Google tallet me iPhone-t 16GB të Apple në reklamën e Google Photos

Nëse keni marrë pjesë apo ndjekur ndonjëherë ndonjë konferencë të Google apo Apple, me siguri do i keni dëgjuar ato “kunjat” që thuhen për njëra-tjetrën gjatë konferencës nga folësit e kompanive. Sigurisht që ato janë shaka, dhe folësit nuk i sulmojnë ato me të vërtetë, por me të qeshur e me të ngjeshur është ajo punë. Por ajo çka ka arritur kulmin, është një reklamë për Google Photos e cila është publikuar këtë javë.

Në të shfaqen disa situata të njerëzve në mbarë globin, të cilët janë në momentet e tyre kulminante dhe po presin të shkrepin një fotografi, por sapo tentojnë ta bëjnë këtë, u shfaqet ajo tabela e famshme e iOS ku thuhet se nuk ka më hapësirë në memorje. E cila në fakt është diçka e tmerrshme për të ndodhur.

Sigurisht, besoj se është e kuptueshme që me këtë reklamë Google po mundohet të vërë në lojë Apple me iPhone-t e saj 16GB të cilët shpeshherë kanë probleme me memorjen, dhe Google u paraqet një mundësi përdoruesve për mos të pasur më kurrë probleme të tilla. Me Google Photos ju do të keni mundësinë t’i bëni backup fotove dhe videove tuaja dhe kështu të lironi hapësirën që zënë ato në memorje. Google Photos mundëson ngarkimin e të gjitha fotove deri në 16MP dhe videove në 1080p. Aplikacioni është i disponueshëm për iOS dhe Android.

Gjithashtu, nëse nuk ua mbush shumë syrin Google Photos, përsëri mund të provoni mënyrën tonë për të liruar hapësirë në iPajisjen tuaj pa fshirë asgjë nga ajo.

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.