Microsoft lançoi aplikacionin Arrow Launcher për Android
Microsoft ka prezantuar versionin final të Arrow Launcher, aplikacion i dedikuar ndërfaqes së telefonëve dhe tabletëve Android. Debutimin e parë të aplikacionit e pamë më 25 Korrik, një version beta. Vetë aplikacioni përfaqëson një tjetër sinjal të një strategjie të re të Microsoft.
Me drejtimin e Satya Nadella, qëndrimi i Microsoft ndaj platformave rivale ka ndryshuar pozitivisht. Kompania nuk përpiqet të mbajë të lidhur përdoruesit e shërbimeve të saj pas platformës vetjake. Aplikacionet Office dhe asistentit dixhital Cortana në iOS dhe Android e afirmojnë më tej këtë strategji.
Me Arrow, Microsoft dëshiron të paraqesë një ndërfaqe ndryshe për Android. Ndërfaqe e cila është e drejtuar nga thjeshtësia dhe lehtësia në përdorimin dhe aksesimin e aplikacioneve.
Vetë Arrow të jep sadopak ndjesinë e iOS 9 pa qenë nevoja e të krijuarit të një kloni të iOS. Për shembull funksionaliteti Spotlight në iOS sjell kërkimin e aplikacioneve dhe përmbajtjeve direkt nga ndërfaqe kryesore. Një tjetër risi e Arrow është rënditja e aplikacioneve sipas përdorimit duke vendosur ne krye të listës ato më të përdorurat.
Për dijeni edhe ky aplikacion është projekt i divizionit eksperimental të shërbimeve dhe aplikacioneve Microsoft Garage. Aplikacioni është falas për tu shkarkuar nga Google Play.