranuar me prapashtesën -al si në gjuhën burimore, ndaj duhet pasur kujdes në këtë pikë. Ndër to mund të përmendim artificial (ndërtuar apo prodhuar nga njeriu), funksional (që ka të bëjë me funksionin), racional (që lidhet me arsyen dhe arsyetimin), esencial (thelbësor, i qenësishëm), origjinal (zanafillor, i fillimit) etj. Të pestë shembujt e fundit gjenden dhe shpjegohen në FGJSSH. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [5].

Referenca

  1. Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
  2. Bashkim Ruseti, Kozeta Sevrani: “Sistemet e informacionit të menaxhimit”, Tiranë, 2014.
  3. Altina Myderizi, Ada Gogu: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 12 (me zgjedhje, për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2018.
  4. F. Sinoimeri, S. Kuneshka, A. Xhuvani, A. Kostallari, E. Çabej, L. Dodbiba, M. Domi, S. Riza: “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore (terminologjia e termodinamikës)”, Enti i botimeve shkollore i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1969.
  5. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930