OnePlus prezantoi telefonin OnePlus X
Pas ditësh, javësh dhe muajsh spekulime, OnePlus zbuloi zyrtarisht telefonin e tretë inteligjent dhe të dytin për këtë vit.
Kaluan tre muaj nga debutimi i OnePlus 2 dhe më në fund mbërriti OnePlus X. Prodhuesi kinez do e ofrojë këtë telefon në dy variante: OnePlus Onyx dhe OnePlus Ceramic.
OnePlus X Onyx & Ceramic
OnePlus Onyx është telefoni më i hollë që ka ndërtuar kompania. Peshon vetëm 138 gram dhe është paisur me ekran 5 inç me rezolucion 1080p si dhe dendësi pikselash prej 441 për çdo inç. Oxygen OS (Android 5.1.1.) do të jetë sistemi operativ ndërsa ekrani është ndërtuar nga Samsung dhe bart teknologjinë AMOLED. Përmasat e telefonit janë 140mm x 69 mm x 6.9 mm.
Ky telefon do të fuqizohet nga një proçesor Snapdragon 801 shoqëruar nga 3GB RAM dhe 16 GB memorje të brendshme. OnePlus ka përfshirë edhe një portë për zgjerimin e memorjes me kartat microSD. Ky është telefoni i parë OnePlus që ofrom mbështetje për kartat microSD.
Që të dy telefonët kanë kamera të pasme me sensor 13 megapiksel dhe frontale 5 megapiksel. Asnjë prej telefonëve nuk përmban një çip NFC.
Ajo që ndryshon mes dy varianteve është vetëm pesha. Çdo karakterisitkë e përmendur më lart për OnePlus Onyx vlen edhe për OnePlus Ceramic. Ndërsa OnePlus Onyx peshonte vetëm 138 gram, OnePlus Ceramic peshon 160 gram. Versioni me materiale prej qeramike është i limituar në sasi. OnePlus tha se për ndërtimin e këtij versioni janë dashur plot 25 ditë punë. Bateria e smartfonit ka një kapacitet prej 2,525 mAh.
OnePlus X Onyx do të shitet në Europë duke filluar nga data 5 nëntor përmes uebfaqes oneplus.net. Telefoni do të kushtojë 270 Euro për Europën dhe 200 Paund për Britaninë.
Modeli prej qeramike del në shitje nga data 24 nëntor në Europë dhe kushton 370 Euro. Në Britani ky model shitet për 270 Paund. Blerja përmes sistemit të ftesave do të vijojë edhe për këtë model telefoni.