Makinat e Google Street View vijnë në Shqipëri
“Street View” është programi i hartëzimit i gjigantit amerikan të teknologjisë “Google”, që u mundëson përdoruesve të tij përmes një kompjuteri, telefoni inteligjent apo tableti që të shohin më në brendësi rrugët, objektet, zonat turistik apo qytete të tëra në pjesën më të madhe të globit.
Deri më tani Shqipëria ishte lënë jashtë këtij programi, por jo më. Makinat e “Street View” kanë nisur fotografimin nga 29 prilli e zonave turistike dhe rrugët e qyteteve kryesore shqiptare.
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e ftuar në Wake Up në Top Channel tha se nisja e këtij procesi është kurorëzimi i përpjekjeve të Shqipërisë për të mundësuar që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e “Street View”.
“Ne kemi disa vite që bëjmë përpjekje përmes bashkëpunimeve të ndryshme me Google që ta bëjnë këtë proces edhe në vendin tonë. Makinat e Street Vieë nisin punën më 29 prill dhe do të punojnë për 8 javë në qytetet kryesore të Shqipërisë, bregdetare dhe destinacionet turistike”, tha ajo.
Ministrja Harito tha se nisma do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të vendit tonë në sytë e turistëve të huaj.
“Do t’u japë besim turistëve të vijnë në Shqipëri dhe të shikojnë me sytë e tyre bukuritë tona natyrore dhe kulturore”, tha ajo.
Ministrja tha se “Street View” është njëri prej bashkëpunimeve, por jo më kryesori dhe si të tillë vlerësoi një tjetër.
“Po punojmë me Google që të njohë dhe të fusë në platformën AdSense edhe gjuhën shqipe, apo portalet që janë në gjuhën shqipe”, tha ajo.
/ Top Channel